24 ore lajme: Dhuna ne Kosove denohet nga Washingtoni dhe New Yorku Dhuna ne Kosove denohet nga Washingtoni dhe New Yorku ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 18 March, 2008 01:54:00 Dhuna e djeshme në Mitrovicën veriore nuk kaloi e pavërejtshme dhe e padënuar nga zyrtarët e Kombeve të Bashkuara në New York dhe ata të administratës amerikane në Washington, të cilët tërthorazi akuzuan Beogradin për nxitje, duke i bërë thirrje që të ushtrojë ndikimin tek serbët e Kosovës të përmbahen dhe të ndalin provokimet. "Jam shumë e shqetësuar me atë që po ndodh në Mitrovicë dhe mendoj se liderët serbë duhet fuqimisht t'u tërheqin vërejtjen serbëve që jetojnë në Kosovë se nuk është koha për provokime", thuhej në deklaratën e Sekretares Amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice e cila gjendet në vizitë në Moskë, deklaratë të cilën e dha si kumtesë mbrëmë Departmenti i Shtetit. SHBA dhe Rusia kanë mendime të ndryshme qoftë për pavarësinë e Kosovës ashtu edhe për zhvillimet e djeshme ndërsa pritet që Kosova të jetë çështje e bisedimeve të sotme midis Sekretares Rice dhe ministrit të jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon e ka dënuar sulmin mbi policinë e UNMIK-ut dhe forcat e KFOR-it nga serbët në në Mitrovicë, duke thënë se UNMIK-u do të vazhdojë të ushtrojë mandatin dhe të marrë masat ashtu sic e obligon rezoluta 1244. Zëdhënësja e Kombeve të Bashkuara tha më tej se marrja e gjykatës ishte një sfidë direkte ndaj UNMIK-ut në ushtrimin e mandatit të tij në Kosovë dhe se masat e ndërmarra ishin në koordinim të ngusht me KFOR-in