Faqja e Pare | Editorial | Tragjedia e Butrintit, shteti i kapur nga te katert anet nga korrupsioni

Tragjedia e Butrintit, shteti i kapur nga te katert anet nga korrupsioni

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Edi Rama, Kryetar i Partise Socialiste

Një tjetër tragjedi mori të tjera jetë njerëzish në kushtet e mungesës së frikshme të shtetit. Në sytë e policisë së shtetit u zhvillua këtë radhë shfaqja makabre e një tragjedie që përsëri ka përgjegjës të drejtpërdrejtë shtetin që mungon, qeverinë që i ka lënë punët e shtetit për të bërë punët e klanit Berisha dhe Kryeministri i cili është tërësisht i përfshirë në konfliktin e tij privat me institucionet. Përsëri të tjera familje shqiptare duhet të qajnë dhe të vajtojnë humbjen e të dashurve të tyre, për shkak se shteti nuk siguron dot jetën e njerëzve, nuk e mbron dot,  nuk bën asgjë që njerëzit të kenë një jetë të mbrojtur, të sigurt dhe me dinjitet. E pra, nëna, foshnja e saj dhe djali i humbur në përpjekjet për t'i ikur një varfërie të skajshme, janë të tjerë dëshmitarë të një sakrificie të patolerueshme, për shkak të një shteti i cili është tërësisht i paaftë për të mbrojtur qytetarët e qytetaret e tij, për t'u garantuar atyre punë, mirëqënie dhe perspektivë. varfëria e pangushëllueshme, po shtyn përsëri familje shqiptare në rrugën e arratisë, ku përsëri pati viktima, viktima të një ëndrre të mbytur thjesht, sepse të mbetur pa punë e pa shtëpi, ju duhej ta kërkonin gjetkë mbijetesën e tyre. Nga ana tjetër kjo tragjedi është shprehje shembullore e asaj që ndodhë sot në Shqipërinë e kapur nga të katërt anët prej korrupsionit, sepse ata njerëz të shkretë u mbytën në një tjetër vrimë të zezë të korrupsionit, një korrupsioni shtetëror, sepse shteti përmes forcave të sigurisë dhe të rendit i është mbyllur një shteg normal kalimi, jo për matanë, por për një anë tjetër të Shqipërisë, 25 km larg kufirit, për të hapur një shtet të paligjshëm kalimi, ku sigurisht të shkretët njerëz duhet të paguajnë.  U desh kjo tragjedi, që kjo vrimë e zezë e korrupsionit të dilte në dritën e diellit dhe të bashkohej me gjithë këto vrima të zeza që i shohim në të katërt anët e vendit dhe sektorët e jetës. Por nuk ka filluar ky korrupsion dhe ky trafik i paligjshëm as dje, as pardje. Dëshmitarët flasin për një korridor të hapur prej muajsh. Një koridor i cili ishte hapur dhe mbikqyrej nga ata që duhet të mbronin jetën e njerëzve dhe gjithashtu integritetin e shtetit në lidhje me veprimtarinë e paligjshme që zhvillohej aty. Mos harrojmë që jemi në periudhën e detit të ngrirë për lëvizjen e lirë të mjeteve. Jemi nën një moratorium për të cilin Kryeministri i vendit ka shitur shumë mend dhe e ka penalizuar shumë subjekte dhe individë, duke u marrë shqiptarëve detin e tyre dhe duke e kthyer këtë det nga një burim mirqënie siç është në të gjitha vendet që kanë det, në një peng të propagandës qeveritare.  E pra, ja shembulli se moratoriumi, si të gjitha ligjet e tjera, që shteti i munguar dhe pushteti i korruptuar i Sali Berishës ekzekutohet vetëm për ata që respektojnë shtetin dhe ligjin, ekzekutohet për ata që nuk kanë nevojë për masa penalizuese për të qënë qytetarë e qytetare që respektojnë normat e bashkëjetësës në një shtet. Ndërkohë, që për trafikantët, për ata që abuzojnë me varfërinë, me ëndrrat e njerëzve të shkretë e të pafajshëm, deti dhe ujërat e Shqipërisë qenkan të hapura. Kjo është shprehje tjetër e dhimbshme e kohës që jetojmë nën këtë Kryeministër dhe nën këtë qeveri. Sali Berisha është përgjegjës i drejtpërdrejtë për këto që ndodhin dhe po kaq të papërgjegjshëm janë tellallët e tij të paturpshëm. Sali Berisha ka përgjegjësi, sepse paaftësia, papërgjegjshmëria dhe korrupsioni që e ka kapur kryeministrin, i cili pastaj është kthyer në sekser i botës së përfitimeve të paligjshme, janë njëra anë e medaljes. Ana tjetër është përgjegjësia e tellallëve të Sali Berishës, që për karrigen e deputetit dhe ministrit mbrojnë të pambrojtshmen, justifikojnë ë pajustifikueshmen, i dalin zot këtyre zullumeve që i kanë neveritur shqiptarët si asnjëherë tjetër dhe që po tregojnë si asnjëherë tjetër se në çfarë rreziku është Shqipëria, ekonomia e saj dhe mbi të gjitha jeta e njerëzve. E pra, kjo është siguria e jetës në vendin tonë, këto janë garancitë që jep shteti për qytetarët e vendit që sot e kanë jetën e tyre në rrezik në punë, në rrugë, në festë, në tokë dhe në det. Interesat e pushtetit dhe vetëm të pushtetit, po bëjnë që kjo kastë të korruptuarish të qëndrojë me kurriz nga Shqipëria, nga qytetarët e qytetaret dhe të vazhdojnë paturpësisht të propagandoj suksese, e nga ana tjetër të tregojnë opozitën, drejtësinë, mediat, madje edhe bashkësinë ndërkombëtare, si fajtor apo të keqkuptuar lidhur me këtë situatë e cila flet vetë. Me këto plagë ferri, me këto ngjarje që tregojnë njëra pas tjetrës se në ç'drejtim të paditur kryeministri Berisha, qeveria e tij, këto forca në parlament, po e tërheqin zvarrë Shqipërinë. Ja pse është koha për një ndryshim të madh, rrënjësor, për një transformim në themel të kësaj kulture politike dhe qeverisëse, për të hapur një rrugë të re dhe prespektivë të re.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Janar, 2009 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
3.00