24 ore lajme: Problemet e mëdha në marrëdhëniet SHBA-Serbi Problemet e mëdha në marrëdhëniet SHBA-Serbi ================================================================================ Uilliam Montgomeri on 03 March, 2008 07:48:00 Ndërsa shihja vandalët që sulmonin ambasadën amerikane në Beograd dhe digjnin flamurin që ngrihej në ballkon, më kujtohej ngritja e atij flamuri para pak më shumë se shtatë vitesh, kur u rivendosën marrëdhëniet diplomatike të ndërprera gjatë regjimit të Millosheviçit. Ishte kohë shprese e optimizmi. Mendoj se gjithë ajo punë për ta lidhur prapë Serbinë me Evropën dhe për ta çuar vendin dhe qytetarët e tij drejt një jete më të mirë, është bërë nga shumë serbë, duke filluar me Zoran Xhingjiçin. Por më duket se të gjitha këto përpjekje u shndërruan në tym. Ka qenë gjithnjë e qartë, se njëra prej viktimave kryesore të pavarësisë së Kosovës, do të ishin marrëdhëniet dypalëshe të SHBA-ve me Serbinë. SHBA-të kanë qenë forca kryesore mbështetëse e fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s dhe që kanë koordinuar tani pranimin e deklaratës së shpalljes së njëanshme të pavarësisë së shqiptarëve të Kosovës. Por, më shumë se kjo, edhe përmbajtja e deklaratave të vazhdueshme të zyrtarëve të lartë amerikanë, në mbështetje të kësaj pavarësie, kanë irrituar edhe shumë serbë që kanë qenë të vendosur për demokracinë e politikën proevropiane. Shumë serbë nuk mund ta kuptojnë pse ndodh kështu sot, kaq gjatë pas rënies së Millosheviçit, pasi qeveritë njëra pas tjetrës kanë bërë shumë, për ta lëvizur Serbinë në drejtimin e duhur. Problemi themelor është se marrëdhëniet mes dy vendeve, pas Millosheviçit u bazuan në themel prej rëre. SHBA gabuan kur arsyetuan, se pas rënies së Millosheviçit, edhe populli serb e hodhi plotësisht poshtë politikën e tij. U supozua se shumica e popullit serb kishte pranuar edhe këndvështrimin amerikan të historisë së Ballkanit. Në sytë e gati gjithë strukturës së politikës së jashtme të SHBA-ve (në qeveri, kongres e sektorin privat), është bindja se shqiptarët janë trajtuar me dekada, si qytetarë të dorës së dytë, e të përndjekur nga regjimi i Millosheviçit. Ata mendojnë se ngritja e UÇK-së ishte pasojë e pashmangshme e shkeljes së të drejtave të njeriut, edhe pas protestave paqësore të kryesuara nga I. Rugova. Ata mendojnë se përgjigjja e ushtrisë e policisë serbe ndaj aksioneve të UÇK-së ka qenë e tepruar dhe e pabazuar. Pamjet e CNN-it, që tregonin qindra mijëra shqiptarë të Kosovës në arrati, që iknin me shpejtësi dhe që ngritën kampe në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, kanë qenë kulmi që plotësoi mendimin amerikan, se pavarësia e Kosovës është e vetmja përgjigje. Serbët e mendojnë Kosovën si djep të civilizimit të vet, që u është vjedhur në kombinim me keqpërdorimin e fuqisë ndërkombëtare dhe me dinakërinë e shqiptarëve të Kosovës. Ata i shohin të shpërngulurit serbë të Kosovës në mjediset e veta dhe i përjetojnë ata dhe popullin serb në përgjithësi, si viktimat e vërteta. Serbët përmendin një numër shkeljesh të të drejtave të njeriut, përfshirë vrasje, rrënim kishash, pastrim etnik e rrëmbim serbësh nga shqiptarët e Kosovës, pas fushatës së bombardimeve të NATO-s dhe pyesin, se pse u lejuan këto dhe pse deri tani nuk është bërë asgjë, që autorët të dalin para drejtësisë. Ata i përcaktojnë shqiptarët e Kosovës si kriminelë, terroristë të vërtetë, ose mbështetës të terrorizmit e tradhtarë mosmirënjohës. E njëjta strukturë e politikës së jashtme amerikane mendon se Sllobodan Millosheviçi dhe serbët ekstremistë, që ai i nxiti e mbështeti, janë faktori kryesor ideues që çoi në rënien e dhunshme të Jugosllavisë. Kjo strukturë mbështet fort Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe dëshiron që të akuzuarit për krime lufte, sidomos Mlladiç e Karaxhiç të dorëzohen në Hagë. Ajo nuk ka simpati për përpjekjet e serbëve etnikë në Bosnjë e Kroaci, që bëjnë themelimin e etnitete të pavarura, sepse besojnë se këta kanë qenë fillimi i pastrimit etnik, gjatë këtyre luftërave. Konsiderohet e paimagjinueshme, që elementë si Arkani, në Serbi trajtohen si heronj kombëtarë. Populli serb kujton Abraham Linkolnin, si njërin prej presidentëve më të mëdhenj tanët(amerikanë), që një pjesë të madhe të famës e ka marrë sepse ka zhvilluar luftë të përgjakshme, për t‘i mbajtur SHBA-të bashkuara, kundër dëshirës së shumë shteteve të vendosura për t‘u shkëputur. Serbët mendojnë se kanë qenë viktimat e rënies së Jugosllavisë dhe se kanë qenë të provokuar nga grupet e tjera etnike, që donin të ndanin rajonet e veta. Sipas mendimit të tyre, krimet kundër serbëve janë injoruar vazhdimisht. Gjykata e Hagës shihet si e politizuar, me shumë të meta, që ka vazhdimisht paragjykime kundër serbëve. Zoran Gjingjiç dhe liderë të tjerë demokratë, kanë qenë mjaft të qartë për këtë hendek mes këtyre dy këndvështrimeve. Kanë dashur të jenë të përcaktuar për të ardhmen e Serbisë. Por problemi është, se e kaluara në Ballkan vazhdon të përzihet në të tashmen dhe të ardhmen. Kryeministri Gjingjiç u përball me kryengritjen e beretave të kuqe dhe në fund u vra, një pjesë të madhe për shkak se u përpoq të përmbushë kërkesat e perëndimorëve dhe të dorëzojë të akuzuarit serbë për krime lufte në Hagë. Kjo çështje, plus Kosova i forcuan dukshëm dhe i nxitën ekstremistët e forcat nacionaliste në Serbi. Gjithsesi, era e vullnetit të mirë, që erdhi pas rënies së Millosheviçit, besohet se u dënua me dështim. Është e vështirë të shihet, se kur do të përfundojë kjo spirale dhune. Situata do të bëhet dukshëm më keq, para se sa të fillojë të përmirësohet. Shumë thonë se atmosfera antiamerikane në Serbi, është sot më e keqe sesa në kohën e fushatës së bombardimeve për Kosovën. Serbët në atë kohë, të paktën pjesërisht fajësonin Millosheviçin. Është brengosëse, se ka me të vërtet shumë serbë, besohet se janë shumica, që me një ndjesi të përzier të brengosjes e pengimit, vështrojnë se si përsëri shfaqet hija e tij. Por të paktën në këtë moment, askush nuk flet në emër të vet. Personalitetet e matura, ose kanë rënë në heshtje, ose janë pa efikasitet. Janë në rritje forcat nacionaliste, të gatshme dhe duket edhe të padurueshme që ta zëvendësojnë rrugën evropiane të Serbisë me izolim krenar dhe ta dënojnë popullin serb me status të dorës së dytë në Evropë. Perëndimi nuk është i gëzuar për këtë zhvillim, por ajo që duhet të ndërmarrë ai... është pjesa e ndershme e përgjegjësisë për këtë që po ndodh..