24 ore lajme: Kosova, nje kenge lirie Kosova, nje kenge lirie ================================================================================ Andrea Stefani on 17 February, 2008 03:27:00 "Çohuni serbë se na e morën Kosovën shqiptarët". Kështu këndon rapsodi serb në "Tri këngë zije për Kosovën" të Ismail Kadaresë. Veç përballë serbëve në betejën e Fushë Kosovës nuk qenë shqiptarët. Ishte viti 1836 dhe shqiptarët, përkundrazi, ndodheshin në krah të serbëve për të mbrojtur Ballkanin dhe Perëndimin nga invazioni lindor i osmanëve. Por kënga e vjetër nuk ndalej duke sfiduar realitetet, e djeshmja mposhtte të sotmen, urrejtja-aleancën, armiqësia-miqësinë. Rreth 600 vjet më vonë, nga ngjarja që rrëfen shkrimtari i shquar, përsëri po dëgjohet e njëjta këngë e vjetër. Por këtë herë janë diplomatë dhe politikanë të mileniumit të ri që, po aq të verbër sa një rapsod, ja marrin avazit të lashtë të urrejtjes dhe skllavërisë: Ngrihuni sllavë... Janë Putinët, Koshtunicët, "rapsodët" e mbetur të kohës sonë. Nuk përdorin gusla, por mikrofona dhe valë satelitore. E megjithatë është e njëjta këngë. Por Kosovës dhe Serbisë i duhet më në fund një këngë e re, kënga e lirisë, kënga e Perëndimit. *** Diplomacia ruse dhe serbe kanë kohë që përpiqen të trembin botën se pavarësia e Kosovës mund të ketë pasoja negative edhe mbi rajone të tjera. Ministri i Jashtëm serb, Jeremiç, e quajti precedent të rrezikshëm që duhet shmangur. Në fakt është krejt e kundërta. Precedent i rrezikshëm për Evropën dhe Perëndimin do të ishte nëse e tradhtonin kauzën e pavarësisë së Kosovës. Do të ishte tradhtim i shpirtit që mban gjallë Perëndimin, tradhtimi i lirisë. Dhe liria, e parë si precedent, nuk rrezikon askënd përveç një skllavërie të turpshme që U është imponuar shqiptarëve të Kosovës. Njerëzimi është bërë më i mirë vetëm duke ndjekur precedentin e lirisë. Ndërkaq, të mos njohësh të drejtën e Kosovës për pavarësi, do të thotë edhe të mohosh në mënyrë cinike shtypjen, vuajtjet, dhunën, torturat, vrasjet, dëbimet masive që kanë shtangur botën mbarë. Akoma më e rëndë nëse këtë e bëjnë serbët që duhet të ndihen fajtorë për shumë vuajtje të shqiptarëve. A do të ketë dikur pendim shërues për ta? Serbët thonë që Kosova është toka e jonë. Po toka e shqiptarëve ku është? Ndërkaq ata janë atje, mbi 90 për qind e popullsisë së Kosovës. A kanë të drejtë këta njerëz të jenë të lirë? Kosovarët kanë shekuj që lindin dhe vdesin mbi Kosovë. Dhe varret e brezave të tërë janë si ca rrënjë shumë të thella që nuk mund të shtrihen në një tokë të huaj. Atdheu nuk është toka pa njerëz, por mbi të gjitha njerëzit e tokës. Po përse të mos jetonin serbë dhe shqiptarë në paqe dhe harmoni në një republikë si ajo e ish-Jugosllavisë? Këtu vërtet flasim për një shans. Por ishin pikërisht serbët që e humbën shansin që të bëheshin një popull me kosovarët. Nacionalizmi si shovinizmi i zhyti ata në qorrsokak. Nëse do të kishin mundur të krijonin një popull shumëkombësh, ku shqiptarë e serbë të bashkëqeverisnin në barazi e harmoni, sot do të kishim një tablo tjetër. Por Serbia e shtypi Kosovën deri sa e detyroi të ngrihet në protesta e më pas në revoltë. Për shumë vjet shqiptarët u përpoqën paqësisht me Rugovën për të drejtat e tyre njerëzore, për të qenë të lirë në Federatën Jugosllave, për të qenë qytetarë të lirë si serbët apo malazezët dhe jo qytetarë të dorës së dytë, jo skllevër. Por nuk u dëgjuan. Madje u shtypën, u rrahën, u torturuan, u vranë. Pastaj lindi UÇK-ja, sepse shtypja sjell revoltë. Pastaj dolën tanket e Millosheviçit, pastaj doli NATO-ja. Në Kosovë u bë luftë, sepse serbët dëshmuan që nuk ishin në gjendje të bashkëqeverisnin me shqiptarët. Sepse bashkëjetesa themelohet mbi barazinë, jo diferencimin, paqja ngrihet mbi dashurinë dhe jo mbi urrejtjen. Kjo shtypje ekstreme deri në terror dhe përzënie masive ishte një nga bazat morale që ushqeu të drejtën e kosovarëve për shkëputje nga Serbia, të drejtën për pavarësi. Asnjë shembull tjetër, asnjë shtypje tjetër, kudo qoftë në Oseti, Çeçeni, Qipro, Spanjë e kudo qoftë, nuk mund të përligjë skllavërimin e mëtejshëm të Kosovës. Prangat nuk janë argument për prangat. As edhe aleancat e vjetra dhe diplomacitë (Rusia nuk i tradhton miqtë e vjetër, tha një diplomat rus) që duke ngritur në piedestal racën apo pansllavizmin, poshtërojnë njeriun. Ndërkaq, nuk është naive të besosh se pavarësia e Kosovës mund të frymëzojë rrezikshëm pishtarë të tjerë lirie. Atje ku ndihet mungesa e lirisë do të ketë probleme edhe sikur Kosovës t‘i mohohet liria. Por pas thuajse 1 shekulli padrejtësie, kur toka të banuara në shumicë nga shqiptarët ju dhanë Serbisë, pavarësia e Kosovës është tashmë një fryt i pjekur. Është një fryt i rrekur nën dhunë, në protesta, në luftë çlirimtare me aleat Perëndimin. Politika serbe nuk duhet të gabojë, të bëhet zbatuese testamentare e një regjimi humbës, duke i vënë kushte lirisë së fitimtarëve. Sepse nuk ka ligj ndërkombëtar, rezolutë, bllokadë apo kërcënim që të mund të mbajë fitimtarin nën prangat e të mundurit. Është mjerim të shohësh se pasi i shtypën liritë e shqiptarëve me ligjet e Serbisë, politika serbe po përpiqet të mbysë po këtë liri, me rezoluta ndërkombëtare që mund të kenë neglizhuar të drejtën e një populli duke i dhënë më shumë një populli tjetër. Harrohet se vetëm e drejta universale e lirisë është e pagabueshme. Harrojnë që misioni i Bashkimit Evropian nuk është të robërojë, por të pavarësojë popuj, që misioni i Këshillit të Sigurimit nuk është që të sigurojë e garantojë skllavërinë. Diktatura e egër e "Kasapit të Ballkanit" i bëri shqiptarët të ngrihen për pavarësi. Serbët nuk kanë as forcë dhe as të drejtë ta ndalojnë, sepse e drejta nuk mund të themelohet mbi shtypjen por mbi lirinë. Ndërkaq, kosovarët duhet ta tregojnë veten se janë bij të denjë të lirisë. Ata nuk duhet të bëjnë kurrë kundër pakicave serbe, atë që pushtetet serbe ushtruan mizorisht kundër tyre. *** Por më kot qahet politika serbe, më kot kërcënon Kosovën me bllokadë dhe errësirë. Pavarësia e Kosovës do të çlirojë edhe serbët. Kënga e pavarësisë së Kosovës është një këngë lirie edhe për serbët. Sepse dihet që nuk mund të jetë i lirë një popull që skllavëron një popull tjetër. E çliruar nga detyra e turpshme dhe çnjerëzore e skllavërimit të një populli, tashmë Serbia i ka të hapura rrugët për integrim me botën e lirisë, me Evropën, me Perëndimin. Në novelën e Ismail Kadaresë, shkrimtarit të famshëm shqiptar, serbët dhe shqiptarët shfaqen bashkë në "fushën e mëllenjave", të rreshtuar në një front për të mbrojtur Ballkanin, oborrin e Evropës, kundër invazionit barbar osman. Bashkë me ushtritë janë edhe rapsodët e tyre. Serbët me gusla, shqiptarët me lahuta. Këndojnë para betejës për nder të princave të bashkuar ballkanas. Por këndojnë këngë të një armiqësie dhe lufte të vjetër. Serbi këndon me guslë: Ngrehuni se na e morën Kosovën shqiptarët! Shqiptari ja pret me lahutë: Ngrehuni se na sulmoi shkjahu! Princat ballkanas dëgjojnë dhe gajasen së bashku. Gajasen me këtë marrëzi: Bashkëluftëtarë, vëllezër në armë, por armiq në këngë! Por ballkanasit u thyen në Fushë Kosovë. Turma ushtarësh, serbë, shqiptarë, kroatë, boshnjakë, rumunë marrin arratinë dhe kërkojnë shpëtim në trevat dhe dyert e kështjellave të Evropës. Bashkë me ta janë edhe rapsodët. Por edhe atje, para zonjës Evropë, rapsodët vazhdojnë t‘i bien avazit të vjetër. Ngrehuni se na sulmoi shqiptari, gjëmon gusla. Ngrehuni se na sulmoi shkjahu, vringëllin lahuta. Janë vëllezër të një fatkeqësie, vuajnë të njëjtën disfatë, kanë armiq të përbashkët e megjithatë nuk dinë të këndojnë asgjë tjetër përveç se urrejtjes mes tyre. Evropa shtanget. Kish besuar se atë që nuk e kishin arritur dhjetëra fitore mbi fqinjin, mund ta bënte fare mirë një disfatë e përbashkët, triumfi i rrezikshëm i armikut të përbashkët. Evropa donte të dëgjonte një këngë të re. Një këngë miqësie mes dy kombeve. Një këngë që s‘është kënduar ende që nga koha kur shqiptarë dhe serbë, pas disfatës në Fushë Kosovë, kërkonin mbrojtje tek Evropa. A s‘është koha që të këndohet tani kur serbë dhe shqiptarë ndodhen përsëri para dyerve të Evropës. Këtë herë jo si humbës, por si fitimtarë mbi diktaturën lindore të Millosheviçit, tani që nuk janë të lirë vetëm serbët, por edhe kosovarët. Dhe me lirinë fillon një fazë e re e integrimit të popujve. Sepse nuk mund të ketë integrim legjitim pa lirinë dhe vetëvendosjen. Hapi i parë i lirisë është pavarësia e Kosovës. Hapi i dytë që nis nga sot është integrimi me botën e lirisë. Sot kosovarë dhe serbë u ndanë në Ballkan, por do të bashkohen nesër në Evropë dhe do t‘ia thonë me shpresë një kënge të re. Andrea Stefani