Faqja e Pare | Editorial | Kushtetuta dhe e ardhmja e lirise

Kushtetuta dhe e ardhmja e lirise

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
Sikur Kushtetuta të ishte individ, ajo do të ndihej e stresuar në këtë dhjetëvjetor të saj. Për krenari as që bëhet fjalë, sepse në vend të triumfit ka pësuar disfata, se qëllimi për të cilin ajo u lind nuk është kryer. Dhe ky qëllim ka qenë që ta formësojë për herë të parë politikën e egër shqiptare, tradicionalisht patriarkale, brenda magjes së liberalizmit kushtetues. Kushtetuta kishte për qëllim që t‘i copëtonte pushtetet, t‘u vinte kufij, t‘i baraspeshonte në mënyrë që ta bënte më pak pjellor truallin politik shqiptar për tiranë dhe Çezarë. Por, Çezarët e "demokracisë" dolën më të fortë se Kushtetuta. Rrjedhimisht në vend që Kushtetuta të riformësonte politikën, ishte politika ajo që e riformësoi Kushtetutën sipas ambicieve, epsheve dhe planeve të Çezarëve.

*** 

Gjatë këtyre 10 vjetëve Kushtetuta është dhunuar disa herë nga pushtete politike që kanë dalë më të forta se ajo. Fillimisht u dhunuan disa procedura dhe struktura që ajo impononte (si në rastin e shkarkimit të një kryeprokurori apo në shtimin arbitrar të numrit të anëtarëve të KQZ). Më pas, si zhvillim logjik i këtyre precedentëve, erdhi 21 prilli kur u dhunua edhe ajo vetë. Hartuesit e Kushtetutës i kishin ngritur shumë lart bedenat e konsensusit për t‘i bërë parimet e lirisë të ndarjes së pushteteve dhe balancës mes tyre, të papushtueshme nga politika. Por politika, thellësisht e përçarë në këto 18 vite, bëri të pangjarën: u bashkua si asnjë herë më parë për të "reformuar" Kushtetutën. Të tillë bashkim klasa politike shqiptare e ka arritur historikisht vetëm përballë një rreziku të përbashkët. Dhe, me sa duket, Kushtetuta përfaqësonte për këtë klasë politike një rrezik të madh. Paradoksi është ky: Kushtetuta synonte t‘i impononte klasës politike konsensus, lidhur me një nga parimet më të shenjta të lirisë, ndarjen e pushteteve. Të përçarë në ambiciet e tyre për pushtet, politikanët nuk mund ta realizonin këtë kusht të Kushtetutës. Ndaj, ata u bashkuan në "konsensus" për të zezën e Kushtetutës dhe lirisë. Kushtetutës i erdhi e keqja nga ajo që e kish shpresuar dhe e kishte në gjenet, në gjakun dhe shpirtin e saj, i erdhi nga "konsensusi" politik. 

***

E si mund t‘i vijë e keqja një Kushtetute dhe lirisë që ajo premton nga konsensusi? Duket si paradoks, por nuk ka një të tillë. Sepse "konsensus" qe vetëm emri, nofka, maska e një pazari të paprinciptë politik. Pasi shkaktoi konflikte, turbullira dhe kolapse për 18 vjet, politika përdori të gjithë streset, mërzitë, frikërat e akumuluara nga kaosi, keqpërdori gjithë rraskapitjen publike dhe tmerrin nga liria e shndërruar në kaos, për të ndryshuar thelbin e Kushtetutës në emër të "stabilitetit" dhe "mirëqeverisjes". Ajo që po ndodh është një përsëritje, një ribotim i rëndomtë i prologëve historikë të diktaturave. Nga kaosi dhe konfliktet kalohet në stabilitet tiranik. 

*** 

Me amendimet e Kushtetutës, shumicat e PS dhe PD kanë kryer një modifikim thelbësor në mekanizmin lirimbrojtës të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. I kanë hapur rrugë qeverisjes tiranike në shtet, duke i lënë vullnetet e pakicave pa asnjë mbrojtje. Mjafton të trajtojmë çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, një reformë që shkaktoi shumë debate dhe do të mbetet në qendër të debatit politik, për sa kohë do të ketë liri në Shqipëri. 

Kushtetuta e miratuar me referendum, 10 vjet më parë, u impononte përfaqësuesve të klasës politike në Kuvend që të arrinin një konsensus prej 3/5 për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Penalizimi në rast të mos arritjes së konsensusit qe mjaft i rëndë. Pas disa raundesh të pasuksesshme, vendi detyrohej të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Dhe kalvari nuk mbaronte as aty. Por ai ishte i përligjur? Pa asnjë dyshim që po. Sepse ishte kalvari i garantimit të lirisë në këtë tokë me karaktere shkëmbore dhe të pa shkriftuar sa duhet për kultivimin e lirisë. 

Por lidershipet e sotme politike, që qartas nuk janë më të interesuara të ngrenë mekanizmin madhështor të lirisë, e i rrafshuan konditat e Kushtetutës për konsensus, duke e shpallur këtë akt si një çlirim nga një mundim i kotë. Nenet që impononin ose konsensus ose zgjedhje, i shpallën "nene të krizës". Nuk mund të mos të të kujtohet ujku, që i lutej demit të hiqte brirët, duke e mburrur se ashtu dukej më i bukur. Edhe ujqit e politikës shqiptare ja hoqën demit të lirisë shqiptare brirët dhe tani bëhen gati ta kollofisin. 

***

Kështu, në vend që Kushtetuta t‘i detyrojë politikanët shqiptarë të arrijnë konsensus për figurën e Presidentit, duke zgjedhur një person të paanshëm, ishin politikanët që e detyruan Kushtetutën të heqë dorë nga kërkesa e saj, në vend që Kushtetuta (që është vullnet i sovranit) të edukojë politikanët grindavecë të arrijnë konsensuse, ishin politikanët që "e edukuan" Kushtetutën dhe duke reformuar vullnetin e sovranit e fshinë konsensusin si frymë të saj. Politika shqiptare hoqi nga Kushtetuta nevojën për konsensus 3/5, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës me anë pikërisht të një "konsensusi" prej 3/5 tash! Politika nuk e arriti dot konsensusin për Presidentin, por arriti konsensusin për të hequr konsensusin! Ky është paradoksi i reformës madhështore të arritur nga berishët dhe ramët e Shqipërisë, më 21 prill.

Rrjedhojat e thella negative të amendimeve të 21 prillit për sa i takon çështjes së zgjedhjes së Presidentit të Republikës, lidhen me rolin që hartuesit e Kushtetutës i kanë rezervuar Presidentit si institucion. Legjislativi shqiptar nuk ka Senat dhe një sërë atributesh, sidomos lidhur me mbrojtjen e pakicave nga tirania e shumicës apo e shumicave, i mbeten Presidentit të Republikës. Po një mision të tillë jo të lehtë, mund ta plotësojnë vetëm Presidentë që janë vërtet Presidentë. Figura që ose janë të paanshme politikisht, ose që, duke u bazuar në vlerat e demokracisë, arrijnë të sublimohen, duke u bërë të paanshëm, edhe pse dalin nga një oborr partiakë. Ky i fundit është një rast i veçantë. Si rregull ka më shumë shanse të jetë një President i paanshëm, ai person që është zgjedhur me konsensus politik. Por, me ndryshimet e Kushtetutës, Presidenti tashmë mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë pra edhe me minimumin e votave të shumicës qeverisëse. I pëlqen apo nuk i pëlqen pakicës, shumica dhe Kryeministri, që zakonisht te ne është dhe shefi i shumicës (gjë që ngre një pikëpyetje të madhe mbi ndarjen reale të ekzekutivit nga legjislativi), mund të zgjedhin President cilindo person nga oborri i tyre politik. Tashmë në Shqipëri nuk do të ketë më krizë, kalvar për zgjedhjen e Presidentit. Nuk do të ketë as tension, por as edhe konsensus. Adhamudhët e politikës shqiptare e ‘kërryen‘ nevojën për konsensus, duke ja falur Presidentin shumicës në emër të shmangies së tensioneve të panevojshme. Por kush është përpjekur të ndërtojë diçka, e di fare mirë se problemi nuk është shmangia e tensioneve që karakterizojnë thelbësisht ndërtimin dhe jetën, por normalizimi i tensioneve. Çdo arkitekt e di se ndërtim është një harmoni tensionesh që shpërndahet dhe balancohet me shtylla, harqe e soleta nga themeli deri në çati. Ky është sekreti, magjia, arti edhe i ndërtimit të një sistemi me liri dhe jo rrafshimi i tensioneve. Vetëm në sistemet e mbyllura, pa jetë, pa liri nuk ka tension. Edhe në gërmadha. Politikanët tanë po bëjnë gërmadhë sistemin e lirisë, ndërtesën e saj. Kjo është reformë e Kushtetutës që shmang tensionet, sepse bën gërmadhë strukturën e lirisë.

*** 

Po për çfarë garantizmi flasim? Konkretisht edhe për ligje të tilla sikundër është "Kodi Zgjedhor", aq i debatuar këto ditë. Një President konsensual, i paanshëm, që e bazon politikën e institucionit të tij mbi vlerat e barazisë dhe pluralizmit gjithëpërfshirës, pa asnjë hezitim nuk do ta dekretonte një Kod që nuk ka marrë pëlqimin e partive të pakicës. Ai nuk do të verbohej nga miratimi i këtij Kodi me konsensusin gjysmak dhe jo gjithëpërfshirës të arritur nga PS dhe PD. Gjethet e drurëve të konsensusit të paprinciptë Rama-Berisha, edhe pse drurë mjaft të gjatë, nuk do ta pengonin të shihet pas tyre pylli i errët dhe kërcënues të autoritarizmit që po na thith. Ose më saktë, do të ishte i lirë ta shikonte atë. 

Tirania e manifestuar me arrogancë më 21 prill i ka dhënë një goditje dërrmuese garantizmit dhe liberalizmit kushtetues në Shqipëri. Veç është humbur një betejë dhe jo lufta për lirinë. Shumica tiranike PS-PD e ndjen se është realisht në pakicë. Eshtë në pakicë në malet dhe fushat e Shqipërisë dhe mbi të gjitha është në pakicë në raport me të ardhmen, në raport me lirinë që është e ardhmja. Ndryshe përse do të këmbëngulnin për të penguar referendumin e sovranit për amendimet? Ndërkaq mbrojtësit e Kushtetutës, sot në pakicë në aulat e Kuvendit, edhe nëse nuk kanë ende me vete gjithë arsyen e masës së lodhur e të verbuar, e ndjejnë se kanë me vete shpresat e saj. Shpresa që priren nga liria. Ndaj janë të bindur se humbja e një beteje është një leksion, një shkollë më shumë, një përvojë më shumë në arsenalin e të ardhmes së lirisë në Shqipëri. 

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0