24 ore lajme: Asgjesimi i parimeve Asgjesimi i parimeve ================================================================================ Vangjush Saro on 03 September, 2008 01:13:00 Në disa shkrime kohët e fundit, shohim një lloj debati për shtypin. Debatuesit kanë cekur (së paku, ashtu iu duket) probleme të rëndësishme të shtypit. Asgjësimin e parimeve, për fat të keq, nuk e kanë cekur. Të gjithë e dinë se kjo qeveri nuk e fitoi dot luftën me korrupsionin dhe trafiqet; (atëherë u tha se do të çmontohej mekanizmi i korrupsionit). Mirëpo sot, krerët e shumicës akuzohen se janë të lidhur ose më e pakta, rezultojnë mbështetës të këtij fenomeni në rritje. Por shumë media heshtin. Të gjithë e panë se si ky pushtet, për të dytën herë, e shkeli me këmbë shenjtërinë e pronës private, aq sa ka vënë në dyshim hapat e mëtejshëm integrues të vendit; dhe prapë, një pjesë e mirë e mediave e mbajnë gojën kyçur. Statistikat e muajve të parë të vitit 2008, folën për një rritje të vazhdueshme të deficitit tregtar; (përmbi 20 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar). Por shumë gazeta kopjojnë atë çka ofron zëdhënësi më i parë. Faleminderit me kaq! Dhe prapë: Parime, lamtumirë! Situata e problemeve sociale, paraqitet mjaft e rënduar, (për të mos e tepruar me cilësorë të tjerë). Pabarazia, babëzia, padrejtësitë sy për sy, papunësia, fukarallëku, kanë prodhuar një tufë me halle, nga më të padëgjuarit ndonjëherë. Dhe qeveria e sotme pothuaj i ka lënë pas dore çështje të tilla, tradicionalisht të vështira, për më tepër në një shtet që kurrherë nuk mban përgjegjësi për dramat e qytetarëve të vet. Për shkallën e papunësisë, institucionet në varësi të ekzekutivit, nuk thonë asnjëherë të vërtetën. Dhe prapë disa nga mediat shkelmojnë parimet dhe përcjellin mediokritete të tilla, si “Filanka, ajo e kafazit, po shkruan një libër...”. Nga shumë kolegë, është harruar krejt e famshmja “Skema e kafshatës”. Rritja galopante e çmimeve, sikundër ndryshimet e herëpashershme në skemat e sigurimeve, e kanë sfumuar edhe atë pak rritje të pagave e pensioneve, që megjithatë, gjithnjë është shoqëruar me bujë të madhe. Kakofonia e ligjeve dhe udhëzimeve fiskale, çmimet e referencës dhe termat e tjerë lloje-lloje, që ndryshojnë e kokolepsen dita-ditës, i kanë mbërthyer paq bizneset e këtij vendi dhe vetë fatin e qytetarëve të tij. E megjithatë, disa media (më saktë shumica, sepse ato që vazhdojnë të ruajnë integritetin profesional, sot numërohen me gishtat e dorës) e kanë qepur gojën; ose janë të prirur, më së pari, vetëm për beteja “personale”. Le të vijmë më këtej në kohë. Të gjithë konstatojnë se po bëhen përpjekje për ta hedhur pas krahëve tragjedinë e Gërdecit dhe faji mbeti qyrk; të gjithë e panë se si ish-emisarët e SHIK-ut akuzonin njëri-tjetrin për vrasjen e biznesmenit Hoxha, por u kthyen sërish në detyrat e tyre “të shenjta”, ku i kërkon dhe i mbron Partia. Këto dhe të tjera, këto media i harrojnë shumë shpejt, për t’i zëvendësuar me aktivitetet e mërzitshme të Kryeministrit e të Kryeparlamentares; pa u shqetësuar aspak që është krijuar një hendek i thellë mes tyre dhe publikut. Humbja e parimeve është një nga arsyet kryesore pse sot shumë media gjenden të hutuara, të shkrehura, pa politikë editoriale, pa motive mbijetese, pa mbështetje nga publiku, pa strehë, pa rrobe fare. Të thuash, lakuriq. Pak a shumë si fotot nudo të vajzave a grave, që ato i botojnë në faqen e parë, në pothuaj gjysmën e sipërfaqes së çmuar, gjoja në emër të... specialeve të tyre. Sërish duke shkelur parimet. Meqë ra fjala, edhe debatuesit e mençur kanë folur shumë pak për “specialet” me nudo e “vip”-a; mbase ngaqë shfaqen edhe vetë ndonjëherë në këto rubrika. Por kjo është një vogëlsi, përballë faktit që ata ende nuk kanë zënë në gojë risinë më të hidhur në këtë fushë: një pjesë e mediave janë bërë copë e çikë për të “pastruar” figura të dyshimta e personazhe të padëshirueshëm; tamam ashtu siç pastrohen paratë e pista. Kështu ka ndodhur deri diku me përpjekjet e dështuara për të shpëlarë figura të diskredituara, si disa ish-drejtues të SHIK-ut apo të policisë në vitet ‘96-97; ka ndodhur kjo edhe me familjarë të krerëve të qeverisë a të shtetit, që kanë rrëfyer “ndershmërisht” sa ndershmërisht e kanë vënë pasurinë e tyre. E të tjera, e të tjera. Ajo që gjithashtu iu mungon shumë analizave të derisotme, duket se është edhe verifikimi i fenomenit të “trafikimit”... Ashtu siç ka ndodhur rëndom shitblerja e votave, shitblerja e deputetëve, shitblerja e tenderëve soj-soj, e mendjeve intelektuale madje, edhe shumica e mediave na rrëfejnë sot sa zbuluar kanë dalë - apo janë të detyruara të dalin - përpara qytetarëve, hera-herës të zhgënjyer prej tyre. E vërteta është se një pjesë e mediave shqiptare, prej kohësh, e kanë braktisur publikun e gjerë. Ata që sot mbahen si “gazetarët” më me emër, ca analistë të përjetshëm dhe moderatorë muhabetesh medemek politike pa fund në TV, i shohin zhvillimet e sotme nga perdet e bukura të hoteleve më të mëdha të vendit, që shpeshherë janë burimi i preferuar i informacionit dhe thashethemeve. Edhe në se duhet të shkelin diku, e bëjnë këtë vetëm atje ku gjendet kryeministri apo pushtetarë e politikanë të tjerë, që tashmë shpirtërisht janë shumë larg popullit të djathtë e të majtë, për të cilin (thua se) përgjërohen. Por më në fund, asgjë nuk varet nga debatuesit dhe teoricienët e medias. Thelbi i debatit në fjalë, pas shumë kohësh heshtjeje e pajtimi me mediokritetin, është një zhvillim pozitiv. E mbase kjo i ndihmon shumë nga mediat të kthehen në bazë; në se nuk është fjala për ndonjë fanfarë, siç kanë qenë rëndom shumë zhvillime të tjera në këto vite tranzicioni.