Faqja e Pare | Editorial | Gazetari rrihet, gazetaret heshtin

Gazetari rrihet, gazetaret heshtin

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

Pardje, më mori në telefon Ervin Qafmolla i "Mjaft"-it e më ftoi t‘i bashkohesha protestës së kësaj lëvizjeje përballë Kuvendit të Shqipërisë, e cila synonte të denonconte rrahjen e një gazetari nga deputeti Doshi në praninë inkurajuese të deputetit Isaraj. Ishte një ndodhi, për të cilën nuk kisha asnjë lloj informacioni. Ndonëse lexoj çdo ditë gazetat më të rëndësishme të vendit e ndonëse ndjek gjatë gjithë ditës ditaret informativë të televizioneve, këtë lajm për herë të parë po e dëgjoja nga goja e Qafmollës. Më pas më thanë se lajmin e kishin botuar në mënyrë telegrafike e pa ndonjë nënvizim kushedi se çfarë "Gazeta Shqiptare" dhe "Standard". Të tjerat, edhe pse nga njëra anë u kish rënë në dorë një letër e shqetësuar e agjencisë informative, në të cilën punon gazetari Besar Likmeta, edhe pse nga ana tjetër ishin informuar e nxitur prej "Mjaft"-it, as që e kishin vënë ujin në zjarr. Një dreq e di se pse. Ndoshta e kanë marrë si një pretekst për një protagonizëm të ri të kërkuar nga ana e "Mjaft"-it; ose ndoshta kanë qenë të mendimit se publikimi i disa batutave të pashijshme mes deputetësh në Kuvend është ku e ku më i rëndësishëm se sa informimi mbi rrahjen e një gazetari "mistrec" jo fort të njohur prej një deputeti gjithashtu jo fort të njohur; ose ndoshta kanë qenë të tendosur nga një ditë e lodhshme në ndjekje të politikës e politikanëve nëpër kafenetë e kryeqytetit; ose ndoshta … e kështu me radhë. Çështja është që askush nuk i kish dhënë peshë këtij lajmi, aq sa edhe unë, i prirur për t‘u besuar kolegëve të mij të Tiranës, fillimisht nuk po përjashtoja mundësinë, që e gjitha mund të ish një sendërgjí e gazetarit Likmeta (emrin e të cilit e dëgjoja për herë të parë) dhe një ngut e turravrap i tepërt i "Mjaft"-it në fushatën e vet të antipolitikës.

"I keni njoftuar të gjithë gazetarët për protestën"? - e pyeta Qafmollën, pasi krijova bindjen se gjëja ishte serioze dhe e rëndë. "Sigurisht", mu përgjigj Qafmolla, "u kemi dërguar sms gazetarëve ‘free lance‘ dhe u kemi dërguar një njoftim të gjitha redaksive të gazetave e të televizioneve". "Ok", i thashë, "shihemi në protestë, atëherë". Dhe të nesërmen shkova në protestë. Por ç‘të shihja? Në atë protestë ishin një duzinë aktivistësh të "Mjaft"-it, dy gazetarë të njohur (Gjergj Erebara e Ben Andoni), e një numër reporterësh e kameramanësh. Kaq ishte e gjitha.

E ky ishte zhgënjimi i parë, të cilin në të vërtetë e prisja dhe i cili në të vërtetë nuk ma bjerrte asnjë çikë dëshirën e motivimin për të qenë në atë protestë. "Nuk prish punë" mendova, "kolegët e tjerë do ta ndjekin në televizion këtë protestë modeste në pikëpamje numerike, e bën vaki do të turpërohen prej mungesës së tyre". Por erdhi zhgënjimi i dytë. Duke përjashtuar nja dy televizione, të tjerët as që e kishin parë të arsyeshme të jepnin informacion mbi këtë protestë. E kanë trajtuar si një çikërrimë? Apo e kanë parë si një çalltisje njerëzish të ngeshëm? Apo i kanë dhënë karar punës, duke menduar se nuk ia vlen të merresh me dërdëllitjet e protagonizmin e nja njëzet vetëve?

Sido që të kenë menduar, ky është një turp i botës mass-media-tike shqiptare. Dhe - të kuptohemi - problemi nuk është që nuk transmetuan pamje nga protesta. Problemi është që nuk u gjet e udhës të trajtohej ngjarja me titull "një deputet rreh një gazetar", nuk u gjet e udhës të informohej publiku, se gazetari është rrahur për shkak të ushtrimit të detyrës e nuk u gjet më në fund e udhës të thuhej - ndoshta me gojën e ndonjërit prej njerëzve të protestës - se rrahja e një gazetari për shkak të ushtrimit të detyrës është një sinjal i fortë alarmi për të gjithë gazetarët. Në vend të gazetarit Likmeta - nëse rrethanat tekanjoze do të urdhëronin ndryshe - mund të ish secili prej atyre gazetarëve, që nuk denjuan të vinin në protestë e që nuk denjuan të informonin publikun mbi këtë ngjarje. Dhe kjo që them nuk është një shajní e imja. Përkundrazi, është në logjikën e gjërave. Dhuna e verbër dhe arbitrare është një dhunë shetitëse. Sot kjo dhunë goditi gazetarin Likmeta, por nuk duhen shumë mend për të kuptuar se mund të godiste secilin prej nesh. Nëse nuk i themi ndal kësaj dhune, ajo nesër gjithashtu mund të godasë secilin prej nesh (edhe sërish gazetarin Likmeta).

E keqja shkon edhe më tej. Kjo dhunë ushtrohet ndaj gazetarëve. Me këtë nuk dua të them se gazetarët janë një soj i veçantë homo sapiens-i. Jo, me këtë dua të them, se të rrahësh një gazetar për shkak të ushtrimit të detyrës është atentat ndaj të drejtës së publikut për t‘u informuar, e cila nga ana e vet (kjo e drejtë pra) përbën një nga themelet e egzistencës të një qeverisjeje transparente e të një demokracie funksionale e të shëndetshme. Unë e di që kjo e drejtë, edhe pa këtë rrahje, edhe përpara kësaj rrahjeje, edhe pas kësaj rrahjeje, ka qenë e do të jetë e nëpërkëmbur nga faktorë të tjerë endemikë në botën e gazetarisë shqiptare, siç janë fragmentarizimi e tribalizimi mass-media-tik, kontrolli manage-rial e padronal i politikave editoriale, lidhjet e shkurtëra midis financuesve të mass-media-s e tutorëve politikë të këtyre financuesve, mjerimi profesional e pozitat prej skllavi të gazetarëve, e për rrjedhojë, shkrehja e squllja e këtyre të fundit, kur vjen puna që duhet të mbrojnë të drejtat e dinjitetin e tyre. Gati 99% e gazetarëve që njoh - dhe këtu po bëj një konfesion të pazakontë - nuk kanë ngurruar të më thonë në biseda private, se "padroni i gazetës apo i televizionit ka gjithë të drejtën legjitime të ndalojë publikimin e një lajmi apo të urdhërojë publikimin e një lajmi tjetër në emër të mbrojtjes së interesave të tij të biznesit, pa të cilat as gazeta, as televizioni nuk mund të ekzistojnë". Të gjitha këto pra i japin vendimin e dënimit me vdekje gazetarisë së vërtetë, por rrahja e gazetarëve prej njerëzve me pushtet dhe pafuqia e gazetarëve për të reaguar në këtë situatë, shkon një hap më tutje: e ekzekuton këtë vendim.


***

Dhe tani është radha e zhgënjimit të tretë, i cili në një farë kuptimi është tronditës. Ishte Ambasadori amerikan ai, që e vuri tamam në lëvizje makinën mass-media-tike. Vini re pra: mass-media, e cila nuk ish sëmbuar as nga ngjarja e rëndë, as nga protesta e lehtë e nja njëzet vetëve përballë ndërtesës së Kuvendit, papritur zgjohet nga gjumi prej një pickimi të fortë: ka folur Ambasadori amerikan. "Heu, qenka serioze puna!", duhet të kenë menduar aty për aty punëtorët e mass-media-s, "prandaj, o burra, t‘i bëjmë jehonë kësaj ngjarjeje!". Vetëm pas konferencës për shtypin të Ambasadorit Amerikan mua më morën në telefon një numër njerëzish e kolegësh. E kishin marrë vesh ngjarjen, e kishin ndjekur protestën në TV (pasi e kishin bojkotuar në terren), e nuk ishin bërë të gjallë. Me të marrë vesh se ka mbajtur qëndrim edhe Ambasadori amerikan, zgjohen nga gjumi.

O Zot, sa do donin ca e ca këtejpari ta kishin këtë fuqi për të ndukur ndërgjegjet e shqiptarëve, dhe sa do donin ta kishin këtë forcë magjepsëse, jo vetëm për të bërë lajm me shfaqjet e tyre publike, por edhe për t‘u treguar të tjerëve se çfarë është një lajm i vërtetë e se çfarë duhet konsideruar një ngjarje e rëndë për ta. Mirëpo nuk e kanë. Nuk janë Ambasadorë.

E përsa kohë nuk e kanë, nuk bëjnë keq të thonë: Faleminderit, Ambasadori Withers! Është një falenderim i trishtuar (kuptohet përse), por është një falenderim i sinqertë. Pa fjalën tuaj, kjo ngjarje do të ish arkivuar si një gjë banale. Thanks a lot, indeed!

Komente (1 vendosur):

eesmere ne 16 March, 2008 12:20:16
avatar
shpreh ngushllime per familjet

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Maj, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
0