24 ore lajme: Gjykata, "babagjyshi" i Damir Fazliç Gjykata, "babagjyshi" i Damir Fazliç ================================================================================ Mentor kikia on 05 January, 2009 09:57:00 Ishte një ditë ideale ajo e 31 dhjetorit, për të bërë atë që bëri Gjykata e Tiranës, ose më saktë gjykatësi Dritan Broci. Shtypshkronjat i kishin fikur makineritë dhe redaksitë e gazetave ishin mbyllur për 5 ditë, ndërsa televizionet nuk transmetuan më shumë se dy edicione lajmesh, pasi në mbrëmje vendin e lajmeve do ta zinin programet festive. Edhe podet e konferencave të politikanëve ishin fshehur ndërkohë pas perdeve, për t‘u nxjerrë në javën e dytë të janarit. Pikërisht në këtë ditë, gjykata i dha fund një procesi gjyqësor mes biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazliç dhe prokurorisë shqiptare, për bllokimin e aseteve të tij në Shqipëri, deri në përfundimin e plotë të hetimeve. Brenda dy ditësh u paraqitën konkluzionet e mbrojtjes, konkluzionet e prokurorisë dhe u dha edhe vendimi i gjykatës, duke i dhënë fund kështu fazës së parë të një prej çështjeve më të debatueshme publikisht dhe politikisht. Edhe pse prokurorët kërkuan të paktën një javë kohë, gjykata vendosi që kjo punë të mbyllej shpejt e shpejt, pasi babagjyshi duhej të ishte goxha zemërgjerë me zotin Fazliç këtë fundviti të trazuar për të në Shqipëri. Gjykata i zhbllokoi të gjitha asetet e tij. Të paragjykosh një vendim gjykate nuk është korrekte në fakt, dhe shumë probleme tonat vijnë pikërisht ngaqë ne nuk i respektojmë verdiktet, duke filluar nga ai i gjyqtarit në fushën e futbollit, i atij që numëron votat tona dhe ai që të fut në burg. Ndaj dhe komenti që po i bëjmë vendimit të gjykatësit Broci na duket një punë vërtet e vështirë. Por në rastet kur vërejmë se, krejt hapur, ca vendime kërcasin keq me realitetin, atëherë neve na takon t‘ua kujtojmë institucioneve përgjegjëse e superiore se këta gjykatës nuk janë perëndia dhe se vendimet e tyre nuk janë ligje të natyrës që nuk u binden kurrkund vullneteve njerëzore. Pa marrë për sipër të bëjmë ekspertin, ne do t‘i referohemi vetëm një argumenti që sollën prokurorët, mbi të cilin ata ngritën ndryshime shumë të forta se Fazliç në Shqipëri kishte pastruar para. Edhe më parë ishte bërë publike se Fazliç kishte hapur disa biznese në Shqipëri dhe me ta ai nuk kishte bërë asnjë punë, thjesht i kishte themeluar. Por prokuroria tregoi se me njërin prej këtyre bizneseve, në të cilin nuk kishte asnjë të punësuar dhe nuk kishte shitur asnjë edhe një kokërr vezë, ai kishte bërë 1.7 milionë euro, para me të cilat bleu pasuri të patundshme në Shqipëri. Nuk të duhet ndonjë kualifikim i madh të kuptosh se, kur nga një firmë fantazmë që ka vetëm një adresë zyre, e cila përkon me adresën e një apartamenti ku banojnë njerëz, përfitohen shpejt e shpejt kaq para, ky është një proces larjeje. Ne vazhdojmë sërish t‘i qëndrojmë idesë se paragjykimi apo komentimi i një vendimi gjyqësor nuk është normal, por vendimi i Gjykatës së Tiranës në ditën e fundit të vitit, na i dha vetë argumentet për të pasur dyshime serioze në vërtetësinë e tij. Avokatët e z. Fazliç kishin paditur dhe hapur një proces gjyqësor ndaj prokurorisë me objekt shfuqizimin e vendimit për ngrirjen e pasurive. Por gjykatësi tregoi një zell edhe më të madh se kaq. Ai u shpreh publikisht në sallën e gjyqit, se z. Fazliç nuk kishte kryer asnjë vepër penale. Gjykatësi shprehet vetëm me vendim dhe vetëm për objektin që ka në shqyrtim, që në rastin konkret ishte çështja e pasurive. Ku e di gjykatësi që Fazliç nuk ka kryer asnjë vepër penale? Përse gjykatësi shprehet publikisht për një tjetër çështje që nuk ishte objekt i shqyrtimit nga ana e tij dhe mbi të gjitha, për një çështje që është ende nën hetim? A ishte ky një paralajmërim për prokurorët e Task Force se edhe hetimi ndaj Fazliç për pastrim parash do të ketë të njëjtin fat me atë të bllokimit të aseteve të tij? Ne kemi të drejtën e Zotit tashmë të ngremë një mijë pikëpyetje të tilla e të dyshojmë seriozisht në atë vendim. Paralelisht me këtë proces, mediat i kushtuan hapësirë historisë së një gruaje të moshuar, e cila ishte dënuar për kultivim kanabisi. Falë kësaj vëmendjeje ajo arriti të sigurojë disa ditë leje për në shtëpi dhe tashmë mund të përfitojë edhe një falje nga Presidenti i Republikës. Në fakt ajo i përket një grupi grash, të cilat u dolën makinave të policisë përpara dhe morën për sipër "krimin" e burrave dhe djemve, me shpresën se do të kishin më shumë privilegj para drejtësisë. Pikërisht për këtë arsye, personalisht nuk isha dakord që ajo të falet, pasi në fund të fundit ka marrë për sipër një vepër penale dhe ligjet janë një për të gjithë. Por na u zhbë krejtësisht kjo ndjesi ligjore korrekte, kur në të njëjtën ditë kur plaka gërmuqe la burgun për pak ditë për të shkuar te nipërit jetimë e pa bukë, gjykata i lidh duart prokurorisë të hetojë një matrapaz që shet e blen influencë duke bërë para në këtë vend, pa shitur e pa blerë asnjë edhe një lëpirëse apo tullumbace. Duhet të jemi realistë, gjithkush do të bëjë ç‘të mundet për t‘i shpëtuar drejtësisë dhe në këtë kuadër, nuk kemi pse e shigjetojmë zotin Fazliç. Problemi është te gjykata jonë, e cila me një vendim të vetëm na tregon se na duhet shumë, ende shumë rrugë për të bërë që t‘i besojmë vërtet. Për fat të keq ky rast pasoi atë të çështjes "Basha", kur gjykatësja Fatmira Hajdari dha më shumë nga ç‘kishte kërkuar vetë i pandehuri, duke e vënë në teh shqyrtimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje.