Faqja e Pare | Editorial | Ku eshte festa e lirise?

Ku eshte festa e lirise?

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

Mos thoni që është 28 Nëntori. Mos thoni as për 29 Nëntorin? Ato janë festa të pavarësisë dhe çlirimit të Shqipërisë nga sundues dhe pushtues të huaj. Janë festa të lirisë kombëtare, por jo të lirisë shoqërore. Dhe si të tilla janë festa që i kanë duartrokitur të gjithë shqiptarët, të shtypurit dhe shtypësit, qytetarët dhe tiranët e qytetarëve. 28 Nëntori është festë e lirisë së kombit, por jo një festë e shoqërisë, e lirisë së saj. Në këtë festë ngrenë dolli kombëtarisht edhe ata shqiptarë që po i grabitin liritë dhe të drejtat shqiptarëve. Por, nuk duhen ngatërruar këto festime për pavarësinë dhe çlirimin me festimet për lirinë. Mjerisht, kështu ka ndodhur për shumë dekada dhe prandaj populli ka duartrokitur lirivrasësit si lirimbrojtës. A nuk qe dita e parë e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë edhe dita e parë e skllavërimit shoqëror? Pushtuesi vërtet u largua, por liria nuk erdhi. Në vend të saj erdhi diktatura komuniste. Dhe rrugën diktaturës ja bëri më të lehtë "populli" me duartrokitjet dhe lulet për çlirimtarët, që do asgjësonin lirinë "në emër të popullit".


***

Dhe 18 vjet pas përmbysjes së diktaturës komuniste, ne nuk kemi ende një festë të lirisë për të gjithë shqiptarët. Sepse përsëri "çlirimtarët", ata që u treguan të shkathët kundër diktaturës me emrin e lirisë në gojë, u bënë tradhtarët, shtypësit e rinj të saj. Ata që populli i pandehu për heronj, dolën sharlatanë. Por pikërisht, në sajë të adhurimit të verbër popullor "çlirimtari" u bë Mesia. E në rast se një Mesia është jo pak herë i nevojshëm për t‘i shpëtuar robërisë, nuk ka armik më të madh se ai për lirinë. Sepse Mesia është "shpëtimtari" i adhuruar nga miliona dhe si i tillë pushteti i tij nuk njeh kufij. Kush tenton të korrektojë, të kritikojë, të kufizojë pushtetin e Mesias dhe akoma më tepër të largojë Mesian, "shpëtimtarin e popullit", i prish qejfin "popullit" ndaj ka punë me të. Ai mund të shpallet tradhtar i popullit sepse nuk është më Mesia që i përket popullit, por populli Mesias. Veç, mekanizmi i çuditshëm i lirisë së popullit është i mundur vetëm duke kufizuar pushtetin e liderëve politikë, edhe pse të dashur për popullin. Në mënyrë që lideri të mos shndërrohet në Mesia të plotfuqishëm duhet t‘i ndodhë kjo "e keqe", që është edhe e mira më e madhe për popullin, t‘i kufizohet pushteti. Një David mund të bëhet shpëtimtar dhe çlirimtar i kombit edhe me një prazhdë dhe një gur, por me fuqi të pakufizuara, ai do të bëhet pa dyshim një skllavërues i tij. Shqiptarët duhet më në fund të kuptojnë se çlirimtarët duhen nderuar, por ky nderim nuk duhet t‘i shtyjë në gabimin për t‘u falur atyre të gjitha pushtetet.

Një popull i zgjuar, që adhuron mbi të gjitha lirinë e tij, kujdeset që t‘i delegojë dhe shpërndajë pushtetet në duar të ndryshme, në institucione të ndryshme. Në mënyrë që institucioni të kontrollojë dhe baraspeshojë institucionin, lideri-liderin, partia-partinë, politikani-politikanin, ambicia-ambicien. Dhe një gjë të tillë populli e bën me anë të Kushtetutës, ku, si në një hartë, caktohen territoret, kufijtë, piramidat, muret e pushteteve të ndryshme që duhen respektuar, që nuk duhen shkelur nëse duam që të rrojë liria, liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe që për rrjedhojë jeta e tyre të bëhet më e begatë dhe më e lumtur. Nëse shqiptarët vazhdojnë sot të jenë më të varfrit në kontinent, kjo është mbi të gjitha për shkak se në Shqipëri nuk ka ndarje pushtetesh, drejtësi të pavarur. Prandaj, ka shumë korrupsion të pandëshkuar, ka grabitje masive të parasë publike, prandaj ka edhe varfëri masive dhe bashkë me të edhe skllavëri masive...


***

Kemi parë se si Mesia i I, çlirimtari Enver Hoxha, u shndërrua, nën duartrokitjet dhe bekimin e "popullit", në një diktator të egër, në një vrasës të lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Dhe Enveri e festonte gjithnjë ditën e pavarësisë dhe atë të çlirimit. Pastaj pamë, se si Mesia i II, Sali Berisha, që e "shpëtoi popullin" nga diktatura enveriste, u shndërrua në një autoritarist të rrezikshëm për liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Dhe Berisha e feston po ashtu përvjetorin e pavarësisë. Po si është e mundur që "çlirimtari" Berisha, u bë i rrezikshëm për lirinë si Hoxha, kur nuk ka burgosur dhe vrarë si ai? Eshtë e mundur, sepse lirinë mund ta vrasësh me diktaturë, por mund ta vrasësh edhe me "demokraci". Lirinë e një populli mund ta vrasësh edhe pa derdhur një pikë gjak.

Pra, liritë dhe të drejtat e njerëzve nuk vriten vetëm me pushkë, por edhe duke kapur të gjitha pushtetet, duke skllavëruar drejtësinë dhe prokurorinë pra, duke krijuar në shtet, një gjendje që i lejon një pushteti të bëjë padrejtësi kujtdo qytetari dhe të mos ndëshkohet. Ne jemi në një fazë të tillë kur e drejta e pronës apo e punës (që janë themelore për lumturinë e njeriut) dhunohen hapur nga pushteti demokratik. Me mijëra vetë janë hequr nga puna për arsye politike (një akt i shëmtuar që përafron me gjenocidin apo shpronësimet komuniste) dhe pushteti nuk do t‘ia dijë, edhe pse viktimat kanë fituar gjyqet. Dhe a nuk është mospërfillja e drejtësisë absolutizëm! Dhe a mund të ketë liri aty ku absolutizmi kontrollon drejtësinë që është emri i dytë i lirisë? A mund të ketë liri në një shtet, ku prona private nuk është e sigurt nga dhuna e pushtetit dhe e të fortëve afër pushtetit? E si mund të rritet pa punë dhe pronë ajo shtresë e mesme njerëzish dhe qytetarësh krenarë, që më shumë se pushtetin e radhës që iu fal një punë, post apo një shtëpi si lëmoshë, çmojnë drejtësinë e pavarur që mbron pronën dhe pavarësinë e tyre nga çdo pushtet?


***

Dhe në këtë përvjetor festash, pamë Mesinë e III, Edi Rama që pritet ta çlirojë "popullin" nga Mesia i II. Themi kështu, sepse edhe ky "çlirimtar" sapo ka hyrë në hullinë e shenjtërimit mesianik. Hosanarat po oshtijnë përsëri. Dhe Mesia i III nuk priti të vijë në pushtet dhe pastaj të përqendrojë pushtetet për një qeverisje absolutiste. Që në opozitë, ai hyri në "konsensus" me pushtetin e autoritaristit Berisha për ta "rregulluar" Kushtetutën në mënyrë që kur të vijë në pushtet, të mos ketë telashe. Duke harruar se ato telashe janë telashet e lirisë. Duke harruar se duke hequr qafe telashet në konsensus me Berishën, hoqi qafe edhe mekanizmin e balancimit të pushteteve që jetëgjatëson lirinë. Pikërisht, ky është thelbi i amendimeve fatale të Kushtetutës që "liridashësi" Rama realizoi në konsensus me lirivrasësin Berisha. Dhe po ashtu si Berisha, edhe ai vuri kurora me lule në ditët e festave të mëdha. Por i hoqi vetes një shans për të nderuar festën e madhe të të gjithë shqiptarëve, festën e triumfit të lirisë dhe institucioneve qytetare mbi autoritarizmat dhe absolutizmat e periudhës postkomuniste. Një festë që do ta ketë shumë shpejt datën e saj të lavdishme krahas lavdisë së pavarësisë dhe çlirimit. Një festë që do ta kremtojnë të gjithë, përveç despotëve dhe tiranëve. Një festë, fishekzjarrët e të cilës do të ngrohin qiejt dhe zemrat e të gjithëve pa përzhitur shpirtin e askujt mes shqiptarësh.

Komente (2 vendosur):

alma ne 02 December, 2008 10:50:57
avatar
eshte absolutisht e vertete.kemi nje
deshire te cmendur te krijojme kultet.
Esmeri ne 09 December, 2008 10:11:25
avatar
Megjithatë duhet respektuar dikë dhe diçka që na përket neve...

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
5.00