Meta Mat
Meta mat
Nga Andi Bushati
Vendimi “blitz” i Ilir Metës për t’u futur në koalicion me Sali Berishën, nuk është as faj, as tradhti, as paburrëri. Është thjesht lëvizja e detyrueshme e një politikani të zënë peng. Sepse në fakt, duhet thënë që në krye, nuk është mëkat që LSI, e cila doli vetëm në zgjedhje, të bashkonte votat me kë i voliste më shumë. Nuk është mëkat as që këtë ta bënte me PD dhe aleancën e saj, që u votua gjerësisht nga shqiptarët. Një hipotezë e tillë kishte kohë që qarkullonte dhe realizimi i saj nuk përbën asnjë çudi.
Çudia qëndron diku tjetër. Ajo qëndron në faktin se Ilir Meta tha “po”, pa vënë asnjë kusht. Pa mbrojtur asnjë princip. Pa diskutuar thuajse me askënd.
Në gjithë kohën e shkurtër që ndau rezultatin e 29 qershorit me ditën e shpalljes së koalicionit të ri qeverisës, shumë nga ata që e kishin mbështetur publikisht, që kishin firmosur për të peticione, që i kishin dhënë të drejtë kauzës së tij që e çoi deri në grevë urie, kishin shprehur një sërë opsionesh se si mund të sillej LSI.
Pothuajse të gjithë këta faktorë nuk e shihnin si tabu kalimin drejt koalicionit të djathtë. Por të gjithë kishin sugjeruar më shumë krenari, dinjitet, e në mos këto thesare të humbura të politikës shqiptare, së paku përmbajtje të parimeve të mbrojtura me aq zjarr, kohëve të fundit.
Dikush kërkoi që e njëjta simetri që ishte përdorur për Ramën, të zbatohej edhe për Berishën. Pra, që Meta të jepte votat për një qeveri të djathtë, por pa Berishën si kryeministër, pasi as atij dhe as Ramës votuesit shqiptarë nuk i kishin dhënë dorë të lirë për të bërë qeveri personale.
Dikush tjetër propozoi që Meta t’i përmbahej asaj që ai e kishte shndërruar në kalin e betejës; ndërrimit të sistemit elektoral, e ta vinte atë si një kusht për vazhdimin e qeverisjes me koalicionin e djathtë.
Dikush tjetër pat propozuar vetëm pak më shumë durim, pra mos-shpalljen e koalicionit të ri, përpara se të mbylleshin të gjitha mandatet e diskutueshme të deputetëve, pasi dihet që në Shqipëri, edhe KQZ, edhe gjykatësit që i shqyrtojnë ato mandate, janë të prirur të tregohen më dorëlëshuar me fitimtarët e shpallur.
Të tjerë pretendonin se më parë Meta duhet të bënte kauzë të përbashkët për moslejimin e grabitjes së mandatit të 9 të PS në Fier edhe për arsye parimore, por mbi të gjitha për arsye praktike, pasi një gjë e tillë (pra, nëse koalicioni i djathtë e merrte edhe këtë mandat), do t’i bënte shumë më pak të vlefshme votat e LSI.
E në fund shumëkush mendonte se Ilir Meta duhet ta shtynte pak më tutje në kohë “tradhtinë”, pasi ky akt do të tërhiqte prozhektorët drejt tij dhe do të ulte presionin publik brenda së majtës dhe zërat që po shtoheshin për dorëheqjen e Ramës.
Por Ilir Meta nuk bëri asgjë nga këto.
Ai nuk i vuri kushte Berishës. Ai i harroi kauzat e veta. Ai nuk e negocioi vlerën e tij në qeverinë e ardhshme. Ai nuk u përpoq as të fitojë kohë. Dhe as ta përdorë atë për pasionin që ka në zemër: shkatërrimin e Edi Ramës.
Dhe ka një arsye reale se pse nuk i bëri të gjitha këto. Ajo s’ka aspak lidhje me dokrrat e stabilitetit, integrimit të vendit, vizave, ndalimit të kaosit etj., të cilat janë slogane që i përsërisin si papagaj ata që s’kanë asnjë argument.
Arsyeja se pse Ilir Meta vendosi t`ia çojë LSI dhe kokën e tij në tepsi Berishës është vetëm një: Ilir Meta është i dobët. Ai sot është një gjeneral pa ushtarë dhe i kapur mat. Pa asnjë mundësi tjetër lëvizjeje.
Sepse ai u përball me një përgjysmim të rezultatit të tij elektoral si pasojë e luftës të egër, të paprinciptë dhe vrastare që i bëri personalisht Edi Rama.
Sepse ai arriti të mbijetonte vetëm me 4 deputetë duke rrezikuar deri në fund edhe mandatin e tij në Tiranë.
Dy nga katër deputetët e tij, për mënyrën si janë zgjedhur dhe shumat që kanë harxhuar, sot sipas të gjitha gjasave nuk i binden më.
Ndaj vetëm me veten e tij dhe Nasip Naçin në parlament Ilir Meta nuk mund t’i përballonte as financiarisht, as psikologjikisht dhe as karakterialisht katër vite plus në opozitë.
Pikërisht për këtë ai shkoi, pa teka, pa zhurmë dhe kokulur te Berisha.
Me drojën se, po mos e hidhte këtë hap tani, ai përfundonte së qeni një faktor në skenën e re politike shqiptare.
Me frikën se spiralja e tkurrjes të tij do të vazhdonte me të njëjtin ritëm. Dhe nga ky këndvështrim, në mos për tjetër, së paku taktikisht, lëvizja e kreut të LSI duket e përligjur. Ajo që mbetet të shihet është nëse kjo lëvizje i ka shërbyer për t’i zgjatur edhe katër vite agoninë apo si trampolinë për një kërcim të ri.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (1 vendosur):
Vendosni komentin tuaj