24 ore lajme: Nensekretari amerikan i shtetit Frid pergezon udheheqjen kosovare per menaxhimin e situates pas pavaresise Nensekretari amerikan i shtetit Frid pergezon udheheqjen kosovare per menaxhimin e situates pas pavaresise ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 08 March, 2008 04:28:00 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ndihmëssekretari i Shtetit amerikan, Daniel Fried, kanë biseduar sot për zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë dhe bashkëpunimin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Thaçi fillimisht ka shprehur falënderimin e përzemërt në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i kanë dhënë mbështetje të madhe dhe të pakursyeshme Kosovës para, gjatë dhe pas luftës, veçanërisht gjatë procesit të definimit të statusit final të Kosovës. Kryeministri Thaçi ka pranuar nga ndihmëssekretari Fried përgëzimet më të mira nga Presidenti Bush dhe nga Sekretarja e Shtetit, Rice, për Kosovën shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, si dhe për progresin e arritur në Kosovë, përgëzime këto që janë përcjell me angazhimin për një Kosovë me mundësi të barabarta, me sundim të ligjit dhe për një Kosovë të pandashme, që do të ketë vizion integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe ndërtimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit. Kryeministri Thaçi ka njoftuar ndihmëssekretarin Fried për punën që është duke u bërë gjatë kësaj kohe dhe ka rikonfirmuar edhe njëherë angazhimin e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, për të vazhduar punën me përgjegjësinë më të lartë shtetërore për qeverisje të mirë, demokratike, funksionale dhe efektive. “Prioritet yni do të jetë sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të minoritarëve, lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik, për ta bërë shtetin që të funksionojë”, është shprehur kryeministri Thaçi. Ndihmëssekretari i Shtetit, Daniel Fried, ka theksuar se është nder dhe kënaqësi të jesh në shtetin më të ri të Evropës, në demokracinë më të re në botë, në Republikën e Kosovës. “Kosova e arriti pavarësinë dhe tani ka testin e përmbushjes së premtimit të pavarësisë - të ndërtojë shtet funksional, me treg të lirë, me institucione funksionale demokratike dhe jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e saj, është shprehur z.Daniel Fried.