Nje komplot kunder demokracise
Amendimi i Kushtetutës më 21 prill nga dy partitë më të mëdha të vendit, është pasqyruar në mënyrë të gjymtë në raport-progresin e Këshillit të Evropës për Shqipërinë. Si është e mundur që një nga problemet më të debatuara politike, më të rëndësishme dhe për këtë shkak, më të censuruara në median vendase, në sajë të "kujdesit" të PS e PD, të censurohet edhe në raportin e KE? Përse misioni hesht, kur duhej të ngrinte alarmin për rrezikimin e demokracisë? Mos vallë metastazat e censurës politike shqiptare kanë arritur të depërtojnë edhe përtej dyerve të blinduara të misionit evropian në Tiranë? Apo drejtuesit e misionit të KE besojnë se amendamentet janë të përligjura dhe të drejta? Po atëherë, përse nuk i komentojnë ato të paktën si suksese në raportin e tyre? Mos vallë kanë turp nga e gjithë kjo që ka ndodhur e po ndodh në Shqipëri? Po përse mund të kesh turp nga një "sukses"? Suksesi dhe turpi nuk shkojnë bashkë. Atëherë përse bëhet fjalë? Mos vallë për një mbështetje në fshehtësi të disa amendimeve, që nuk mund të mbrohen dot publikisht? Por a nuk do të përbënte kjo fshehtësi një komplot kundër demokracisë liberale në Shqipëri?
***
Përgjithësisht reagimet e diplomacisë perëndimore në Tiranë lidhur me ndryshimet e befta të dokumentit themelor të shtetit kanë qenë "rozë". Diku është përshëndetur votimi i tyre "me shumicë mjaft të gjerë", diku është kritikuar mungesa e transparencës dhe debatit për to, por asnjë herë diplomacia dhe përfaqësuesit perëndimorë, nuk kanë mundur të argumentojnë publikisht se ku qëndron ana pozitive e këtyre amendimeve. Edhe në ato pak raste, kur ndonjë ambasador (si ai gjerman, Borchardt) ka dashur të komentojë përmbajtjen e tyre, ka mundur të pohojë vetëm në mënyrë pretencioze se ato nuk "shkelin parimet e demokracisë". Po askush nuk ka argumentuar dot se si amendamentet nuk i shkelin dhe aq më pak se si i mbrojnë dhe promovojnë këto parime. Ndërkaq, për sa i takon KE-së, zyrtari më i lartë i misionit të tij në Tiranë, Helmut Lohan, premtoi publikisht se do t‘i shqyrtojë këto amendime dhe pastaj do të shprehej për to. Gjë që edhe pse kanë kaluar shumë muaj, nuk ka ndodhur. Dhe, jo më çuditërisht, nuk ndodhi as me raport-progresin për Shqipërinë.
Në raport jo vetëm nuk komentohet fare këndvështrimi i misionit për këto amendime, por nuk janë reflektuar as objeksionet dhe kritikat e disa partive politike, figurave publike apo segmenteve të shoqërisë civile. Një harresë aksidentale apo një censurim? Faktet flasin për censurë. Sepse raporti i progresit i KE shënon regres, krahasuar me raportin e kryetarit të Prezencës së OSBE në Tiranë, të mbajtur më 16 tetor para Këshillit të OSBE. Dhe në këtë dokument, çështja e amendimit të Kushtetutës është përfshirë me të drejtë në kapitullin e ngjarjeve kryesore politike për vitin 2008. Në raportin e OSBE raportohet të paktën ajo që ka ndodhur. Dhe konkretisht thuhet, ndër të tjera: "…Megjithëse amendamentet u miratuan në mënyrë legjitime me një shumicë tri të pestat, disa nga ndryshimet shkaktuan shqetësime në lidhje me ndarjen e pushteteve. Miratimi i këtyre ndryshimeve u pasua nga një thirrje për referendum nga disa parti të opozitës dhe figura publike, por që më pas u refuzua nga KQZ-ja me një vendim që u ankimua pranë Gjykatës Kushtetuese dhe për të cilin tani pritet një vendim përfundimtar i gjykatës". Në raport-progresin e KE e gjithë kjo dinamikë politike mungon, nuk është raportuar, pra është censuruar. Dhe asnjëherë censura nuk mund të jetë harresë apo aksidentale. Ajo është përherë e qëllimtë.
Atëherë, cili është qëllimi i raportbërësve të KE? Pse duan ta pikturojnë rozë një situatë që nuk është e tillë? Ndoshta përfaqësuesit e Evropës në Tiranë janë bezdisur aq shumë nga konflikti i pafund mes lidershipëve të partive të mëdha PS-PD, saqë janë të gatshëm të përshëndesin çdo konsensus (në fakt pazar) mes tyre, pra, edhe një "konsensus" për të varrosur demokracinë. Mjafton të pushojë konflikti! Duket pra se edhe ca "evropianë" kanë rënë psikologjikisht në kurthin rraskapitës të konfliktualitetit ballkanik shqiptar, që e kanë ushqyer me zjarr liderë si Berisha dhe që sot (çfarë ironie!) po vjelin frytet e konfliktit si "konsensus". Ndaj, ndërsa deri dje e kritikonin konfliktualitetin PS-PD si rrënues të demokracisë, sot përshëndesin një konsensus mes PD e PS, që po e rrënon demokracinë liberale me "reforma".
S‘ka rëndësi se këlthasin ca parti të vogla nga dhimbja, evropianët e Tiranës kanë zbuluar më në fund se shqiptarët në shumicë janë ende pak të lidhur me ato parime që e bëjnë lirinë të qëndrueshme dhe nuk e kuptojnë rëndësinë që ka për lirinë ndarja dhe baraspeshimi i pushteteve. Prandaj partitë e vogla nuk do të gjejnë dot një mbështetje aq të gjerë sa të trondiste stabilitetin. Prandaj le të sakrifikohen nga arroganca e të mëdhenjve si Berisha dhe Rama, nga këta dy liderë të fuqishëm, që të shkatërrojnë "stabilitetin" po u bënë të pakënaqur. Po a nuk është e gjitha kjo një inxhinieri politike ekstremisht cinike, një inxhinieri që i thur lavde progresi dhunës së shumicës, duke sakrifikuar pakicën dhe bashkë me të drejtën e pakicës edhe lirinë? Një realpolitikë në kurriz të lirisë? Ky është misioni i ca diplomatëve në Tiranë?
***
Pra, nuk duan t‘ia dinë se preket liria? Nuk duan t‘ia dinë përfaqësuesit e Evropës për ndarjen e pushteteve, nga e cila, bashkë me lirinë lind edhe drejtësia, dhe bashkë me drejtësinë edhe lufta pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit? Nëse është vërtet kështu, e gjithë kjo që ka ndodhur në Shqipëri në këto 18 vjet do të mbyllet si një tranzicion i tradhtuar. Do të jetë shumë e hidhur për shqiptarët si popuj e si komb. Sepse vetëm demokracia liberale mund t‘u japë atë që nuk ia kanë dhënë shekujt, vetëm ajo mund t‘i nxjerrë nga morsa shekullore e varfërisë. Pa demokracinë liberale, që po merr goditje në Shqipëri, shqiptarët do të kalojnë nga një stabilitet pa liri në një tjetër stabilitet pa liri dhe drejtësi, nga totalitarizmi komunist tek autoritarizmi i korruptuar dhe i kriminalizuar "demokratik". Ky është "progresi" drejt Evropës, që raportohet në raportin e KE? Dhe mos vallë ndryshimet në Kushtetutë nuk komentohen pikërisht që të mos shtrihen hije regresi mbi këtë "progres"? Ky mund të jetë një nga shpjegimet për memecërinë e raportit të "progresit" lidhur me amendimet e Kushtetutës. Ky mund të jetë një nga shpjegimet se përse nuk është komentuar çështja e ndryshimit arrogant të dokumentit themeltar të shtetit nga vetëm dy forca politike, një akt skandaloz që as mund të mendohet se mund të ndodhë në ndonjë nga vendet evropiane nga vijnë raportshkruesit e KE.
Pra, ç‘është gjithë kjo shurdhëri, gjithë kjo verbëri e evropianëve lidhur me skartimin e pluralizmit, me kapjen e pushteteve, me lënien e pakicës politike pa asnjë mbrojtje sa për të bllokuar arrogancën, tiraninë e shumicës, ajo është e detyruar të hyjë në grevë urie? Ç‘është e gjithë kjo duhmë autoritariste që po dyndet nga "bota e lirë" nga "toka e premtuar" që shqiptarët po e kërkojnë prej 18 vitesh, duke u endur nëpër shkretëtirat e tranzicionit? Mos vallë është vetëdijësimi i diplomacisë evropiane se "barbarët shqiptarët" nuk mund të bëjnë dot një demokraci liberale, prandaj do të ishte më oportune të lidheshin përsëri me vargonjtë e një tiranie autoritariste, tribale dhe patriarkale? Një tjetër tirani për "Tiranën" - kjo është zgjidhja që po ofrohet?
Nuk duam ta besojmë se raporti i "progresit" është zëri unik i Evropës. Dhe nuk do ta besojmë deri në fund se horizontet kanë këmbyer vendet dhe se tashmë vendin e Lindjes, që ka ofruar gjithnjë sisteme skllavërie dhe pa liri për shqiptarët, po e zë Perëndimi. Sepse, ndërkaq, shohim që edhe nga Evropa po ngrihen zëra dhe kritika për këto që po ndodhin në Shqipëri, kritika që nuk rezonojnë me raport-progresin, kritika për "reformat" e maskuara që në vend ta mbështesin po e mbysin demokracinë. Reforma që, të toleruara me "diplomaci" nga ca burokratë evropianë në Tiranë, po sakrifikojnë foshnjën e pluralizmit politik në themelet e kështjellës së "stabilitetit". Dhe e gjitha nuk mund të mos ngjasojë si një komplot i heshtur kundër lirisë.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj