Serbia paguan delirin e Milosheviçit
Në romanin e tmerrshëm "Dervishi dhe vdekja", një nga librat që është rrekur të kqyrë deri në fund perversitetin e shpirtit njerëzor, jo vetëm në Ballkan, Mesha Selimoviç, pyet nëse do të marrin fund ndonjëherë ndëshkimet dhe dhimbjet. "Atë ditë do ta pyesim Ferrin: u ngope? Dhe Ferri do të përgjigjet: a ka më"? Atë ditë, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ndoshta i erdhi radha Serbisë.
Mbaroi shpërbërja e Jugosllavisë? A ndaloi dështimi i një kombi të dehur me nacionalizëm? Apo, siç edhe Ferri e pyet Selimoviçin, a ka më? Nëse Serbia nuk zgjohet nga gjumi i viktimizimit dhe i mllefit, që është shfaqur si një makth vdekjeje, përgjigjja do të jetë përsëri e dhimbshme. E kanë kuptuar serbët vallë, pse tokës së tyre iu largua edhe pjesa e fundit?
Deliri i Serbisë vazhdon që prej 20 vjetësh, që nga ajo ditë gri e prillit të vitit 1987, në të cilën Sllobodan Milosheviçi, Mefistofeli i Jugosllavisë, në vend që të qetësonte serbët e Kosovës, të cilët hidhnin gurë dhe akuzonin mazhorancën e shqiptarëve etnikë se kërkonin t'i eliminonin, i mori në mbrojtje: "Ju duhet të qëndroni këtu. Kjo është toka juaj. Këto janë shtëpitë tuaja. Lëndinat dhe kopshtet tuaja. Kujtimet tuaja".
Policët, të turbulluar i ulën shkopinjtë e gomës. Mujsharët dhe të mashtruarit filluan të thërrisnin në rrokje emrin e carit të ri: ''Sllo-bo, Sllo-bo''; baruti i nacionalizmit ishte ndezur. Dhe në ditën e Shën Vitos, në 1989-ën, në të cilën një milion serbë u gjendën në Fushë-Kosovë për të përkujtuar humbjen kundër turqve në vitin 1389, Milosheviçi shpalli: "Gjashtë shekuj më pas jemi ende në betejë". Jo vetëm beteja, por tre apo katër luftra që erdhën më pas në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe më në fund në Kosovë, u humbën nga Serbia, e cila provoi edhe fushatën ajrore të NATO-s, në vitin 1999, kundër Beogradit.
Mbaroi apo "a ka më"?
Njëzet vjet janë pothuajse një brez. Me tragjedinë e Jugosllavisë u plakëm: për këdo që ka ndjekur zbritjen në ferr, ka qenë një traumë e pashërueshme. Nëse kishte ndonjë vend, që në rënien e komunizmit dukej i gatshëm për të përqafuar jetën "ala" perëndimore, kjo ishte Jugosllavia e të rinjve që ishin gati për në Europë, e të rinjve që flisnin anglisht, e të rinjve që lexonin librat dhe shihnin filmat tanë. Por, në vend të kësaj, djalli përhumbej në Serbinë rurale, në malet e egra të Dalmacisë dhe në barërat e Danubit. Kombi shkonte drejt shkatërrimit, si në një takim që nuk mund ta linte pa e bërë.
Një mbrëmje, në restorantin pranë një kodre në Dedinjë, dy mikesha, një serbe dhe tjetra kroate, këndonin këngë të vjetra partizane, nën shoqërinë e një kitare. Pak ditë më pas, më 25 qershor 1991, me shpalljen e pavarësisë së Sllovenisë, kjo botë nostalgjike vdiq përgjithmonë: ende sot, dy mikeshat e atëhershme nuk janë takuar më.
Natyrisht, Milosheviçi ka fajin më të rëndë. Te ky njeri kishte diçka të dhunshme që të kallte krupën, një sjellje arrogante, njeri që përqeshte këdo që kishte përballë dhe kishte një shpirt acid: gjatë netëve të negociatave të papërfunduara në pallatin e ngrirë federal të Beogradit, kur treshja e ministrave europianë kërkonte ndalimin e shpërbërjes së pashmangshme, Milosheviçi dilte i fundit nga zyrat e tyre dhe kundërmonte shlilovicë (raki kumbulle - shën. përkth.): ndoshta për të çuar drejt masakrës një komb, duheshin avujt e alkoolit.
Por, ai nuk ishte vetëm. Ishin militarët, priftërinjtë, shkrimtarët si Dobrica Çosiç, frymëzues i manifestit revanshist të Akademisë së Shkencave dhe Artit, apo Milorad Paviç, i cili me ndjenjën e viktimizimit që i përcaktonte serbët si ''hebrenjtë e Ballkanit'', kërkonte të ushqente shovinizmin.
Ndërkohë, nga ana tjetër ishin kroatët si Franjo Tugjman që i përgjigjeshin po ashtu me nacionalizëm. Por, ishte Milosheviçi, i cili vdiq përpara se Gjykata e Hagës ta dënonte, i cili u la serbëve një trashëgimi më të helmët: ndjenjën për të patur menjëherë një largim, që nuk e kishin kryer.
Milosheviçi donte të krijonte nga Jugosllavia një Serbi të Madhe. Çoi Slavoninë drejt asgjësimit, njësoj si në Vukovar, por e humbi. U hakmor mbi Krajinën e Kroacisë, por e humbi dhe provokoi eksodin e mijëra serbëve nga malet e Kninit, mbi Zarë.
Bombardoi Dubrovnikun dhe e humbi. Kërkoi gjenocidin e muslimanëve të Bosnjes, rrethoi Sarajevën dhe krijoi mostra si Radovan Karaxhiçi dhe Ratko Mlladiç, njeriu që eliminoi shtatë mijë shpirtëra njerëzish në Srebrenicë për asgjë. Pastaj, kërkoi të dëbonte shqiptarët etnikë të Kosovës dhe e solli luftën në shtëpi. Ashtu si Mali i Zi, iku edhe Kosova.
"Serbia e Madhe", e katandisur në një "Beograd të Madh" është ende e ç'orientuar përderisa votoi 49 përqind për partinë e fashistit Vojisllav Sheshelj, i cili ndodhet në burg në Hagë.
"A ka më"?, pyet Ferri Mesha Selimoviçin. Nuk do të ketë më, kur kutërbimi i Mefistofelit të marrë fund.
* Mehmedija (Mesha) Selimoviç (1910-1982) është një nga shkrimtarët më të mëdhenj boshnjakë të shekullit XX. Njihet sidomos për romanin "Dervishi dhe Vdekja".



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj