Faqja e Pare | Editorial | Opozita te clirohet nga shantazhet e kryeministrit

Opozita te clirohet nga shantazhet e kryeministrit

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

A janë segmente të lidershipit të sotëm opozitar dhe në radhë të parë në Partinë Socialiste, pengje të delikteve, korrupsionit apo çdo lloj krimi të mbetura të fshehta për drejtësinë, opinionin publik dhe gjithkënd tjetër përveç Kryeministrit të vendit Sali Berisha? Është një pyetje që nuk mund të mos shtrohet pas një seance parlamentare, ku Kryeministri ende në fuqi Berisha, kërcënoi hapur opozitën se më në fund do të bënte transparencën më të madhe të "arkivës së krimit". Kujt ia hedh fjalën Kryeministri? Duket qartë se shigjetat janë drejtuar kundër liderit të PS, Edi Rama, të cilin e "falënderoi" me sarkazëm se po i krijonte mundësinë për "orën e transparencës më të madhe në histori". Por ky kërcënim, nuk përjashton edhe figura të tjera të opozitës. Përse bëhet fjalë? Vërtet Berisha ka në dorë, sikundër deklaroi, dokumente, fotografi, filma komprometues apo ky është vetëm një blof të cilin bixhozçiu i politikës Berisha, që në fakt nuk luan poker, e njeh më mirë se çdo politikan tjetër që mund të luajë poker? Sido që të jetë e vërteta, opozita duhet të ndërtojë strategjinë e vet të qëndrimit në mbështetje të së vërtetës. Opozita ka detyrim të ecë me guxim përpara për të imponuar zbardhjen e të gjitha të vërtetave korruptive tani. Të imponojë "orën e transparencës së madhe". Nëse Berisha e përdor këtë thirrje si shantazh, ka ardhur vërtet ora që opozita të tregojë duart, dhe nëse ato janë të pastra, po me ato duar t‘ia rrëmbejë Kryeministrit kamxhikun e shantazhit, këtë kryearmë të luftës së tij për pushtet. Nuk mund të tolerohet që Berisha të përdorë qoftë edhe mëkatet në radhët e lidershipit të opozitës, për të fshehur mëkatet e qeverisjes së tij. Këtë nuk mund ta lejojë më as publiku. Sepse të vërtetat e pathëna shndërrohen në helme të tmerrshme në radhë të parë për publikun dhe interesat e tij. Ndërsa për ata që i shndërrojnë këto të vërteta në sekrete, i përdorin më pas si armë të një lufte të fëlliqur për pushtet të fëlliqur.


***

Deri më sot, njeriu më i interesuar për të mos bërë "transparencën e madhe" kundër krimit dhe korrupsionit në radhët e lidershipit të opozitës rezulton se është vetë Kryeministri Berisha. Fakti nuk do koment dhe përbën një skandal më vete dhe objekt hetimi për prokurorinë. Kryeministri i vendit ka pohuar se zotëron prej kohësh informacion komprometues për lidershipin e opozitës dhe që nuk e ka bërë publik dhe as denoncuar në prokurori. "Jam detyruar të mbaj një heshtje që mezi e kam mbajtur", - tha Kryeministri, duke shtuar se nuk do të heshtë më. Politikani Berisha është një habi e vërtetë. Po kush e ka detyruar këtë kalorës të "antikorrupsionit", njeriun më të fuqishëm të shtetit, që të vuajë në heshtje? Na duket se asgjë më shumë sesa korrupsioni i tij, i familjes dhe i qeverisjes së tij që mesa duket, është shndërruar edhe ajo në një "familje". Kalorësi i "antikorrupsionit" ka heshtur për korrupsionin e kundërshtarëve që të mund të shantazhojë kundërshtarët në mënyrë që këta të fundit, të mos denoncojnë korrupsionin e tij. Provohet edhe një herë se Berisha nis e përmend korrupsionin e opozitës sa herë që rrezikohet nga ndonjë skandal si i Gërdecit apo si ky i fundit i pastrimit të parave me mikun e tij, atë që mediat nëpër botë e përmendin si mafiozi Fazlliç. Shihet qartë se Berisha kërcënon me "antikorrupsion" për të bllokuar luftën reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas deklarimeve të bëra dy ditë më parë në Kuvend, Berisha duhet të përgjigjet minimalisht për fshehje të fakteve kriminale para drejtësisë, gjë që është thuajse të jesh bashkëpunëtor me krimin.


***


Ky është njëri shpjegim i kërcënimeve të Kryeministrit të "duarve të pastra". Një shpjegim tjetër është ai se Berisha nuk ka asnjë provë, asnjë dokument, asnjë film kundër liderëve të opozitës, por bën "filma" thjesht për ta shantazhuar atë me një trashëgimi korruptive që, edhe pse mund të jetë prezente, nuk është lehtësisht e dokumentueshme. Por tashmë është vonë që ai të tërhiqet. Berisha deklaroi se nuk do të heshtë më! Publiku po pret. Drejtësia po ashtu. Ora e transparencës së madhe nuk mund të shtyhet më. Do të qe vdekje për drejtësinë, shtetin ligjor, demokracinë dhe fitore për korrupsionin, mafien, krimin. Por pak shpresa ka se Berisha do të nxjerrë gjë. Sepse ai është i interesuar për shantazhin dhe jo drejtësinë. Edhe nëse vërtet di diçka, Berisha do të flasë vetëm në momentin kur t‘i rrezikohet pushteti. Dhe do të flasë sot nëse pushteti i tij rrezikohet sot. Por nuk do të flasë sot por nesër, nëse pushteti i tij do të rrezikohet jo sot por nesër. Vetëm çasti i pushtetit të rrezikuar, është "ora e transparencës" për Berishën. Ose e shpifjes. Ndaj sido që të ndodhë, opozita duhet të bëhet aleat me të vërtetën. Vetëm e vërteta do të nxjerrë në shesh nëse Berisha zotëron filma apo thjesht bën "filma". Sido që të jetë e vërteta, opozita del e fituar, sepse ose pastrohet nga segmente të korruptuara në lidership (gjë që Berisha nuk e do) dhe parandalon që Berisha t‘i nxjerrë provat në kulmin e zgjedhjeve të ardhshme (gjë që Berisha e lakmon, sepse mund të kishte pasoja të pallogaritshme për opozitën) ose, nxjerr blof Berishën dhe vazhdon aksionin për denoncimin e ndëshkimin e korrupsionit të tij dhe "fazlliçëve" që i rrinë rrotull, qofshin këta boshnjakë apo shqiptarë. Vetëm besnikëria e palëkundur ndaj së vërtetës, do ta shpëtojë opozitën dhe demokracinë nga kërcënimet e një pushteti qartas të mafiozuar që shpëtimin e vet nuk mund ta shohë kurrsesi te drejtësia, por te korruptimi dhe shantazhimi i opozitës.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Dhjetor, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Vlereso artikullin
0