Greva e urise tej "te mirit" dhe "te keqit"
Përveç mbështetjes gjithnjë e më të gjerë, greva e urisë së 10 deputetëve nuk i ka shpëtuar kundërshtimit nga një larmi opinionesh që arratisen nga thelbi i saj. Jo vetëm politikanët kundërshtarë të grevistëve, por edhe qytetarët kanë shfaqur skepticizëm ndaj grevës nisur nga rezervat që ata vetë kanë për deputetët grevistë. Disa e cilësojnë grevën qëllimkeqe, sepse edhe politikanët që po e zhvillojnë atë janë, sipas tyre, "të këqij". Të tjera opinione e kualifikojnë grevën si të pandershme me arsyetimin se Ilir Meta apo Nard Ndoka kanë hyrë në të për interesa të kolltukëve të tyre dhe jo për popullin, se do të kishin bërë më mirë të kishin hyrë në grevë për tragjedinë e Gërdecit apo për halle të tjera që vuajnë sot shqiptarët. Por nuk është vështirë të konstatohet se të gjitha këto opinione shmangin atë që është thelbësore në këtë zhvillim dramatik, çështjen nëse është apo jo e drejtë kërkesa e grevistëve për përfaqësim të partive të tyre nëpër komisionet zgjedhore. Nëse është e drejtë a duhet mbrojtur kjo e drejtë, apo vetëm se kemi përshtypjen se ata që e kërkojnë janë "të këqij", duhet toleruar që e drejta t‘u dhunohet nga ata liderë që ne i quajmë "të mirë"? Por a nuk do të bënte kjo dhunë mbi të drejtën që "të mirët" të bënin keq ndërkohë që të "këqijtë" që kërkojnë një të drejtë, të veprojnë mirë?
A janë grevistët burra të mirë?
Zhgënjimi nga klasa politike sot është shumë i madh. Në tranzicionin e dështuar shqiptar kanë "aksione" edhe ata politikanë që sot janë në grevë urie si dhe partitë që ata drejtojnë. Por ndërkaq jetojmë në një situatë pluraliste që i relativizon radikalisht opinionet. Mbështetësit i quajnë të mirë, ata që nuk i mbështesin i quajnë të këqij. Dhe nuk mund të pritet ndryshe, sepse si të gjithë politikanët e këtij vendi, ata kanë edhe bëma të mira edhe bëma të këqija. Si të gjithë politikanët, ata janë përtej "të mirit" dhe "të keqit", sepse nuk mund të jenë përtej së mirës dhe së keqes. Por edhe sikur për një moment të pranojmë se 10 grevistët janë politikanët më të këqij të Shqipërisë, shkaktarët e të gjithë të zezave që po heq ky vend, pyetja shtrohet: A do ia hiqte kjo të drejtën për të kërkuar një të drejtë elementare që është përfaqësimi në komisione? Dhe nëse janë të "këqij", a u jep kjo të drejtë "të mirëve", Ramës dhe Berishës, të dëshmojnë një intolerancë ekstreme ndaj një sakrifice ekstreme, duke dhunuar një të drejtë elementare?
Ne do të qëndrojmë në premisën se "grevistët janë politikanë të këqij" për të provuar se - sikundër u shpreh kohë më parë Neritan Ceka, ca gjëra të mira mund të arrihen edhe me burra të këqij. Dhe është më e shëndetshme të gjykosh se një gjë e mirë mund të arrihet edhe nga ca politikanë që nuk janë idealisht të mirë. Besimi se gjërat e mira i bën vetëm një politikan "i mirë", është fillesa e kulteve të rrezikshme të Mesias, të shpëtimtarit që do na nxjerrë nga bataku ku na kanë futur të këqijtë. Me këtë kult erdhi në pushtet Berisha dhe për jo pak fanatikë ai mbetet edhe sot e kësaj dite "shpëtimtari" i Shqipërisë. Me një kult të tillë po përgatitet të vijë në pushtet edhe Edi Rama, sepse për jo pak mbështetës të tij ai është "shpëtimtari" i ri që do na shpëtojë nga "shpëtimtari" i vjetër, Mesia që do na shpëtojë nga "Mesia", politikani që do na shpëtojë nga "politikanët", "politika e re" nga politika e vjetër. Harrohet se kulti i liderit absolutisht të mirë është themeli i liderit dhe qeveritarit të keq.
Është naiv dhe i rrezikshëm mendimi se politikanët mund të bëjnë mirë vetëm duke sakrifikuar veten për interesin e popullit, gjë që në fakt nuk e bëjnë asnjëherë. Këto janë mendësira të trashëguara nga një sistem totalitar, ku lideri ishte "babai i popullit" dhe partia "nëna" e tij. Përgjithësisht, politikanët ndjekin ambiciet e tyre të pushtetit (pra edhe Berisha, Rama apo Meta) dhe për këtë nuk duhet pasur asnjë iluzion. Nuk do të ishin njerëzorë po të mos vepronin kështu. Politikanët nuk janë shenjtorë. Puna është se sa ambiciet e politikanëve përputhen me atë që mund të quhet e mira e përbashkët publike. Por të thuash se Meta, që kërkon thjesht të drejtën e mohuar të një komisioneri, ka hyrë në grevë për interesa të ngushta pushteti, ndërsa Rama e Berisha që ia mohojnë Metës të drejtën e një komisioneri e bëjnë këtë jo për interesa të ngushta pushteti, por për "popullin", është haptazi partizanllëk vulgar, është folklorizëm politik.
Ilir Meta, Nard Ndoka apo Petro Koçi mund të kenë mëkate sa të duash, por në këtë rast po sakrifikohen për një çështje të drejtë, që nuk është vetëm e tyrja. Po sakrifikohen për barazinë e shanseve të konkurrimit dhe kjo është një çështje që shkon tej Metës, Legisit, Brahos, Ndokës, Ramës, Berishës. Ajo shkon tej politikës dhe konfliktit të ditës. Dhe le të pranojmë se deputetët grevistë po protestojnë për votën e lirë jo thjesht se janë burra të mirë, por sepse ca burra si Berisha dhe Rama po ju mohojnë partive të tyre dhe votuesve të tyre një të drejtë elementare. Është kjo padrejtësi që i ka futur ata në llogoren plot sakrifica të luftës për drejtësi. Është padrejtësia e Ramës dhe Berishës që i ka falur Metës, Ndokës apo Koçit flamurin e një kauze për liri. Se kush dhunon të drejtën, dhunon lirinë. Dhe një dhunë e tillë bëhet vetëm për qëllime sundimi. Natyrisht, historia njeh edhe raste politikanësh për të cilët e drejta (pra dhe liria) ka qenë një ideal i jetës.
Por le të mbetemi skeptikë me politikanët tanë. Edhe për faktin se në shumicën e rasteve nuk është sensi i së drejtës, por dinamika politike, padrejtësia e kundërshtarit shkaku që i hedh politikanët në krahët e një kauze të drejtë. E ilustrojmë me një shembull nga libri i famshëm, "E ardhmja e lirisë". Diku në faqet e tij, Zakaria tregon se ishin baronët ata që për të mbrojtur interesat e tyre nga arbitraritetet e kurorës, e kufizuan pushtetin e Mbretit të Britanisë, duke e detyruar të nënshkruante Kartën e Madhe, dokumentin e parë në histori të të drejtave dhe lirive. Dhe shton se baronët që bënë këtë punë të mirë, "nuk qenë të gjithë burra të mirë".
Duhet bërë e qartë njëherë e mirë se politikanët, përgjithësisht, nuk janë të mirë nga natyra, por kanë shanse të bëhen burra të mirë vetëm kur janë nën kontrollin e institucioneve të pavarura nga ata, të drejtësisë së pavarur nga ata dhe të presioneve publike të pa verbuara nga propaganda e tyre. Dhe në rastin që po diskutojmë janë Rama dhe Berisha që për interesa të ngushta pushteti po përpiqen t‘i kenë në dorë komisionet zgjedhore, që ato të mos jetë të pavarura por të dominuara prej tyre. Pra, po përpiqen të bëjnë keq. Ndërsa Meta, Ndoka dhe të tjerë, po për interesa të ngushta pushteti, po përpiqen që në komisione të ketë barazi përfaqësimi dhe jo dominim nga dy të mëdhenjtë, duke përjashtuar partitë e vogla. Dhe kjo barazi që Meta, Ndoka e Koçi po kërkojnë sot për interes të tyre, do të funksionojë përtej 2009-ës në dobi të lirisë së votës. Ashtu sikundër edhe pabarazia që po instalojnë në "Kod Zgjedhor" Rama dhe Berisha. Prandaj themi se Meta, Ndoka dhe Koçi po bëjnë mirë edhe nëse janë "të këqij", ndërsa Rama dhe Berisha, po bëjnë shumë keq edhe nëse janë "të mirë".
Greva e urisë kundër padrejtësisë
Një nga specialistët socialistë "argumentoi" se përse komisionet e numërimit të votave nuk mund të bëhen për momentin me qytetarë të profesioneve të ndryshme (juristë, noterë) dhe shtoi se e vetmja mundësi është që ato të jenë të balancuara politikisht. Por kriza e sotme ka lindur pikërisht nga fakti që dy partitë e mëdha po imponojnë një formulë që nuk ofron as edhe balancë politike të komisioneve. Ato po imponojnë nga dy përfaqësues për vete, ndërkohë që parti jo satelite të tyre, si LSI, PS‘91 apo PDK, nuk kanë të sigurt as edhe një komisioner të vetëm. Ky është një cenim i barazisë, i shanseve të barabarta të konkurrimit dhe një demonstrim i hapur i tiranisë së shumicës. Po përse PS dhe PD duhet të jenë në shumicë edhe në komisionet zgjedhore? Pse janë më të mëdha si parti? Si të tilla ato kanë shumicën në Kuvend dhe kjo nuk do të thotë që ta përdorin këtë status për të qenë në shumicë në të gjitha institucionet, pra edhe në ato zgjedhore. Sepse në komisionet zgjedhore nuk shprehet, por monitorohet vullneti i sovranit në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj, nëse pavarësia nga partitë në këto komisione është e pamundur, barazia e përfaqësimit të partive në to është e domosdoshme. Pse? Sepse ato nuk janë institucione ku qeveriset me mekanizmin e shumicës, por janë institucione arbitër që do të numërojnë se kush do të jetë nesër në shumicë apo pakicë.
Ndaj, privilegjimi i partive të mëdha me nga dy përfaqësues siç sanksionohet në një "Kod Zgjedhor" të hartuar nga ato vetë, është një dhunim i barazisë, një padrejtësi. Dhe si e tillë ajo përbën një premisë për manipulimin e votave. Sepse komisionet zgjedhore, sa kohë që janë partiake, duhet të funksionojnë sipas parimit balanco dhe kontrollo. Edhe kur kërkohet një vendim shumice, ajo nuk është e thënë të jetë shumica e shumicës parlamentare. Prandaj, prania e PS-PD në shumicë edhe në komisionet zgjedhore, aq më tepër kur në jo pak raste do të mungojnë përfaqësuesit e partive jo satelite të tyre, do të shkatërrojë balancën duke e bërë të pashmangshme grabitjen e votave. Balanca dhe kontrolli mes partive në komisione sigurohet vetëm me prezencë gjithëpërfshirëse. Ndryshe do të qe padrejtësi dhe nga padrejtësia lind vetëm padrejtësi.
A ka lidhje greva e urisë me hallet e popullit?
Ka mendime se greva nuk po bëhet për hallet e popullit, për varfërinë, për papunësinë, spitalet apo shkollat e rrënuara. Në fakt, nuk është kështu. Duke qenë një mjet proteste dhe presioni për votën e lirë, një grevë kundër padrejtësisë dhe manipulimit të votës, ajo është një grevë kundër të gjitha padrejtësive. Dhe varfëria, papunësia, spitalet e mjeruara dhe shkollat e rrënuara janë produkt i padrejtësisë edhe korrupsionit që mbisundon në shtet. Këto të këqija nuk mund të luftohen nëse nuk rivendoset drejtësia. Por drejtësia nuk mund të rivendoset nëse pushteti del nga vota e vjedhur, pra nëse pushteti i ardhshëm nuk do të jetë produkt i meritës, i drejtësisë, por i grabitjes së votës, i padrejtësisë. Nëse zgjedhjet nuk do të jenë të ndershme, atëherë edhe qeveria që do të dalë prej tyre nuk do të jetë një qeveri e themeluar mbi drejtësinë. Si mund të shpresohet që ajo të luftojë korrupsionin dhe krimin, kancerin e ekonomisë dhe të jetës shqiptare? Dhe si mundet që pa luftuar korrupsionin të ketë më shumë para për vende pune, transferta dhe politika sociale që zbusin varfërinë, spitale e shkolla të reja? Lufta kundër korrupsionit dhe për mirëqenien e njerëzve fillon te vota e lirë, është një luftë e lidhur me lirinë. Prandaj, dhe greva e urisë për lirinë e votës është një grevë kundër varfërisë dhe urisë.
Kerkoni ne arkiv
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (3 vendosur):
Vendosni komentin tuaj