24 ore lajme: Misteri Trebicka, krimi dhe politika qe vret drejtesine Misteri Trebicka, krimi dhe politika qe vret drejtesine ================================================================================ Andrea Stefani on 15 September, 2008 09:58:00 A është vdekja e Kosta Trebickës një aksident apo një vrasje? Dhe nëse është një vrasje, kush janë autorët e saj dhe motivet e tyre? Mos vallë janë mafiozë që, të pleksur me qeveritarë, duan të mbulojnë të vërtetën e tmerrshme të tragjedisë po aq të tmerrshme të Gërdecit? Këto janë dilemat që vërdallosen si rrallë herë këto ditë në publik dhe në media, duke e mbuluar me një mjegull dyshimi të gjithë, shtetin, qeverinë dhe drejtësinë. Kriza e mosbesimit është totale. Dhe nuk do të ishte kështu nëse në këto 18 vjet tranzicion do të ishin krijuar institucione të pavarura, një drejtësi dhe prokurori e pavarur nga politika. Por kjo e fundit, politika dhe liderët e saj, ka bërë të pamundurën për të mos lejuar lindjen dhe rritjen e një drejtësie të pavarur. Janë po këta liderë të fillimit të tranzicionit, si Sali Berisha, që po vazhdojnë me fanatizëm çmendurak veprën e tyre (projektligji skllavërues për prokurorinë është një tjetër provë) të mbajtjes së drejtësisë dhe prokurorisë nën zinxhirët e politikës, si një qen dhe për ta përdorur si një qen të frikshëm që mbron të zotin, duke ju skërmitur të drejtës dhe lehur kundër saj. Prandaj historia e tranzicionit në Shqipëri është e mbushur me vrasje dhe zhdukje qytetarësh dhe politikanësh (Azem Hajdari, Remzi Hoxha, Gjovalin Çekini) krime për të cilat një pjesë e opinionit akuzon politikanë dhe pushtete, dyshime dhe akuza që një "drejtësi" lolo e politikës dhe qeverive, nuk ka mundur t‘i fashisë. Prandaj ka dhe ka shumë hamendje, dyshim dhe mosbesim edhe për vdekjen e Trebickës, dëshmitarit kryesor për tragjedinë e Gërdecit. E vrau apo nuk e vrau politika, mafia apo qeveria, apo të gjitha bashkë, kjo ndoshta nuk do të zbulohet kurrë. Por e keqja më e madhe është se njerëzit nuk kanë besim "te shteti", nuk kanë besim se qeveria nuk është e përzier me krimin, sepse qeveria dhe politika nuk kanë lejuar të ngrihet një prokurori dhe drejtësi që të gëzojë besimin absolut të publikut si e pavarur nga qeveria dhe politika. Skllavërimi i drejtësisë dhe prokurorisë nga politika në tërë këto vite, po i kthehet politikës si një bumerang. Por edhe qytetarëve, lirive, të drejtave dhe jetës së tyre. * * * Ngjarje të rënda si vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka, shërbejnë për të bërë më të dukshme krizën e sistemit. Për të hetuar shkaqet e vdekjes po kërkohet edhe asistencë nga jashtë vendit. Madje edhe nga vetë prokuroria. Dhe nuk duket se bëhet fjalë për mungesë ekspertize. Por pikërisht për të kompensuar disi mungesën e besimit që ekziston sot në publik për vetë organin e prokurorisë dhe për një polici tepër të politizuar dhe të stërmbushur me militantë partiakë. Ndërkohë që opozita ka aluduar madje edhe akuzuar për një vrasje shtetërore të tipit mafioz, ministri i Brendshëm, Nishani, bëri thirrje që të priten konkluzionet e ekspertëve. Logjika e tij është e drejtë, por nuk mbështetet nga gjendja reale e gjërave, nga mbushja e radhëve të policisë me "ekspertë" që nuk gëzojnë besimin publik se mendojnë me kokën e ligjit dhe jo me kokën e partisë dhe qeverisë në pushtet. Po ashtu thuhet se edhe Kryeministri Berisha dha porosi të përfshihen në gjetjen e së vërtetës ekspertët më të mirë. Po a mund të shtojë optimizmin dhe davarisë skepticizmin një lajm i tillë, kur dihet se ç‘kupton Berisha me "ekspertët" më të mirë? Troç, kupton ata që dinë t‘i përpunojnë të dhënat jo si është e vërteta, por si ja do interesi politik Kryeministrit. Në Shqipëri, e drejta dhe e vërteta nuk ka ende ekspertët e saj, hetuesit e saj, gjykatësit e saj të lirë nga politika dhe korrupsioni dhe prandaj për gjetjen e shkaqeve të vdekjes së një qytetari, kërkohen ekspertë të huaj, hetues që të jenë të distancuar nga kthetrat e qeverisë shqiptare aq sa është e distancuar në kilometra Shqipëria prej Amerikës. Por, edhe për sa kohë do na vijë shpëtimi prej aq larg? Dhe a mund të mbrohen të drejtat dhe liritë e qytetarëve në këtë shtet duke importuar të drejtën nga jashtë? Nëse vdekja e një dëshmitari si Trebicka e mundëson një mobilizim të tillë të pazakontë, çfarë ndodh me krimin dhe ndëshkimin e tij në jetën e përditshme të miliona qytetarëve? Për atë lumë çështjesh që fryhet përditë nuk mund të ofrosh ekspertizë të huaj. Atëherë si i bëhet kur nuk ekziston besimi te drejtësia dhe akoma më shumë, mbrojtja që ajo duhet t‘i bëjë qytetarit të thjeshtë përballë orekseve të pushteteve gjithnjë e më të fuqishme politike dhe jo politike ose oligarkive të dala nga bashkimi i tyre? Ka një shpëtim. Vërtet nuk mund të importojmë drejtësinë dhe prokurorinë e SHBA, por mund të importojmë frymën e pavarësisë së drejtësisë. Asnjë zgjidhje nuk ka, asnjë shpëtim tjetër për qytetarët e këtij vendi, nëse drejtësia dhe prokuroria nuk krijon Di Pietrot e saj, Silvia Kontët dhe Katanët e vet, heronjtë e ligjit të aftë të deheroizojnë edhe heronjtë dhe kultet e politikës, nëse kjo është e drejtë. Nuk ka shpëtim për qytetarët dhe demokracinë pa prokurorë dhe gjykatës me devocion për të mbrojtur ligjin, qytetarin, liritë dhe të drejtat, jetën dhe pronën e tij kundër lakmive të pushteteve politike mjaft të korruptuara dhe mafieve. Prandaj sot kur për faj të agresionit të politikës, dyshimi për pavarësinë e prokurorisë është në klimaks, pikërisht sot, është momenti që prokuroria të dëshmojë së është e aftë të çlirohet nga thonjtë e politikës. Gërdeci, Rrëshen-Kalimashi, rasti "Trebicka" janë guri i provës për çlirimin e drejtësisë nga prangat e një politike, korruptimi i së cilës nuk ka nevojë të komentohet, por është jetike për shtetin që të ndëshkohet nga ligji i shtetit. * * * Kjo është gjendja (por edhe sfida për drejtësinë), në të cilën e kanë katandisur liderët tanë politikë që po na qeverisin prej 18 vjetësh, shtetin. Një shtet pa shtet. Sepse një shtet pa institucione drejtësie të lira, të guximshme dhe të afta që ta zbulojnë dhe denoncojnë krimin edhe kur ai i ka rrënjët në majat më të larta të politikës, një shtet i tillë nuk është shtet. Aq më pak një shtet me liri. Kjo gjendje e një pushteti drejtësie të skllavëruar, të trembur, të këtij pushteti pa pushtet, është prova më e trishtë e dështimit të tranzicionit që premtoi t‘ia bashkonte Shqipërinë familjeve të shteteve perëndimore, ku nuk sundon qeveria, ku nuk sundon kryeministri, ku nuk sundon shumica parlamentare, por vetëm Kushtetuta dhe Ligji. Të gjithë këta të tjerët vetëm duhet të qeverisin brenda parcelave të pushteteve që ju ka njohur Kushtetuta dhe Ligji po jo të sundojnë. Mjerisht në Shqipëri ka sunduar dhe sundon ose Kryeministri ose Presidenti (varet se cilin nga këto poste kanë pasur dhe kanë liderë si Berisha apo Nano), të cilët kanë bërë si kanë dashur me drejtësinë. Pra, edhe me krimin. Dhe nëse krimi dhe korrupsioni lulëzojnë sot të lirë në Shqipëri në përmasa të llahtarshme, kjo është rrjedhojë pikërisht e "burgosjes" së drejtësisë nga këta sundimtarë të politikës. Prandaj shpëtimi i demokracisë dhe lirisë sot është në duart e prokurorëve dhe gjykatësve. Sepse lidershipi i vjetër politik ka në dorë vetëm fatin e Shqipërisë, por fatin e saj të zi. Ai do vazhdojë në rrugën e mohimit (me vepra dhe jo me fjalë) të rolit të pavarur të drejtësisë në shtet. Prandaj nuk është një rastësi, por shfaqje e kësaj mendësie totalitare, antievropiane, antiperëndimore, antiliri dhe pro korrupsionit, një tallje e vërtetë me ndarjen e pushteteve të shtetit dhe me shtetin vetë, spoti i shëmtuar, hipokrit dhe populist i Kryeministrit Sali Berisha që si shpëtim nga korrupsioni i fton qytetarët të denoncojnë korrupsionin në celularin e Kryeministrit! Nuk ka formë më elokuente të pohimit se shteti ka marrë fund, se drejtësia ka marrë fund, se institucionet kanë marrë fund dhe se për qytetarët ka mbetur vetëm një shpëtim. Dhe ky është Kryeministri që shfaqet si mishërim i shtetit që ai vetë e ka vrarë duke vrarë lirinë e drejtësisë, të Kryeministrit që, pasi nuk u ngop duke përhapur idenë perverse "shteti jam unë", tani tallet me qytetarët, duke publikuar po me paratë e qytetarëve spote vulgaro-narciste, ku i thotë vetes dhe atyre "drejtësia jam unë"!