Faqja e Pare | Editorial | Shume energji vetem per nje takim

Shume energji vetem per nje takim

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

Pavarësisht emërtimit, “krizë”, “ngërç” apo “problem”, Shqipëria është duke përjetuar sot një situatë vërtet të rëndë politike dhe institucionale. Pavarësisht arsyes, realiteti është se Parlamenti, si kurrë ndonjëherë, frekuentohet nga pak më shumë se gjysma e deputetëve. Ndërkohë që opozita, prej shtatë muajsh, ka zëvendësuar sindikatat dhe të bërit politikë e ka transformuar në lëvizje popullore, rrugëve dhe shesheve të Shqipërisë. Më shumë se një anomali gjigante politike, kjo situatë po prodhon pasoja jo pak të rënda për jetën e brendshme dhe përpjekjet integruese të vendit. Shumë ligje nuk miratohen dhe shumë të tjerë miratohen aforfe, pa asnjë debat dhe për pasojë, pa asnjë mundësi korrigjimi. Pavarësisht arsyes, gati gjysma e popullit nuk përfaqësohet në Kuvend.
Pa qenë fare nevoja të përkufizohej si krizë, nga një minorancë “qesharake” e Parlamentit Europian, kjo situatë meriton tërë vëmendjen e politikanëve, për t’i dhënë asaj një zgjidhje në të mirë të vendit dhe jo të familjeve politike. Por ka kohë që, më shumë se gjetja e një zgjidhjeje për këtë çështje, vëmendjen e ka marrë një tjetër “krizë” e madhe, e cila ka shoqëruar vazhdimisht politikën shqiptare, kriza e takimit të kryetarëve. Sot, lajmi më i madh nuk është kriza dhe zgjidhja e saj, por vetë Berisha dhe Rama, pra takimi i tyre.

Tashmë të gjithë qëndrojmë gojëhapur. Kur do ta thërrasë Presidenti tryezën, a do të shkojë vallë Berisha apo do të dërgojë atje një mëkëmbës tjetër? Çfarë do të ndodhë nëse Berisha shkon dhe ai takohet ballë për ballë me Edi Ramën? A do t’ia japin dorën njëri-tjetrit, kush do ta shikojë me më shumë inat sho-shoqin? Po të nesërmen e takimit, çfarë do të ndodhë? A do të bien çmimet në tregun e ushqimeve, a do të ketë më pak të papunë te Partizani i Panjohur në Tiranë dhe tek të gjithë partizanët nëpër rrethe? Ja pse mbi gjithë Shqipërinë endet një tymnajë misteresh dhe një gri që na pengon të shikojmë kaltërsinë e qiellit dhe shkëlqimin e diellit. Dy “perënditë” tona pritet të tokin duart dhe pas kësaj na pret o begatia, o kiameti.

Gjithsesi, kjo nuk është përvoja jonë e parë. Kalendari politik i Shqipërisë shënon edhe të tjera data “historike” kur dy politikanë shqiptarë kanë bërë “gjestin e madh”, duke i dhënë dorën njëri-tjetrit. Në vitin 2002 dhe 2007 populli mbajti sërish frymën pezull kur Sali Berisha u takua me Fatos Nanon. Dhjetëra kamera në sallë, transmetime “live”, spikerë e komentatorë mbushën studiot e TV-ve dhe gazetat nxinë faqet pafund për të dokumentuar një takim që në fakt duhej të ishte një gjë më se e zakonshme. Vetëm takime vërtet historike, si ato mes liderëve që vendosin fatin e luftërave dhe të ardhmen e botës, apo ta zëmë një takim mes Barak Obamës dhe Osama Bin Ladenit, të cilët do t’i jepnin fund terrorizmit dhe do të vendosnin paqen e madhe mes dy qytetërimeve, meritojnë kaq vëmendje mediatike dhe publike.

Politikanët shqiptarë, përfaqësues të kampeve kundërshtare, mund dhe duhet të takohen kurdoherë dhe për çdo gjë. Ata mund dhe duhet të takohen, mund të bisedojnë e mund të mos pajtohen sërish me qëndrimet e njëri-tjetrit. Por mungesa e tolerancës dhe frymës së bashkëpunimit, cinizmi ballkanas, megalomania dhe mania prej bajraktari, për të qenë me çdo kusht i pari i fshatit, ka hiperbolizuar sistematikisht një gjest normal politik në Shqipëri, siç është takimi i kryetarëve të partive kundërshtare. Në mënyrë të vazhdueshme, liderët shqiptarë e kanë mitizuar konfliktin dhe armiqësinë politike, duke e shndërruar edhe në personale, në atë shkallë sa të përbëjë një lajm me përmasa kombëtare vetëm një takim mes tyre dhe jo çështja për të cilën ata do të diskutojnë. Dhe janë ata vetë që e kanë elektrizuar shoqërinë, që kanë karikuar median dhe opinionin publik me konferenca shtypi, intervista dhe deklarata, sulme dhe akuza, sa të gjithë të mendojnë se në tryezën ku do të ulen ata, ndodhet edhe çelësi i parajsës së një populli që mban sytë nga ekrani.
Të merresh me politikë do të thotë të ulesh në një tryezë diskutimi, të negociosh, të debatosh, të propozosh dhe të arrish marrëveshje, të dështosh, të pranosh dështimin dhe sërish të bisedosh. Kjo është të bësh politikë dhe ata që merren me politikë e kanë për detyrë ta bëjnë këtë, sepse kjo është puna që kanë zgjedhur të bëjnë dhe që ne ua kemi besuar. Berisha dhe Rama do të takohen së shpejti. Por, për fat të keq, takimi dhe bisedimet nuk erdhën si pasojë e pjekurisë së politikës sonë, por si pasojë e ndërkombëtarizimit të çështjes, angazhimit të drejtpërdrejtë të dërgatës diplomatike të Europës dhe Amerikës në Tiranë dhe presionit sistematik të Brukselit. Kështu, edhe pse jemi në vitin 2010, edhe pse jemi një vend anëtar i NATO-s, politika shqiptare shfaqi sërish nevojën e madhe për një tutor të huaj. Duhej sërish një arbitër i huaj që palët të pranonin një arbitër shqiptar.

Komente (1 vendosur):

UROSH ne 06 February, 2010 11:51:41
avatar
Ambasadori spanjoll: Shqipëria po rrezikon integrimin.
JO JO Shqipetarte-Shqiperija spo rrezikon integrimin-Sala eshte ai me vete dije qe po rrezikon integrimin pere nje karrig

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0