Ulqini: Asnje analize nga Kryeministri per luften e munguar te institucioneve kunder korrupsionit
Lufta kundër korrupsionit ka qenë kryeargumenti elektoral i mazhorancës aktuale dhe arsyeja kryesore që shqiptarët e votuan atë tre vjet më parë.
Mediat e shkruara shqiptare publikuan pjesën për Shqipërinë të raportit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në këtë raport i bëhet një analizë e plotë funksionimit të demokracisë në Shqipëri gjatë vitit 2007.
Në kapitullin “Korrupsioni dhe transparenca në qeverisje” theksohet se “Korrupsioni mbeti një pengesë madhore ndaj reformave domethënëse. Treguesit botërorë të qeverisjes të Bankës Botërore pasqyronin që korrupsioni ishte një problem serioz”. Edhe në kapitujt e tjerë të raportit flitet për korrupsionin si një problem serioz me rrënjë të thella në Shqipëri.
Në kapitullin “Për mediat” theksohet se gjatë vitit 2007 “Pati pak transparencë në financimin e medias”.
Në kapitullin “Liria akademike dhe veprimtaritë kulturore” theksohet se “Kontrolli i qeverisë mbi emërimet akademike dhe kultura e korrupsionit minuan lirinë akademike. Studentëve disa herë u kërkohej të jepnin rrushfet tek zyrtarët për regjistrim apo për të kaluar provimet”
Në kapitullin “Roli i policisë dhe aparatit të sigurisë” theksohet se “Paraqitja e gjithëanshme e zbatimit të ligjit mbeti e dobët. Sjellja joprofesionale dhe korrupsioni mbeten pengesa madhore për zhvillimin e një force policore civile të efektshme. Pagat e ulëta dhe korrupsioni i shumëpërhapur në të gjithë shoqërinë e bënin të vështirë luftën kundër korrupsionit në polici”.
Në këtë dokument kaq të rëndësishëm për imazhin e Shqipërisë, treguesit e korrupsionit për vitin 2007 shënojnë një përkeqësim të mëtejshëm. Raporti i Deparatamnetit Amerikan të Shtetit flet për kulturë korrupsioni dhe korrupsion të shumëpërhapur në të gjithë shoqërinë. Madje raporti e cilëson korrupsionin si një pengesë madhore ndaj reformave.
Më 06 shkurt të këtij viti, në raportin për gjendjen në Shqipëri të publikuar nga CIA – theksohet se “50 përqind e ekonomisë shqiptare është informale”, tregues ky mjaft thelbësor për rezultatet e munguara në luftën kundër korrupsionit.
Këto dy raporte i shtohen gjashtë raporteve të publikuara, gjatë vitit 2007, nga pesë agjenci ndërkombëtare shumë prestigjioze të cilat e rendisin Shqipërinë në toplist kur është fjala për nivelin e lartë të korrupsionit. USAID, Banka Botërorë, Forumi Botëror për Ekonominë, Transparenca Ndërkombëtare dhe BE ishin institucionet të cilat theksonin se në Shqipëri gjatë vitit 2007 korrupsioni vazhdoi të ishte tejet i lartë dhe një pengesë serioze për zhvillimin e vendit. Madje, sipas një sondazhi të publikuar në dhjetorin e vitit të kaluar nga “Barometri Global i Korrupsionit”, 71 përqind e shqipëtarëve ishin të detyruar të paguanin rryshfet për shërbimet e kërkuara dhe Shqipëria renditej në vendin e tretë në botë për nivelin e lartë të korrupsionit.
Vetëm komentet e publikuara në këto dokumenta të sipërpërmendura do të ishin të mjaftueshme që qeveria, jo vetëm të shqetësohej thellësisht për përkeqësimin e mëtejshëm të imazhit të Shqipërisë kur është fjala për nivelin e korrupsionit, por t’i adresohej në terma konkretë kësaj dukurie tejet negative që prek drejtpërsëdrejti cilësinë e jetesës së mijrave shqiptarëve, dhe jo të bënte demagogji politike. E thënë akoma më qartë, qeveria duhej të reagonte në mënyrë të fuqishme ndaj nivelit të lartë të korrupsionit me masa të shumanshme dhe reforma të thella të cilat duhet të ishin transparente për median dhe publikun.
Partia Socialiste duke shprehur shqetësimin e saj për mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, jo vetëm ka mbështetur në Kuvend cdo nisëm ligjore kundër korrupsionit, por ajo nuk i ka dhënë mbështetje politike askujt që është akuzuar nga drejtësia për veprën penale të korrupsionit. Gjithashtu Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin e saj edhe për mungesën e seriozitetit të qeverisë në mënyrën se si ajo reagon ndaj raporteve të ndërkombëtarëve, në të cilat kërkohet që ekzekutivi shqiptar të zëvendësojë retorikën politike me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.
Asnjë analizë konkrete nuk u bë nga kryministri i vendit për rezultatet e shënuara gjatë vitit 2007 nga institucionet shtetërore në luftën kundër korrupsionit. Ndërkaq kujtojmë që, në programin e qeverisë kryeministri u premtoi shqiptarëve që transparenca do të ishte tipari themelor i qeverisë së tij. Atë që bëjnë cdo vit ndërkombëtarët për shkallën e korrupsionit në të gjithë sektorët dhe fushat e jetës në Shqipëri, duhet ta bëjë më së pari kryeministri i vendit. Në të vërtetë kjo transparencë e munguar është, jo vetëm një kërkesë e qeverisjes demokratike, por edhe një detyrim kushtetues i ekzekutivit përballë taksapaguesve shqiptarë.
Tre janë arsyet themelore që ne deputetët socialistë i adresohemi vazhdimisht e me shqetësim këtij problemi.
Arsyeja e parë : Korrupsioni vazhdon të mbetet një dukuri që cënon në radhë të parë cilësinë e jetesës të mijëra shqiptarëve. Mjafton të kontaktosh me qytetarët apo të dëgjosh se cfarë deklarojnë ata në programet e drejtpërdrejta të mediave elektronike dhe bindesh se korrupsioni është një shqetësim tejet i madh në cdo fushë të jetës. 71 përqind e shqiptarëve të intervistuar deklaruan dhjetorin e kaluar se kishin qenë të detyruar të paguanin bakshish për shërbimet e kërkuara.
Arsyeja e dytë: Korrupsioni i lartë është pengesa më serioze në procesin e integrimit të Shqipërisë në strukturat Euro Atlantike.
Arsyeja e tretë: Lufta kundër korrupsionit ka qenë kryeargumenti elektoral i mazhorancës aktuale dhe arsyeja kryesore që shqiptarët e votuan atë tre vjet më parë.
Këto tre arsye shprehin mjaft qartë qëndrimin konstruktiv të opozitës ndaj luftës kundër korrupsionit, qëndrim që ska asgjë të përbashkët me “nxirrjen e qëllimshme të realitetit në Shqipëri nga opozita” sic deklaroi kryeministri Sali Berisha këtu në këtë sallë gjatë interpelancës së zhvilluar për nivelin e korrupsionit në Shqipëri në 27 dhjetor të vitit të kaluar.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | |
| 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 |
| 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 |
| 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 |
| 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj