Nje pavaresi pa heronj
Mes gëzimit dhe haresë që solli në trojet shqiptare pavarësia e Kosovës, një detaj i vockël, por jo i parëndësishëm, u harrua. Fakti se kjo qe një pavarësi pa heronj, ose me heronj të relativizuar. Pavarësia qe një projekt që u nis nga intelektualët e Kosovës, tashmë dekada të shkuara, intelektualë që sot ose nuk janë më mes nesh, ose janë braktisur dhe injoruar nga politika e ditës, dhe përfundoi me një kastë pothuajse tërësisht të re politikanësh. Nisi me Rugovën, mbaroi me Thaçin. Ndoshta është puna më e mirë që bënë ndërkombëtarët, pra fakti se tashmë askush në Kosovë nuk mund të rivendikojë trashëgiminë e pavarësisë, politikisht apo privatisht, si tërësisht të vetën. Kosova do të jetë një shtet pa baba shpirtëror dhe kombëtar. Dhe ky është një gur i rëndësishëm në ndërtimin e një vendi demokratik. Protagonistët e pavarësisë qenë përfaqësues të të dyja kampeve, politikanë të UÇK-së e ata të LDK-së.
Në Prishtinën e tre ditëve të shkuara, kishte edhe disa detaje që kaluan pa u vënë re: garën mes aktorëve politikë, për të marrë sa më shumë të qe e mundur nga meritat e pavarësimit. Rugova përshëndeste në sheshin para Grantit ndërsa dy partitë që luftojnë për trashëgiminë e tij e shpallën atë si hero të vetëm të pavarësisë. Mbështetësit e tij vijuan të valëvisin një flamur të vetin, atë të prezantuar nga Rugova si flamuri i ardhshëm i Kosovës, atë me një shenjë heraldike me dy rrota masonike, një shqiponjë të zezë dhe një fushë blu. Trashëgimtarët e UÇK-së vepruan më bukur. Ata shpërndanë mijëra postera me portretin hije të Adem Jasharit, me nënshkrimin "Bac, u kry!", duke e shpallur pavarësinë si një borxh që kosovarët e sotëm ia kishin shpirtrave të atyre që u vranë për të, këtu e 12 vite të shkuara. Në reklama tabelore lexohej edhe mesazhi në anglisht, "Ramush, we need you now!".
Në Tiranë, beteja për meritat e pavarësisë qe më gajasëse. Disa prej politikanëve vepruan me dinjitet. Thanë se po e festojnë pavarësinë dhe ndjehen të lumtur për këtë ditë. Disa të tjerë nuk u mjaftuan me kaq, por u përpoqën të shtonin se sa shumë qenë munduar edhe ata për pavarësinë. Këto gara gjithsesi nuk e krijuan dot mitin e Babait të Kombit.
Nga katër ngjarjet më të rëndësishme kombëtare të shqiptarëve, pavarësia e Shqipërisë, çlirimi në Luftën e Dytë Botërore, demokracia dhe pavarësia e Kosovës, vetëm kjo e fundit nuk ka një hero të vetëm, një arkitekt të madh, një "profet të rremë të kombit".
Tre ngjarjet paraardhëse, pra ata që kishin një hero, u kthyen në eksperienca përgjithësisht të hidhura. Ismail Qemali "vdiq në kohë". Ai qe shpallësi i Pavarësisë por jo politikani i vetëm i vendit dhe qe mjaftueshmërisht fisnik, sa dha dorëheqjen nga pushteti në çastin e parë kur kjo gjë doli e nevojshme, herët, më 1914. Vetëm fakti që aristokracia qe faktori që na shpuri drejt pavarësisë, shërbeu si faktor deri-diku bllokues për zhvillimin e vendit për tre dekada të tjera. Rivendikimi i rolit të shpëtimtarit dhe çliruesit të vendit pas Luftës së Dytë Botërore nga Enver Hoxha na solli një diktaturë të egër 50-vjeçare. Rivendikimi i rolit të heroit të demokracisë në Shqipëri nga z.Berisha, si dhe i rolit të çliruesit të vendit në Kosovë nga z.Rugova, na pengoi të kuptonim atë që njerëzimi e kishte kuptuar që nga koha e Romës së lashtë, se pushteti politik duhet të ndahet dhe duhet të rinovohet me zgjedhje herë pas here.
Natyrisht, çdo popull ka nevojë për mite dhe shumica dërrmuese e popujve i kanë ato. Nuk është njëqind për qind pozitive që Kosova nuk do të ketë një mit, një legjendë të vetën për t'ia treguar fëmijëve. Por shembujt e kombeve të krijuara pa mite, duket se janë më pozitive sesa ato të kombeve të krijuara me mite. Sllovenia p.sh., vendi më i zhvilluar në rajonin tonë, nuk ka një hero të pavarësisë së vet. Kroacia, ka për hero dhe anti-hero njëkohësisht Franjo Tujxhmanin, njeriun që krijoi shtetin modern kroat dhe që la si trashëgimi një sistem diktatorial të bazuar te nepotizmi, korrupsioni dhe shkëmbimi i interesave. Miti kombëtar krijon shpesh diktatura që zgjasin me dekada dhe i shkaktojnë vuajtje popujve, veçanërisht për liritë qytetare. Krijojnë kasta ekonomike apo administrative që mbajnë peng konkurrencën.
Tashmë Kosova është e pavarur. Si në të gjitha shtetet, meritat për formimin dhe zhvillimin e tyre i takon një numri të madh njerëzish. Do të duhen historianë të fortë për të caktuar se kujt i takonte më shumë e kujt më pak nga meritat e heroit. Ndryshe nga Shqipëria, Kosova fitoi falë ndërkombëtarëve, së bashku me pavarësinë edhe demokracinë, si dhe ndihmën për një shtet funksional në shërbim të qytetarëve të vet. Dhe, mbi të gjitha, askush nuk mund të pretendojë pronësinë apo monopolin politik të shtetit me justifikimin e themeluesit.
Marre nga gazeta Shekulli



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj