24 ore lajme: Përshkallëzim paralajmërues i një teposhtëze të madhe Përshkallëzim paralajmërues i një teposhtëze të madhe ================================================================================ Veton Surroi on 19 March, 2008 03:38:00 1. Në Mitrovicë, të hënën, u ngrit përshkallëzimi në përpjekjen e qendrave të ndryshme të pushtetit për të administruar Kosovën pas shpalljes së pavarësisë. Liderët e serbëve të Veriut testuan vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare për të administruar tërësinë e territorit të Kosovës sipas planit të "shpalljes së koordinuar të pavarësisë". Rezultati i kësaj sprove, ndonëse mund të jetë rezultat fillestar, është si vijon. Pas BE-së, edhe UNMIK-u u largua nga pjesa veriore e Kosovës, dhe nga aspekti i pranisë ndërkombëtare, e vetmja forcë që rri është KFOR-i. Liderët e serbëve të Veriut, me dirigjim të qartë operativ nga qarqe të sigurisë nga Beogradi, arritën që me forcë ta delegjitimojnë çfarëdo pranie ndërkombëtare civile në Veri, e vrulli me të cilin reaguan të hënën ndaj KFOR-it është sinjal shkallëzues mes forcave të NATO-s dhe "civilëve" serbë, të cilët treguan aftësi të mjaftueshme ushtarake për të mbajtur tërë pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës nën kontrollin e zjarrit të snajperëve. Nga aspekti strategjik nuk mendoj se Beogradi dhe as liderët e serbëve të Veriut mund të besojnë se kjo gjendje do të mbetet e pandryshuar. Më shumë ka qenë një lëvizje e fortë taktike ofensive, e cila përzuri administratën edhe ashtu të dobët të UNMIK-ut nga Veriu, në mënyrë që tash e tutje të zhvillohen negociata të brendshme se si do të kthehet m‘u ai UNMIK, por jo edhe se si do të vendoset atje BE-ja. Edhe pse nuk u përmend kund, aksioni i së hënës qe i drejtuar nga EULEX-i dhe prania ndërkombëtare BE-SHBA e përmbajtur në ICR. Edhe po të kthehet, me shumë mund, gjendja në situatën e mëparshme, ajo do të jetë situata e nëntë viteve të kaluara, pra, e "ndarjes së butë" të Kosovës. 2. Ngjarjet e së hënës nuk janë jashtë kontekstit të përgjithshëm, pra nuk janë as befasi. Në Serbi, mes pothuaj të gjitha forcave politike, me përjashtim të Partisë Liberalo-Demokratike të Çedomir Jovanoviqit, ekziston konsensusi për "ndarje të butë" të Kosovës, me synim krijimi të "konfliktit të ngrirë". Për më tepër, me rënien e qeverisë "Koshtunica", dhe me hyrjen në fushatën për zgjedhjet e 11 majit, Kosova do të bëhet poligon për ushtrim "patriotizmi" te të gjitha partitë e përmendura, me përjashtimin e përmendur. Fushata zgjedhore serbe, pra, nuk do të anashkalojë Kosovën, sepse për zbatimin e operacionit për "konflikt të ngrirë" është identifikuar momenti ideal, ///////////////m‘u tranzicioni, pra kalimi i kompetencave prej UNMIK-ut në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të misionit të BE-së, 120-ditëshi i paraparë në Paketën e Ahtisaarit. Brenda këtyre 120 ditëve ishte paraparë që Kosova ta ndërtojë sistemin e vet kushtetues-juridik, në bazë të rekomandimeve të Presidentit finlandez dhe pastaj t‘i marrë në duar kompetencat shtetërore nga UNMIK-u, minus sundimi i ligjit që do t‘i mbetej EULEX-it. Në rast se gjërat zhvillohen si deri tani, ka gjasa të mëdha që ky synim të dështojë. Me refuzimin e Beogradit, paketa "Ahtisaari" do të mbetet e pazbatueshme në ato pjesët që kanë të bëjnë me bashkëpunimin Kosovë-Serbi për të drejtat e serbëve të Kosovës. Institucioneve të Kosovës, atëherë, do t‘u mbesin të gjitha obligimet e Paketës, por jo edhe benefitet e funksionimit unik shtetëror. Përkthyer në përditshmëri, kjo do të thotë, për shembull, se institucionet kosovare do të kenë obligim të formojnë komuna të reja të banuara pothuaj vetëm me serbë, por ato nuk do të funksionojnë brenda sistemit juridik kosovar. Qëllimi i Beogradit është që të demonstrojë se paketa e Ahtisaarit vlen për shqiptarët, po jo edhe për serbët në Kosovë. Dhe, kjo do të kuptohet pas një kohe relativisht të shkurtër në Prishtinë, me çka do të rriten pyetjet edhe në opinion publik, edhe brenda institucioneve të vendit, për obligueshmërinë e zbatimit të rekomandimeve me të cilat u kushtëzua pavarësia e Kosovës. 3. Fundi i tranzicionit UNMIK-Kosovë-BE është tash i pasigurt. Politika e Beogradit, e mbështetur fuqimisht nga Moska, ka përcaktuar vijën ndarëse të aktorëve ndërkombëtarë, me BE-në që duhet të mbikëqyrë institucionet e Republikës së Kosovës dhe UNMIK-un që duhet të rrijë e të legjitimojë institucionet paralele serbe të Kosovës. Frikësimi i OKB-së që të mos tërhiqet nga Kosova në afatin e paraparë do të mund të shkaktojë jo vetëm dy realitete paralele të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovës, por të kontribuojë edhe më në mungesën e koordinimit të tyre, me çka rrjedhimisht do t‘i kontribuohet edhe më tej dobësimit të funksionimit shtetëror në Kosovë. Që tani po ngrihet vetëdija brenda një pjese të bashkësisë ndërkombëtare se do të duhej të rifillojnë bisedimet mes OKB-së dhe BE-së për të parë se si të akomodohet fundi i tranzicionit. Dhe, po qe se krijohet hapësira e negociatave, atëherë në të do të hyjnë edhe Serbia, e rrjedhimisht edhe Rusia. Ministri i Jashtëm serb, Jeremiq, ofroi para ca kohësh miratimin e Serbisë për praninë e EULEX-it në Kosovë, nëse bëhet me Rezolutë të OKB-së. Nga dera e vogël, kjo do të mund të rihapte negociatat për Kosovën në OKB. 4. Këto ditë do të përcaktohet rrjedha e ngjarjeve për një kohë disavjeçare. Njëri prej opsioneve, i cili do të përsëritet në qarqe diplomatike, por edhe në opinion publik, është se Kosova edhe ashtu ka qenë e ndarë dhe ka funksionuar deri në pavarësi, e këtë mund të bëjë edhe në të ardhmen deri sa të mos integrohet Veriu. Mendoj, për disa arsye, se do të ishte qasje e gabueshme nëse legjitimohet gjendja e tanishme. E para, gjendja e tanishme do të çrregullojë jetën politike në Serbi, e edhe më shumë në Kosovë, me "ndarjen e butë" si çështje që konsumon energjitë edhe ashtu të varfra politike të vendit, i cili përballet me sfidat enorme të ndërtimit të shtetësisë. E dyta, gjendja e tanishme çrregullon tërësisht funksionet e shtetit. Që prej një muaji, kufiri në Veri nuk ushtron funksionet e doganës. Me këtë, hapësira e Veriut shndërrohet në hapësirë të lirë kontrabandimi, me implikimet e veta të forta të sigurisë (forcimi i krimit të organizuar), ndërsa institucionet e Kosovës mbeten pothuajse pa të vetmin burim buxhetor. E treta, mund të pengohet funksionimi i tërësishëm i shërbimeve publike, si furnizimi me ujë, hekurudha, linjat telefonike e të tjera. Dhe e fundit, jo për nga rëndësia, ndarja faktike e Kosovës, me pamjet si ajo e Mitrovicës të hënën, do të ndikojnë negativisht në njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës nga shtetet e Botës së Tretë, të cilat në vorbullën e paragjykimeve e vlerësimeve ekstreme që mund të bëhen rreth Kosovës në OKB, zgjedhin pritjen deri sa të mos sqarohet gjendja në Kosovë. Përshkallëzimi i së hënës në Mitrovicë mund të jetë indikator i mirë i drejtimit që e pret Kosovën në muajt e ardhshëm të tranzicionit, cili do të duhej përmbyllur para fillimit të verës.