OPINION/ (Pu)shteti dhe (nën)shtetasi
Eshtë mjaft interesant të hulumtohet rreth marrëdhënies së çuditshme e të koklavitur mes (pu)shtetit dhe nënshtetasve të vet që prej krijimit të shtetit shqiptar, pra që nga viti 1912 e tëhu!
Ndoshta akademikët e rinj, të porsa-përzgjedhur me aq kujdes nga nëna e gjithëpushtetshme parti, do të hyjnë edhe këtë temë të vështirë e të patrajtuar, në mënyrë që sëmundjet, prapësitë e mangësitë e ndërsjella që janë vënë re përgjatë 96 viteve vetëqeverisje, të mos përsëriten në shtetin e ri të Kosovës. Nëse udhëheqësia e re kosovare është aq e mençur dhe mjaftueshëm idealiste sa të ketë kuptuar sa rrezikprurëse janë këto dobësi, pra nëse do të shmangen që në fillesë defektet dhe abuzimet e shtetit e pushteteve me qytetarët e me vendin e vet, punët në Kosovë do të venë më mirë se tek ne! Por nëse edhe andej shteti dhe pushtetet do të “privatizohen” e do të përdoren si mjete për pasurim të shpejtë, për rrëmbim pronash, për bajrak-arbitraritet, për vetëmburrje dhe për karfosje tipike arnaute, (“Mua më vjen prapa historia!”), duke vënë interesin publik nën hyqmin e interesit vetjak, atëherë “çështja shqiptare” do të marrë edhe një rrokullimë tjetër për teposhtë! Do të jemi sërish “delja e zezë”, të vonuarit historikë të Ballkanit, edhe për shkak “të bishtit” që na kanë ngjitur: ne nuk jemi shtetformues!
Pyetja është fare e thjeshtë: A janë ndërtuar në këto vite në Shqipëri marrëdhënie mirëbesimi e mirëkuptimi mes shtetit dhe nënshtetasve, mes shtetarëve dhe qytetarëve, mes atij që ndryshe quhet atdhe dhe bijve të vet? A ka vlerë dhe dinjitet pasaporta shqiptare? A e ndërtojmë dhe a përpiqemi të mbrothësojmë shtetin tonë, atdheun, qytetin a katundin, institucionet dhe monumentet e kulturës, apo i shkatërrojmë dhe i rrënojmë përditë (nuk ka asnjë rëndësi mënyra e shkatërrimit, me apo padashje, pasi edhe kjo “padashje”, në këtë rast e shton dhe nuk e pakëson fajin tonë kolektiv!), për shkak të marrëdhënieve tejet të vështira e të dyshimta, shpesh armiqësore, për të mos thënë kanunore, që janë sendërtuar në këto 96 vite mes shtetarëve dhe nënshtetasve, mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve, mes të vetemëruarve dhe popullit, mes Ligjit dhe Maliqit, mes fjalës UNË dhe fjalës NE?
Pa pretenduar të jap ndonjë përgjigje të kënaqshme, u zhyta padashje në paramendime ogurzeza kur lexova kujtimet e gjeneral Qazim Kondit. Në “Kujtime” ai shkruan: “…Në Tiranë, një natë fjetëm në hotel Internacional, ose han si i thoshin tiranasit, që ishte aty prapa ish-godinës së Bashkisë. …Në atë han, poshtë strehoheshin kuaj e gomerë, në një kat ishte vendosur qeveria, që sapo kishte dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe deputetët, kurse kati tjetër ishte hotel… Ndriçimi bëhej me kandil…Përreth hotelit kishte baraka ku bëhej tregtia e çikërrimave. E midis tyre kalonte një vijë uji ku ishin të pranishme, gjithë ditës, rosat e patat…Ky ishte kontakti i parë me Tiranën e marsit të vitit 1920”…
Që nga viti 1920 kanë kaluar 88 vite, por simbolikisht, “skena teatrore” e qeverive tona thuajse ka mbetur e pandryshuar. Natyrisht qeveritë, të formuara herë me zgjedhje e herë pa zgjedhje, herë me “zare” e herë me dajak, herë monarkike e herë kuislinge, herë si diktaturë e proletariatit dhe herë si demokraci e votës së vjedhur, nuk flenë e as nuk punojnë më nëpër hane, poshtë të cilave strehohen e pëllasin gomerët, ndërsa lart flenë e këndojnë çingijet…Vetëm se nuk jam fort i sigurt nëse ministrat e deputetët që punonin e flinin mbi “katin e parë të gomerëve” e që, sa dilnin në rrugë, para se të dëgjonin hallet e popullit, dëgjonin krrakërrimat e rosave e patave, ishin më pak idealistë e më pak të kulturuar se ministrat dhe deputetët e sotëm. Nuk më bën zemra p.sh, të krahasoj ministrat e sotëm me Fan Nolin, Zogun, Luigj Gurakuqin, Delvinën, Avni Rustemin, Hasan Prishtinën e plot të tjerë! Po të isha partiak, do të thosha se p.sh, ministri Nishani apo ish-ministri Ndoka, qëndrojnë shumë më lart intelektualisht se Zogu, Pango ku e ku më lart se Gurakuqi, rektori Shashka i Vlorës ka merita më shumë se I.Qemali, etj, po nuk guxoj të hallakatem në këtë lëmë të krahasimeve që përherë çalojnë e që automatikisht të futin “në një shteg të lig që të merr (të turpëron) dyfekun”….
Por ajo që ka mbetur e pandryshuar, (për të mos thënë se ka shkuar në përkeqësim të pandalshëm), është mosbesimi e mosmirëkuptimi i ndërsjellë i shtetit dhe i shtetarëve me nënshtetasit e vet, keqsjellja e politikës dhe e politikanëve ndaj dobisë e nevojave të popullit, gjë që ka shtuar mundësinë e rritjes dhe aspak të fashitjes së armiqësisë (herë të shpallur e herë të pashpallur) të individit ndaj pushteteve e pushtetarëve, ndaj bashkëjetesës harmonike në komunitet, si dhe,- kjo është më keqsjellësja!- ndaj interesit publik e sidomos ndaj pronës publike, të cilat vazhdohet të trajtohen si armiq të përbetuar të individit. Për këto arsye një “Unë” i çfarëdoshëm, qoftë edhe anonim i pafuqishëm, është në luftë e në mosbesim të pandërprerë me “Ne”-në, ngaqë kujton se, ashtu si pushteti, edhe Ne-ja e kërcënon.
Sado të rrëmosh në historinë tonë të re, zor se do të gjesh ndonjë qeveri apo shtetar që të ketë mbjellë me shembullin e vet qoftë edhe një “pemë mirëbesimi” në shoqërinë shqiptare, duke pajtuar fjalën “Unë” me fjalën “Ne”. Mjerisht, të gjithë shtetarët, pasi kanë hequr të ndenjurat nga karriget e pushtetit (shumica janë larguar me përdhunë), kanë lënë pas vetes në mos një emër të keq e trashëgimtarë më të këqij se vetja, po edhe farën e mosbesimit të hedhur e të hapërdarë nëpër çdo skutë të shoqërisë dhe moralit kombëtar, sepse kanë menduar vetëm për veten e për familjen e tyre e aspak për interesat e shoqërisë e të nënshtetasve. Për këtë arsye, shqiptari në aktet zyrtare e ka merituar parashtesën “nën” para fjalës “shtetas”! Ne kemi mbetur nënshtetas, po nuk jemi bërë shtetas, qytetarë, në atë kuptim që i jep shoqëria moderne qytetarisë.
Le të vazhdoj edhe me një kujtim tjetër të gjeneral Kondit, sepse kështu besoj se mund të jem më pranë së vërtetës dhe synimit për të “rishkruar historinë”. Pas fjetjes në han, Qazimin fëmijë e futën në Strehën vorfnore. Streha quhej “Amerika” dhe drejtohej nga një amerikane e respektuar me emrin mis Haswll Uiljams. Pas dy a tri vitesh, kjo Strehë vorfnore u “shtetëzua”…Administrimin e shkollës e mori në dorë administrata e re shqiptare. Ja ç’kujton gjenerali: “Nga administratorët shqiptarë në Strehë filloi reprezalja…Na u grumbulluan rrobat e shumta, u varfërua ushqimi, sepse vidhej nga personeli dhe u keqësua kujdesi dhe komunikimi me ne. Midis fëmijëve e personelit, tani të ri, gradualisht u fut fryma e kundërshtimit dhe e urrejtjes, duke arritur në vitin 1924 në protestën e organizuar…Mjerë kush e kalon jetën mendërisht e fizikisht i nënshtruar!”…
A nuk sillet kësisoj edhe administrata e sotme shqiptare, edhe kur ndodh Gërdeci, le më pastaj kur ndahen pronat e kur bëhen privatizimet e tenderat? A nuk po shkatërrohet në mënyrën më barbare prona publike?
***
Një shqiptar i mençur nga Maqedonia është shprehur: “Ju keni popull të fortë, po shtet të dobët; ne këtej kemi shtet të fortë, po popull të dobët”…Këto fjalë më kanë mbetur si gozhdë në tru, pasi, shpesh trysnohemi nga analiza politologësh e analistësh të pavarur, të cilët pohojnë përditë të kundërtën, se ne, medemek, jemi një “popull pa kulturë demokratike” e që përherë “zgjedhim atë qeveri që meritojmë”, herë Salën e herë anti Salën! Pra ne paskemi edhe “popull të dobët”, edhe “shtet të dobët”, pasi, për fajin tonë, pra të “zgjedhjes” sonë syleshe, ata që drejtojnë shtetin janë të destinuar të mbushin kapilaret e shtetit e të pushteteve me të paaftë, me mediokër partiakë, me hajdutë e të korruptuar, mjaft që këta të jenë ose militantë, ose farefis…Sipas këtij përfundimi qarku del i mbyllur: ne qenkemi të kapur si miu në çark, gjë që nënkupton se Streha jonë vorfnore, d.m.th, Shteti, nën drejtimin e administratës së kësollojtë, ka për të qenë përherë strehë me “frymën e kundërshtisë dhe të urrejtjes së ndërsjellë”...Por kur dal nga Tirana e shkoj jo vetëm në jug, po edhe në veri të Shqipërisë, gjykoj krejt ndryshe. Nuk ka vend të ish-Lindjes, aq më pak ndër fqinjët tanë, që të ketë një “egërsi” të tillë ndërtimesh. Nuk gjen shtëpi pa çati të re, nuk gjen katund pa shtëpi të reja. Mjafton të shohësh ç’ka ndodhur anash autostradës Tiranë -Durrës. Jo vetëm paratë, po djersa është derdhur lumë! Po realizohet profecia e një tironsi të moçëm që ka pas thënë se do të vijë një ditë që “macja, tjegull më tjegull ka për të shku nga Tirona në Durrës”. Shqiptari rropatet në emigracion, jashtë vendit bën punë të zeza, po ama shtëpinë e lindjes e bën si vilë! Kjo provon se individi, homos albanicus, ka një gen kokëfortë, të panënshtruar e mjaft rezistent ndaj së keqes dhe fatkeqësisë, duke qenë përherë i hapur ndaj së resë…Por ky individ, mjerisht, nuk ka pasur besim te shteti; as sot e kësaj dite nuk e quan aleat shtetin e vet. Sepse shteti sillet si pushtues, si padron absolut, si një mekanizëm që nuk ka lidhje organike me interesin e popullit, por vetëm me vjeljen e të ardhurave që hyjnë në xhepin e zyrtarit. Ky shtet arrogant nuk krijon horizont e mundësi zhvillimi, po e detyron individin të hedhë paratë dhe djersën për ndërtimin e shtëpisë dhe aspak për lëvrimin e tokës së lënë djerrë. Ndërtimet pa leje, të rrokopujshme, të hedhura në hava, larg çdo sistemi urbanistik, pa respektuar asnjë rregull të komunitetit e të interesit publik, pa vizion, provojnë se në Shqipëri individi punon për hesap të vet e shtetarët për hesap të vet! Shteti mburret kur arreston njerëz me shumicë (aq sa tani “me mik” mund të gjesh ndonjë vend “të mirë” në burg), po ama nuk ndjen asnjë keqardhje e nuk mban as edhe një përgjegjësi për shkaqet e rritjes së kriminalitetit dhe korrupsionit, të analfabetizmit, ngujimit, të plantacioneve me drogë që korr policia, vrasjeve dhe vetëvrasjeve që po e korrin popullin si të jetë në luftë! Kronikat e zeza të arrestimeve serviren si kronika suksesi e vetëlëvdimi të qeverisë, shumë më tepër se kronikat e ndonjë rruge apo ujësjellësi! Kësisoj, vetë qeveria na trajton ne, nën-shtetasit e bindur, si pjesëtarë të një bande, të një shoqërie të inkriminuar deri në palcë!
Ky absurditet shkon deri aty sa një i fortë i një katundi në veri, i lidhur me pushtetin, zë burimin e fshatit, “e privatizon” dhe i detyron bashkëfshatarët të paguajnë jo vetëm për ujin e pijshëm, po edhe për vaditje! Për të mos folur pastaj për privatizimet dhe legalizimet! Po të dha pushteti një pronë, një ofiq, një post që nuk të takon, nuk ka gjykatë e opinion publik që të ta heqë! Rasti “Sefgjini” është më i spikaturi për ilustrim! Pushteti ekzekutiv, ky sovran i dehur nga fuqia e vet e pakufizuar, a nuk na e jep edhe ujin e dritat kur dëshiron? A nuk pajtohemi ne me këtë poshtërim dhe a nuk lumturohemi kur na i heqin dritat dhe ujët, se rrimë me shpresën se do të vijnë dhe a nuk vuajmë kur na i lëshojnë, sepse mbetemi me frikën se mos na ikin prapë?...Më troç, kur shteti (kupto udhëheqësi) “të bën nënën”, atëherë e nderojmë, i bindemi, i themi baba… Këtë lloj marrëdhënieje të mbrapshtë dhe absurde kemi ne me shtetin e me pushtetet, natyrisht jo dhe aq për fajin tonë! (Kështu u sollëm me Enverin, kështu po sillemi edhe me Salën!)….Po edhe për fajin tonë, pasi me sa duket nuk bëhemi dot “NE”! Shqipëria duhet të jetë rast unikal që jo vetëm partitë, po sidomos shoqatat, sindikatat, OJF-të, shoqëria civile e mediat nuk janë e nuk bëhen dot kurrë NE. Në tufë ato janë ca si punë repartesh me mercenarë e nëpunës të paguar kushedi se si e nga kush, që gjithsesi komandohen nga një UNË i pazëvendësueshëm dhe i pagabueshëm! Ja përse marrëdhënia shtet-pushtet-nënshtetas-qytetar-institucione tek ne është edhe dashuri, edhe urrejtje, gjë që na bën të ecim si gaforrja, herë para e më shumë prapa.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | |
| 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 |
| 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 |
| 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 |
| 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj