Faqja e Pare | Editorial | Fushata me poezi, qeverisja me prozë

Fushata me poezi, qeverisja me prozë

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

"Shqipëria po ndryshon"

"Politikë e re për ndryshim"

Çka është e përbashkëta e dy parullave të dy partive të mëdha të Shqipërisë, të përgatitura për zgjedhjet parlamentare të fundit të muajit?

Se rrjedhin nga dueli Clinton-Bush më 1992, apo për të qenë më të saktë, nga "industria e konsulencës politike", e cila u ndërtua që nga ato zgjedhje dhe që do ta çojnë, këshilltarin e atëhershëm të Clintonit, Stanley Greenberg, jo vetëm në fitore, por edhe në kontrata të reja konsulence në zgjedhje për të cilat as që kishte imagjinuar kontraktimin. Në librin e tij të porsadalë "Mesazhe nga dhoma e luftës" (St, Thomas Books, New York,2009), Greenberg do të rrëfejë për aventurat e tij zgjedhore me presidentin Clinton, kryeministrin britanik Blair, presidentin jugafrikan Mandela, kryeministrin izraelit Ehud Barak dhe presidentin bolivian Gonzalo Sanchez de Lozada.

Dhe me që të gjithë, ashtu siç duhet të kenë bërë konsulentët me së paku dy partitë e mëdha të Shqipërisë, shërbimet e konsulentit do të fillojnë me seancën e parë, me pyetjen për liderin/lidershipin e partisë:

- Çka është vizioni juaj për vendin?:

- Çka doni të mbërrini me qeverisjen tuaj?

- Cilat janë politikat që keni në mendjen tuaj?

Nga kjo seancë e parë, e përcjellur me shumë seanca të tjera, punë me grupe fokusi (njerëz të zgjedhur nga rruga te të cilët testohen "mesazhet" e ndryshme politike) dhe sondazhet e opinionit publik, ndërtohet një proces, analog me distilimin e rrushit, që në fund duhet të qesë në dritë prodhimin që do të mbërrijë zemrën e mendjen; në rastin e rrushit rakia, në rastin e politikës mesazhi bazik elektoral, motoja zgjedhore. 


2.

E tëra për Greenbergun filloi kur guvernatori i atëhershëm i Arkansasit, Bill Clinton, vendosi të kandidohej për president, dhe për këtë gjë u përkrah nga Partia Demokratike. Greenberg dhe bashkëpunëtorët e tij u angazhuan që, nëpërmjet sondazheve, të formulojnë axhendën politike, dhe këtë axhendë pastaj ta përkthejnë në mesazhe të drejtpërdrejta zgjedhore. Ekipi zbuloi se hapësira për të cilën do luftuar është: mobilizimi i votës së zezakëve brenda Partisë Demokratike duke e reformuar atë, angazhimi për zvogëlim taksash për klasën e mesme apo, formuluar në një tërësi filozofike, definimin e "unitetit kombëtar", pra barazie shansesh ekonomike, përballë favorizimit të të pasurve që e bënin kundërshtarët republikanë. Nga ky definim, doli një fushatë e cila do të njihej me "It‘s the economy, stupid!" (përkthyer në një shqipe të përdorshme zgjedhore "Fol për ekonomi, marroç!" që në fund do t‘i fitojë zgjedhjet.

Zgjedhjet janë, thotë Greenbergu, "definim i betejës", dhe demokratët e fituan betejën duke i definuar konditat e veta të saj. Ndërsa republikani Bush donte që kjo të jetë një garë mes një presidenti (me përvojë që sapo kishte fituar luftën kundër Irakut dhe menaxhuar vdekjen paqësore të komunizmit) kundër "një guvernatori të dështuar të një shteti të vogël", Clintoni e vuri betejën në moton e tij "Ndryshime apo më shumë nga e njëjta". Për një vend që kishte shënuar rritje papunësie, kushtet e betejës ekonomike mbisunduan mbi atë politike, duke shënuar një fitore bindëse të Clintonit, njeriut që do të vazhdojë tërë qeverisjen e tij duke bërë sondazhe para ndërmarrjes së vendimeve politike. 


3.

Fama e menjëhershme e Greenbergut do të çojë te një fenomen "Clintonizimi" të procesit zgjedhor. Tre liderë me nam botëror do ta angazhojnë, për të formatizuar jo vetëm platformën zgjedhore por edhe, pjesërisht, vendimet qeverisëse. Greenbergu do t‘i ndihmojë Tony Blairit që të gjejë një mesazh të njëjtë me atë të Clintonit: reformimin e Partisë Laburiste në atë të Laburistëve të Rinj, angazhimin për votën e klasës së mesme dhe formulimin e "unitetit kombëtar" karshi konservatorëve që përkrahin vetëm një shtresë të shoqërisë.

Liderin legjendar Mandela do ta detyrojë që të dëgjojë "grupe fokusi" në mënyrë që të kuptojë dhimbjen e qytetarit të rëndomtë, pas rënies së aparteidit, dhe që të formulojë një politikë të re "uniteti kombëtar" që ka karakter të fortë social.

Ushtarin më të dekoruar izraelit Barak do ta ndihmojë që të zgjidhet kryeministër, duke paraqitur një platformë radikale ndryshimesh, që kishte parasysh arritjen e paqes me të gjithë arabët e konfrontuar dhe, pastaj, përqendrim në reforma radikale ekonomike.

Në tërë këtë proces, konsulenti është një ndërmjetës i cili sjell me vete mjetet e punës, sondazhin dhe formulimin e mesazheve zgjedhore, së bashku me përvojën e momentit kur duhet futur mesazhet. Dhe, Greenberg, në librin e tij shpjegon, thelbësisht, se si formulohen në politika, në bazë të bindjeve të politikanëve dhe të presionit të sondazheve, ato që pastaj shpjegohen si "ndryshime".

Me "ndryshime" fituan që të gjithë klientët e Greenbergut. 


4.

Pos fjalës "ndryshime" gjeja shqiptarë aty-këtu në faqe të tjera të librit të Greenbergut.

Për shembull në Bolivi. Klienti i tij, Sanchez de Lozada që pastaj do t‘i rifitonte zgjedhjet, në një moment ndërpreu kursin e diktuar (që të fliste për ekonomi) dhe filloi të fliste se si do të siguronte letërnjoftimet falas për popullatën e varfër indiane dhe për gratë, në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje në votim. Sondazhet treguan se nuk është kush i interesuar për këtë temë, dhe iu kthye ekonomisë.

Apo në Afrikë të Jugut, ku në regjionet e Natalit dhe West Cape, zhvillohet hajnia e dhunshme e votave, dirigjuar nga partia zulu Inkatha dhe shërbimi sekret i të bardhëve. Mandela, në një gjendje të tendosur për vendin, por po ashtu historik vendos që të mos i kontestojë zgjedhjet në këto dy regjione, për hir të fitores së tërë vendit, rrëzimit të aparteidit dhe vendosjes së një pushteti të shumicës. (Ndonëse jo me dimensione të krahasueshme me Mandelan, në Kosovë po ashtu u heshtë vjedhja masive e vota në zgjedhjet e kaluara për hir të shpalljes së patrazuar të pavarësisë së vendit)

Apo në Izrael, ku përnjëherë në fushatë zgjedhore për Netanyahun paraqitet Arthur Filkenstein, i cili disa vjet më vonë do të rekrutohet nga një parti kosovare.

Por, çka do të mund t‘u thoshte dy partive të mëdha shqiptare Greenbergu, po të ishte këshilltar i tyre?

Socialistëve, ndoshta, do t‘u rekomandonte shembullin e Blairit, i cili vendosi që fushata e tij të jetë e kapshme: në një kartelë të vogël shtypi katër premtime zgjedhore, i pari prej të cilëve ishte se në shkollat e mbipopulluara britanike do ta zvogëlonte në 30 numrin e nxënësve, duke përdorur për këtë fonde që qeveria konservatore ka lënë anash për nxënësit që nuk duan të shkojnë në shkolla publike. Ky premtim u identifikua nga të gjithë si ndryshim, i bëshëm dhe i kuptueshëm nga shumica.

Demokratëve, Greenbergu ndoshta do t‘u rekomandonte "3 hapat e Stanleyt" (sugjerime që i kishte bërë, për rizgjedhje, Clintonit, Blairit, Mandelas dhe Sanchez de Lozadës).

Hapi i parë: veço në opinion publik ato që ke mbërritur, e për ç‘gjë janë të vetëdijshëm njerëzit.

Hapi i dytë: prano gabimet dhe thuaj se ajo që ke bërë deri tani nuk mjafton.

Hapi i tretë: përcakto axhendën e ardhmërisë.

(Siç shpjegon Greenberg, shumica e politikanëve kanë problem me pikën e dytë). 




5.

Autori kishte lexuar në vitet gjashtëdhjetë një formulim që e kishte përcaktuar bindjen e tij për profesionin e ardhshëm. "Asgjë nuk e tërheq turmën më shpejtë se sa një përleshje. Asgjë nuk është aq ngjitëse sa emocioni i konfliktit i komunikuar turmës. Ky është formati bazik i politikës".

Në këtë "përleshje ngjitëse", dy partitë e mëdha të Shqipërisë premtojnë ndryshime. Ajo në pushtet (duke ia marrë fjalën "ndryshim" asaj që e përdor tradicionalisht, pra opozitës ), premton kontinuitetin e ndryshimeve. Ajo në opozitë, ndryshime të tjera.

Që të dyja, pa dyshim, me involvim konsulentësh, janë duke matur në sondazhe çdo ditë pulsin e fjalëve të tyre në opinionin publik.

Në mbrëmje, pasi t‘i kenë lexuar sondazhet e fundit, ndoshta do ishte mirë të kihen parasysh fjalët e mençura të ish-guvernatorit të New Yorkut, Mario Cuomo: "Ne bëjmë fushatë me poezi, por qeverisim me prozë".

Komente (1 vendosur):

petrit ne 18 June, 2009 09:05:34
avatar
Per hire te vertetes, qe Shqiperia po ndryshon me te vetrete dhe ju dhe ne qofte se jeni majtiste permbahuni sa te permbushen dhe ato pak pika qe duhen. Me qe eshte bere pothuajse gjithe rruga dhe ka mbetur 15% per tu bere , mos u beni shkaktare te prishjes imazhit te ndertuar me aq mund te madh.Sepse gjene dhe gazetare qe e bejne me zell dhe punen e keqe, vertete jane te paket por ja qe jane . P.F. Itali.

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Mars, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Vlereso artikullin
0