Mediu nuk eshte pergjegjesi i vetem
Tri ditë pas tragjedisë së Gërdecit ka nisur të shpërthejë një tjetër bombë, ajo e përgjegjësive, që ndoshta nuk është kaq e rrezikshme, sepse nuk merr jetë, por bën edhe ajo viktimat e saj. Këtë radhë në aspektin politik. Dhe viktima e parë politike, ashtu sikur mund të parashikohej lehtësisht, ishte ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në të gjithë piramidën shtetërore është pikërisht ai që mban përgjegjësinë direkte, si politike dhe morale për tragjedinë, duke qenë ministri i linjës. Pa hyrë në të tjera detaje që tashmë do të jenë pjesë të një hetimi të gjerë nga organet kompetente, Prokurorisë apo komisioneve hetimore të Kuvendit, siç kanë kërkuar jo pak deputetë e ndonjë forcë politike. Vetëm se a është zoti Mediu, personi i vetëm që duhet të marrë përsipër përgjegjësitë? Natyrisht që jo. Dhe natyrisht që përgjegjësitë nuk janë vetëm të një individi. Me dorëheqjen e tij, zoti Mediu i hapi rrugë një procesi të gjatë analize për ngjarjen.
Së pari, janë administrativo-ligjore dhe rrjedhimisht edhe penale për shkak të numrit të lartë të viktimave që shkaktoi kjo tragjedi. Së dyti, përgjegjësitë politike dhe ato morale shtrihen edhe më gjerë se sa një ministër, që për fatin e keq të atyre 15 viktimave të deritanishme, me dorëheqjen e tij vendosi të paktën një standard për Shqipërinë. Atë të ndërgjegjësimit për tragjedinë dhe marrjes përsipër të përgjegjësive. Se cili do të jetë më pas fati i zotit Mediu, kjo do të mbetet për t‘u parë. Ndonëse edhe më parë në vend kanë ndodhur tragjedi të rënda, por vështirë se dikush mund të kujtojë dorëheqjen e ndonjë ministri pas tyre. Madje, edhe kur përgjegjësitë e zyrtarëve të lartë të shtetit kanë qenë evidente, në Prokurori dhe më pas në gjykatë kanë përfunduar vetëm ata që rëndom, cilësohen si peshqit e vegjël. Për të evituar përsëritjen e kësaj situate, çdo analizë dhe hetim këtë radhë duhet të përfshijë së pari krerët. Dhe nga krerët nuk përjashtohet as Kryeministri, tek i cili mbyllet piramida e përgjegjësive. Përveç ministrit të tij të Mbrojtjes, është ai si kryetari i mazhorancës që qeveris vendin që duhet të paguajë në fund të fundit faturën, në këtë moment siç e kërkon e gjithë opozita, ose në fund të mandatit të tij, me votë përpara zgjedhësve. Në marrjen e këtij vendimi vendos vetëm ndërgjegjja e kreut të qeverisë.
Për të folur më pas për njerëzit më poshtë, zinxhiri i dorëheqjeve, shkarkimeve dhe ndëshkimeve vetëm sa ka nisur dhe pritet, ose të paktën mendohet që të jetë i gjatë. Pak pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, katër persona u shoqëruan në polici, ndërsa thuajse në të njëjtën kohë shpërtheu skandali i kontratës. Fillimisht me zërat për manipulimin e kontratës dhe më pas me replikat në distancë mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe firmës amerikane të çmontimit për ekzistencë apo jo të një kontrate të dytë, pas skadimit të së parës në fillim të dhjetorit.
Por ky nuk është i vetmi mister që duhet të marrë përgjigje. Paralelisht duhen dhënë shumë përgjigje të tjera dhe duhet vënë gishti mbi të tjerë përgjegjës. Dikush duhet t‘i përgjigjet pyetjes se përse municionet çmontoheshin në një repart të vogël ushtarak të harruar, vetëm 100 metra nga shtëpitë e një fshati, shumë pranë objekteve strategjike si aeroporti "Nënë Tereza" i Rinasit, autostradës së superpopulluar me biznese dhe njerëz, apo në mes të dy qendrave më të mëdha administrative e ekonomike të vendit, Tiranës dhe Durrësit. Cilat ishin kushtet e sigurisë në detyrë? Në një kohë që shteti ngre zërin dhe kontrollon bizneset private për kushtet e punës, punën në të zezë dhe shfrytëzimin e fëmijëve, si ka mundësi që këto fenomene të shfaqeshin në këtë ndërmarrje, që duhet të ishte njëkohësisht ndërmarrje e sigurisë së lartë?! Ekspertë ushtarakë të vetë Ministrisë së Mbrojtjes, nëse pyeten sot, të thonë se në vend ka tri uzina të çmontimit të predhave të të gjithë kalibrave, në Mjekës, Gramsh dhe Poliçan. Të tria këto uzina, që në kohën e ndërtimit të tyre, janë ngritur duke zbatuar pikërisht kushtet e sigurisë, në një hapësirë të madhe toke, të izoluara nga zonat e banuara dhe me godina të ndara e larg njëra-tjetrës. Në mënyrë që sikur të shpërthejë njëra prej tyre, të mos kishte rrezik për të tjerat. Përgjigjet për të gjitha këto pyetje dhe hamendje, ndoshta do të ndihmojnë të vërtetojnë apo qoftë edhe të heqin dyshimet për të gjithë ato zëra që flasin për tregtinë me vdekjen, për korrupsionin, miliona euro në trafik, apo shitjen e tunxhit, hekurit e armëve. Dhe përgjigjet e para duhet t‘i japë sa më shpejtë grupi i prokurorëve, i përzgjedhur nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, për të cilën ky hetim është edhe guri i provës për pavarësinë dhe profesionalizmin e saj.
Kerkoni ne arkiv
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj