24 ore lajme: Kosova e Pavarur dhe politika Kosova e Pavarur dhe politika ================================================================================ Xhavit Haliti on 20 February, 2008 09:42:00 Ngjarja më e madhe kombëtare, historike dhe politike u finalizua. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u shpall nga Kuvendi, u firmos nga 109-të deputetët e pranishëm në të, u festua me dinjitet dhe me vetëpërmbajtje nga shqiptarët etnikë në Kosovë, nga gjithë bashkëkombësit tanë në trojet e tyre në Ballkan dhe në diasporë. Më 16-17 shkurt, në prologun dhe Shpalljen e Pavarësisë, festuesit në mbarë Kosovën e "ngrohën" natën e ftohtë, duke festuar nëpër rrugë. Ne të zgjedhurit e popullit të Kosovës, nga zgjedhjet e katër muajve më parë, të dominuar nga besimi (vota) e popullit, mbanim përgjegjësinë për "Deklaratën e Pavarësisë", të pranueshme dhe të pëlqyeshme për gjithë shqiptarët etnikë të Kosovës, për gjithë minoritetet në të dhe për gjithë bashkësinë shtetërore e politike ndërkombëtare, që aktualisht shfaqej në shumicë absolute pro Pavarësisë sonë. Momenti i Pavarësisë së Kosovës u bashkërendua dhe u kushtëzua nga premtimet e aleatëve tanë për njohjen e saj, që janë një shumicë potente dhe kam bindjen që nga ora në orë do të shtohen shtetet që do ta njohin pavarësinë, ashtu sikundër SHBA -ja Shqipëria,Franca,Britania Avganistani,Turqia etj. Ky proces tashmë nuk vret më nga ne. Ne e bëmë tonën, e shpallem dhe e firmosëm Aktin Historik për Pavarësinë në Kuvendin e zgjedhur demokratikisht.Presim me orë dhe me ditë njohjen zyrtare të Shtetit të Kosovës nga shumica e vendeve. Falenderojmë për këtë në radhë të parë aleatët tanë të mëdhenj, SHBA e BE,NATO-n që realizuan me ndërhyrjen ushtarake pavarësinë faktike të Kosovës nga Serbia dhe që e inspiruan dhe e nxitën popullin e Kosovës për të shpallur institucionalisht Pavarësinë. Cili është guri i themelit për Pavarësinë e Kosovës, që edhe në këto ditë historike po diskutohet, është një problem që duhet të mbetet objekt studimi i historianëve, kurse politika duhet të ketë vetëm një objektiv: njohjen ndërkombëtare të Shtetit të Pavarur të Kosovës dhe mishërimin e konsoldimin politik, ekonomik, social, arsimore kulturor të shtetit më të ri në botë. Kjo është thelbësore dhe kombëtare! Politika është parcializim i kombit. Duhet dhe vërtet mund të funksionojë pas konsolidimit institucional, moral, psikologjik, social, ekonomik, kulturor-arsimor dhe ndëretnik. Pas konsolidimit të këtyre elementeve të domosdoshëm për një shtet demokratik, të cilin e shpallëm dhe e firmosëm të gjithë të pranishmit në Kuvend, politika, partitë tona mund të jenë efikase dhe progresive për ecurinë e gjthanshme dhe drejtuese të Shtetit të Pavarur të Kosovës. Politikës kosovare i takon e drejta përgjegjësia dhe detyrimi të bëjnë shtetin e pavarur e Sovran të Kosovës; historinë le t'ua lënë ta bëjnë historianët.