Faqja e Pare | Editorial | Kokolepsja e pushteteve

Kokolepsja e pushteteve

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

 

1.

Mjafton vetëm të analizosh në një këndvështrim të ndryshëm nga sa po shohim tash e gjithë ditën tragjedinë e fundit që sapo ndodhi në Gjirokastër për të kuptuar se sa shumë të ngatërruara janë marrëdhëniet e pushteteve në Shqipëri dhe se sa me tepri i ka "gllabëruar" politika peshat e pushteteve të tjera në këtë realitet i cili, për shumëkënd, si çdo realitet normal demokratik, do të duhej të ishte një marrëdhënie demokratike dhe e harmonizuar e pushteteve që mbajnë dhe kompensojnë njëri-tjetrin.

E, këtu nuk e kam fjalën thjesht dhe vetëm për garën populiste mes liderëve të partive dhe shefave të institucioneve qendrore, përfshirë edhe Presidentin, të cilët shpejtuan ta shfrytëzojnë edhe këtë fatkeqësi në të mirë të kurimit të vlerave publike të vetvetes. As për garën që vazhdoi mbrëmë në Parlament. Në fund të fundit, kjo sëmundja e populizmit që abuzon me vdekjet është një "sëmundje" që e vuajnë të gjitha demokracitë, edhe ato më të përparuarat. S‘e kam fjalën këtu as për lojën e hedhje-pritjes së përgjegjësive. Njëri thotë se është përgjegjësia e "mafies" së ndërtimit, tjetri provë e papërgjegjshmërisë së Berishës, një i tretë këmbëngul se Edi Rama nuk është në gjendje të ndahet nga kryebashkiaku, i cili qëllon të jetë socialist, e kështu deri tek babëzia e paskrupullt e ndërtuesve dhe e zyrtarëve të niveleve të ndryshme… Do të dëshiroja të tërhiqja vëmendjen tek një fakt i thjeshtë: sa ndërhyn kryetari i bashkisë - meqenëse është i zgjedhur politikisht, më jepet e drejta të ‘spekuloj‘, - në punën e përditshme të specialistëve dhe të strukturave që ligjërisht duhet të jenë të pavarura në aktivitetin e tyre të përditshëm? Sa e pavarur ka qenë, p.sh., Zyra e Urbanistikës pranë bashkisë së qytetit në vendimmarrjet e saj? Sigurisht, në rastin më të mirë, do të vërtetohet se X specialist në të i ka hapur rrugë "mafies" së ndërtimit dhe ka bërë të mundur kësisoj tragjedinë. Por, mbi ç‘kritere është emëruar dhe sa i pavarur ka qenë ky specialist në vendimmarrjen e tij? Unë dyshoj se nuk do të gjendet asnjë shkresë sipas së cilës ai nuk duhej të zbatonte ligjin, por ama që në momentin kur kryetari i bashkisë (apo partia e tij), e ka emëruar këtë "specialist" në detyrën e tij, - duke zëvendësuar një tjetër, sigurisht - ai ka emëruar në të vërtetë bindjen symbyllurazi, klanin politik dhe automatikisht vendosjen e interesave të këtij klani politik (dhe jo vetëm politik) mbi gjithçka. E kush nuk e di që në Tiranë, p.sh., Zyra e Urbanistikës është po ashtu pa personalitet "profesional"? E kush nuk e di që edhe bojërat apo vizatimet e fasadave të pallateve të Tiranës janë produkt i drejtpërdrejtë i emocioneve dhe fantazive (qofshin edhe pozitive) të vetë Edi Ramës? Kush nuk e di që edhe përzgjedhja e "studiove" perëndimore që do të përpunojnë projektet e ngastrave të interesave të çastit kalon përmes filtrash thellësisht dhe vetëm vetjakë? Në ç‘raport është vullneti personal i Berishës me ligjin dhe me strukturat ligjërisht përgjegjëse?


2.

Dukuria e lartpërmendur bëhet edhe më e prekshme nëse do të arrinim të gjykonim se në ç‘raporte janë me politikën (kupto: ekzekutivin, pasi, sipas logjikës demokratike, mbështetja politike prodhon në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm pushtet ekzekutiv) pushtetet e tjera që do të duhej të ishin ku e ku më të pavarura se sa një zyrë urbanistike, një shef komisariati, një doganier, një futurist dritash, një polic rrugor; pra pushteti gjyqësor, të themi.

U bënë sa vjet tani që mbahet i ngritur një sherr i pandërprerë në lidhje me funksionimin e Prokurorisë. Sa herë që vendimet e saj - vendime të cilat në analizë të fundit, nuk janë veçse ca dosje për fatin e të cilave do të lipsej të vendoste trupi gjykues - nuk përkojnë me interesat e një grupimi politik, menjëherë ky grupim e anatemon institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm si "shërbëtor" të palës kundërshtare. Në ndodhtë ndryshe, është pala kundërshtare që sillet njëlloj. Askush nuk flet për efektivitetin e punës së këtij institucioni. Askush nuk respekton ligjin sipas të cilit nëse prokuroria "mbyll" një dosje, pala e interesuar mund ta dërgojë vetë këtë dosje në gjykatë, trupi i vetëm i cili kushtetutshmërisht është i ngarkuar me dhënien e drejtësisë. E, nën këtë presion banal të politikës, organi i akuzës nuk ka asnjë detyrë tjetër veçse të përpiqet të ruajë "ekuilibrat" politikë, sepse, në të vërtetë, realisht presioni është aq i madh nga të gjitha krahët, saqë ka vetëm një detyrë: të mbijetojë në këtë kokolepsje interesash. E për këtë arsye, nuk do të shkojë kurrë Berisha të dëshmojë për vrasjen e Azemit, e për këtë arsye nuk do të mbërrijnë kurrë në gjykatë dosjet kaq shumë të përfolura të Edi Ramës… E, falë këtyre "keqkuptimeve" të vetëdijshme, trajsta e rëndë e politikës i varet padrejtësisht drejtësisë, madje vetëm njërës zyrë të saj: asaj të akuzës. Kjo u vërtetua në rastin që ende kemi nëpër këmbë të ashtuquajturit Fazliç. Sipas një logjike tjetër, që nuk e kemi ende, çështja e mësipërme ka dy anë që normalisht do të lipsej të gjykoheshin veçmas. Njëra është ana politike: domethënë politika do të duhej të analizonte përgjegjësitë politike të Berishës në historinë e mësipërme, pra me varësinë e tij nga një figurë e errët, futjen e shtetit në punë për të përmbushur interesat e klanit të tij familjar dhe politik, lidhjet me qarqet antishqiptare etj., etj., gjë që edhe e bëri në një masë të konsiderueshme, madje jo keq. Ndërsa prokuroria do të lipsej të hetonte në lidhje me aferat antiligjore të një personi që quhet Damir Fazliç. Për atë nuk duhet të ketë asnjë ndikim fakti që nëna e tij është serbe, keniane, apo gollobordase. Për të nuk ka pse të ekzistojë paragjykimi politik nëse ky Damir e do apo e urren Shqipërinë e kështu me radhë. Kurse ne vumë re se si politika e të dyja krahëve e vuri në mes prokurorinë, duke kërkuar prej saj produkt politik. E, atëherë me plot gojën mund të thuhet se ka të drejtë Fatos Lubonja kur thotë "E shkreta Ina Rama"…


3.

E njëjta gjë mund të thuhet për të ashtuquajturin proces të legalizimeve, apo me qëndrimet për pronat në përgjithësi. Nëse në rastin e mësipërm është evidente dëshira e politikës për t‘ia hedhur barrën, që logjikisht do të duhej ta mbante vetë, në rastin e pronave ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë e kundërta: në vend që këtë proces të ndërlikuar ta largonte nga vetja, politika duket se ka marrë mbi vete funksionet e drejtësisë. Është një zyrë politikisht e kontrolluar dhe e komanduar, janë ca nëpunës, po ashtu politikisht të emëruar dhe të komanduar, që të japin apo nuk të japin të drejtën e pronës. Në të vërtetë, më së shumti të japin një copë letër që të fut në një rreth të ri konfliktesh. Dhe kjo ndodh sepse e gjitha është thjesht një lojë e interesave të përditshme politike, që ka për synim mbajtjen të lidhur rreth partisë të votuesve, por edhe që indirekt ka sjellë zbehjen e rolit të sistemit të drejtësisë, për pasojë edhe dobësimin e pandërprerë të saj. E, sa kohë do të ketë votime dhe interes për vota, asnjëherë nuk ka për t‘u zgjidhur problemi i pronave, legalizimeve apo të gjejnë të drejtën e tyre ish-pronarët.

E, kësisoj, edhe pesha e politikës veçse rritet, e ngjashme me peshën e padobishme të superkafshëve që u zhdukën pikërisht për këtë arsye, nga mbipesha.


4.

E njëjta situatë verifikohet edhe në procesin i cili momentalisht është në qendër të vëmendjes së zhvillimeve politike: konstituimi i të ashtuquajturit Komision Qendror i Zgjedhjeve, thënë ndryshe më të shumëpërfolurën reformë zgjedhore. Ne nuk mund të jemi aq naivë saqë të besojmë atë që na thotë ndonjë ndërkombëtar se reforma në fjalë është një sukses - e përsëdyti edhe Rama në press-konferencë, - pasi këtë e kanë thënë rregullisht sa herë që kemi qenë në prag të zgjedhjeve. Ashtu siç edhe kanë thënë pas zgjedhjeve se "kodi kishte probleme". Kujtesa e diplomatëve që venë e vijnë këtu është logjike që të jetë e shkurtër, maksimalisht sa termi i misionit të tyre këtu, kujtesës sonë kjo nuk i lejohet.

Përballë protestës së LSI-së dhe disa partive të tjera, një specialist i PS-së, ligjëroi se nuk paska rëndësi se cilët do të kenë të drejtë të kenë përfaqësues në këtë trupë, pasi Komisioni do të jetë jopartizan. Pyetjet që lindin janë dy: Nëse është kështu, përse përjashtohen të tjerët nga propozimi? Dhe, çka mendoj se është më e rëndësishme: nëse është kështu, përse përzgjedhjen e kësaj trupe ia lëmë partive dhe jo trupave të cilat nuk zgjidhen nga partitë dhe janë të baraslarguara nga blloqet politike sikundër janë senatet e universiteteve, shoqatat e juristëve apo asosacionet e bankave, siç ndodh në vende të civilizuara dhe me stabilitet demokratik?

Arsyeja duket e lehtë për t‘u kuptuar: zgjedhjet nuk do të jenë të lira e të ndershme përderisa pikënisja nuk e dëshmon këtë, përderisa me këtë kokolepsje jo të pafajshme të pushteteve dhe me rritjen e pandalshme të fuqisë së pushtetit ekzekutiv - qendror apo lokal - të gjitha interesat e shoqërisë - të pastra apo të fëlliqura - janë përqendruar pikërisht atje…

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0