24 ore lajme: Kryeministri im - si kalli misri Kryeministri im - si kalli misri ================================================================================ Ilir Yzeiri on 04 September, 2008 07:04:00 Demokracia, siç thonë socio-psikolinguistët, veç të tjerash, është edhe imazh, është qarkullim i shumëfishtë mesazhesh që, më së shumti, vijnë nga ligjërimet skripto-vizuale dhe audio-vizuale, gjithashtu. Dallimi mes vendeve me demokraci të zhvilluar dhe vendeve në zhvillim apo me demokraci informale, me mbeturina fisnore, si kjo e jona psh., është se të parat kanë si të vetmen mënyrë komunikimi mesazhin dhe imazhin që krijon ai, të dytat janë të detyruara që të përtypin mesazhet që të krijojnë efektin e propagandës. Rasti më spektakolar është dhe do të mbetet Kryeministri i vendit tonë. Sa herë që ai shfaqet në televizion dhe jep një mesazh, publikut i vjen një imazh tjetër. Po ç’është ky imazh? Kërkuesit thonë se një mesazh ka nevojë për ankorim dhe në këtë kuptim, deiktikët apo përemrat vetorë janë ankoruesit kryesorë. Ndaj edhe Kryeministri ynë përdor përemrin “unë” për të ankoruar mesazhin e tij. Mirëpo, meqenëse ai nuk përfshin qytetarin Sali Berisha në mesazhin e tij, pra nuk e përfill veten si një nga bashkëfolësit e tij, ne të tjerët nuk kemi mundësi të identifikohemi me të. Ai, ashtu si pllakatet e kryetarit Mao, e përdor përemrin “unë” që të dallohet prej nesh, që ne tek ai të projektojmë Mesinë, njeriun që na mbron, që lufton me shpatë në dorë korrupsionin, që na fut e na nxjerr nga NATO-ja, etj. Në shumësinë e imazheve që transmetohen e krijohen për ditë, Kryeministri ynë na del edhe si një shtetar që ka instaluar korrupsionin, që është përzier bashkë me familjen në afera të dyshimta, etj. Për këtë, me anë të asosacionit, njerëzit, sapo shikojnë kryeministrin në televizion, sjellin në përfytyrim Gërdecin. Duke qenë kështu, sa herë që ai shfaqet në ekran, si në spotin e fundit promocional, efekti kontekstual i thënies së tij në vend që të të krijojë besim, në rastin më të mirë të bën për të qeshur, në rastin më të keq, të bën të mendosh se kemi të bëjmë me një kryeministër që ka probleme të mëdha, qoftë si subjekt thënës, qoftë si shtetar. Pikërisht këtë efekt të përkundërt kishte spoti tjetër, ai i Lëvizjes “G99”, që shfaqte efektin e publikut, që është ironia, për spotin e kryeministrit. Mirëpo, paradoksi nuk mbaron këtu. Imazheria kolektive mbushet përditë me shfaqje groteske. Në të kundërt të imazhit që u përpoq të krijojë kryeministri i vendit tonë me spotin promocional, ishte “spoti” i paporositur i fermerëve të dëshpëruar që tregonin një kalli misri pa kokrra. Në imazhin kolektiv, përveç Gërdecit, u shtua edhe imazhi i kallirit të misrit pa kokrra. Pra, në këto ditë, imazhet që po na sulmojnë më shumë në mendje dhe në frymë janë kryeministri që thotë se unë bëj këtë dhe atë, imazhi që tallet me këtë spot dhe imazhi i fermerëve të dëshpëruar që tundin në dorë një kalli misri pa kokrra. Në nënvetëdije, me anë të motivimit metaforik, pra me anë të ngjashmërisë apo edhe me anë të motivimit metonimik, pjesa për të tërën, në nënvetëdijen e publikut, pra, krijohet menjëherë një imazh tjetër: Kryeministri ynë, si kalli misri pa kokrra, sepse kjo metaforë shënjon në mënyrë të mrekullueshme tipin e komunikimit propagandistik që në mentalitetin kolektiv është fiksuar, veç të tjerash, edhe si një makinë që punon jo me karburant, por me buri. Mbaj mend se në kohën e diktaturës, kur lexoja për të kuptuar efektet e teksteve në përgjithësi, më kishte rënë në dorë një libër që tregonte se rënia e një diktature mund të shënjohet edhe nga efekti i përmbysur i parullave dhe dogmave. Për ata që e mbajnë mend atë kohë, dua të kujtoj një parullë të famshme: “T’u qepemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë edhe ato pjellore si fushat”. Në fillim, kjo parullë kishte ndoshta edhe dëshirën naive për të shtuar tokën bujqësore dhe lindi si e tillë aty nga mesi i viteve ’60. Mirëpo qëndroi aq gjatë në sytë e shqiptarëve, sa më vonë nisi të prodhojë efekt të kundërt, filloi të të bëjë për të qeshur. Kështu po i ndodh edhe Kryeministrit të vendit tonë. Mesazhet e tij, sapo i dëgjon të bëjnë për të qeshur, pastaj të trishtojnë. Pse ndodh kështu? Sepse kryeministri i vendit tim nuk është qytetar në kuptimin filozofik të këtij termi. Ai nuk identifikohet me bashkëqytetarët e tij. Ai në mesazhet që jep nuk thotë të vërtetën. Si lider i një force politike, në pluralizëm, është e kuptueshme që të mos pëlqehesh nga të gjithë, por si kryeministër duhet që të respektosh disa rregulla të bashkëjetesës. Në qoftë se ndaj teje bëhet një akuzë publike, t’i duhet ta sqarosh atë në gjykatë. Në qoftë se ndaj teje humbet besimi publik, t’i duhet t’i drejtohesh publikut me mesazhe që synojnë të thonë të vërtetën dhe jo të bësh të kundërtën. Rasti më flagrant nuk është Gërdeci, është gjoba dhe urdhri që ti jep për të ndëshkuar ata që bëjnë ironi me ty, pra për të ndëshkuar një pjesë të publikut. Në një qytet (gjithmonë sipas kuptimit të grekëve të lashtë) kjo është e papranueshme, sepse qytetarët e ndiejnë veten të barabartë dhe pushtetin e delegojnë një herë në disa vjet. Ndërsa defekti i lindur i Kryeministrit tonë është se pushtetin e quan pronë që mund ta rrëmbejë dhe ta bëjë të ligjshëm me dokumentet e nënshkruara nga ALUIZNI. Ndaj edhe përemri “unë” që shfaqet rëndom në të folmen e Kryeministrit të vendit tonë shpreh më së miri ndarjen, veçimin e tij nga publiku i qytetit, shfaq gjithashtu qendërzimin primitiv që e ndërton jetën dhe veprimin duke përjashtuar të tjerët, duke mos i llogaritur ata dhe duke i fyer. Për fat të mirë edhe demokracitë e brishta si kjo e jona, nuk e mundësojnë realizimin e këtij tipi. Këto demokraci e projektojnë këtë tip qeveritari si karikaturë dhe mesazhet e tij si batuta skeçesh nga ato të estradës së ushtarit.