Ne sot jemi Taulant Balla!
Një ngjarje sa e turpshme aq edhe tronditëse ndodhi në Parlament. Kryeministri në prani të mediave kërcënoi dhe ofendoi një deputet të Kuvendit, një përfaqësues të popullit. Përtej kërcënimeve dhe fjalorit banal ngjarja është tronditëse, pasi dëshmon një mungesë të theksuar të stabilitetit mendor të kryeministrit, një humbje të kontrollit në sallën e Parlamentit dhe në prani të kamerave. Duke pasur parasysh se Berisha është kryeministër i të gjithëve çdo shkarje e tij është për pasojë edhe një shqetësim mbarëkombëtar. Shkarja e fundit është akoma më shqetësuese pasi ajo nxori në pah se mungojnë tërësisht standardet apo institucionet, që duhet të kufizojnë dëmin që shkakton shkarja njerëzore e kryeministrit. Balla pasi u kërcënua dhe ofendua nga kryeministri, u kërcënua dhe u ofendua edhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe më pas u përjashtua nga Byroja e Kuvendit.
Dhe pikërisht këtu fillon momenti tronditës i ngjarjes. Institucionet tona demokratike si Kuvendi, jo vetëm janë të paafta të amortizojnë shkarjen e një pushtetari, por përkundrazi bëhen instrumente të verbra të saj. Humbja e kontrollit nga kryeministri Berisha të shkakton turp, tronditje por edhe keqardhje teksa shikon kryeministrin të katandiset në një fjalor, që është shumë poshtë nivelit të tij social dhe kulturor. Për të gjithë ne që kemi pasur privilegjin ta njohim nga afër kryeministrin ka qenë kënaqësi konstatimi se në marrëdhënie personale ai ishte një individ civil, mjaft i sjellshëm dhe i edukuar. Shumë ndryshe nga stili shpesh ‘halabak’ i politikanit socialist formatuar sipas modelit të atëhershëm, Nano. Për të gjitha këto arsye reagimi i djeshëm i kryeministrit përveç tronditjes të shkakton edhe keqardhje. Ama reagimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, të shkakton thjesht revoltë. Është reagimi histerik i një vegle të verbër që jo vetëm nuk di ta amortizojë shkarjen e shefit të saj, por përkundrazi e përkeqëson atë. Institucioni i kryetares së Kuvendit shpejton të bëhet palë në shkarjen e kryeministrit, duke e thelluar atë edhe më tej.
Kjo është një situatë që ka ndodhur sa e sa herë më parë në qeverisjen e PD-së, rreziqet e së cilës i kemi parë dhe provuar të gjithë. Shpesh Berisha rrethohet nga vartës servilë me zellin e tepruar për t’i bërë qefin shefit. Dikur vartës të tillë rrahën në mënyrë publike deputetët e opozitës në sheshin “Skënderbej” në vitin 1996. Sot po kjo tipologji ofendon dhe përjashton publikisht një deputet të opozitës për t’i bërë qejfin një shefi që e ka humbur tërësisht kontrollin dhe arsyen. Është e njëjta tipologji servile individësh që del të denoncojë deputetin Balla se është bërë mistrec, por që nuk guxon të shikojë dhe pranojë atë që e shohin të gjithë; shefi e humbi kontrollin dhe arsyen.
Natyrisht çdo deputet apo simpatizant i Berishës ka të drejtë të revoltohet nga provokimet që deputeti Balla i bën Berishës me familjen dhe vajzën e tij. Ashtu sikurse vetë zoti Berisha ka arsye të nxehet kur i sulmojnë familjen apo të bijën. Megjithatë, duhet kuptuar se familja e kryeministrit është një çështje publike si politikisht ashtu edhe ligjërisht, siç dëshmon edhe ligji i konfliktit të interesave. Me apo pa të drejtë familja e kryeministrit është akuzuar se është përfshirë në një sërë aspektesh të qeverisjes. Është e drejta e opozitës t’i bëjë këto akuza. Ashtu sikurse është e drejta dhe detyrimi kryeministrit t’i hedhë ato poshtë me fakte dhe në mënyrë publike. Natyrisht në një botë ideale asnjëra nga palët politike nuk do duhej të merrej me familjen e palës tjetër, por me çështjet parimore dhe programet politike. Ama kjo është pasojë e kulturës dhe stilit politik që ka ndërtuar vetë zoti Berisha. Në cilësinë e kryetarit të opozitës, por edhe si kryeministër, Berisha ka denoncuar publikisht të gjithë familjarët e kundërshtarëve të tij politikë. Mjafton të kujtojmë këtu vetëm akuzat ndaj bashkëshortes së ish-kryeministrit Nano, Xhoana Nano, që ishin jo thjesht aludime por akuza të rënda penale. Prandaj përpara sesa të sulmojnë dhe denoncojnë kolegun e tyre Balla, skifterët e zotit Berisha në pamundësi për ta zëvendësuar duhet të punojnë që kryeministri të mos e humbasë më kontrollin.
Fatkeqësisht deri tani vartësit e zotit Berisha kanë treguar se ata janë thjesht instrumente si të arsyes ashtu edhe të mosarsyes së tij. Prandaj është e kotë të presësh që ata t’i vënë kufi shkarjes së kryeministrit. Aq më tepër që diçka e tillë nuk po bëhet as nga Partia Socialiste. PS-ja jo vetëm që nuk i vë fre zellit abuzivist të ekzekutivit, por përkundrazi i bëhet atij urë, siç ndodhi me amendimet e Kushtetutës post-Gërdec, që forcuan pozitat e kryeministrit aktual në natën e errët të 21 Prillit. Edhe pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Parlament mes Berishës dhe Ballës vështirë se PS-ja do ndërmarrë ndonjë aksion konkret apo serioz, siç është bojkotimi i Parlamentit, apo t’i kërkojë kryeministrit që të kërkojë ndjesë, sepse kërkesa më të ashpra se kaq as që nuk imagjinohen. Në emër të politikës së re PS-ja do vazhdojë të nxjerrë zonjën Leskaj për të thënë ‘oh, sa turp’, duke e lënë deputetin e saj Balla pa mbrojtje, pa rrogë dhe jashtë Parlamentit për dy javë rresht.
Dhe për sa kohë Taulant Balla është i pambrojtur përballë shkarjes, mosarsyes dhe zemërimit të kryeministrit, të pambrojtur jemi të gjithë. Prandaj Taulant Balla sot jemi të gjithë ne. Nëse dhunohet në Parlament, përpara kamerave dhe nëpërmjet institucioneve demokratike një deputet, atëherë ne mund të dhunohemi shumë lehtë të gjithë. Nëse institucionet tona nuk arrijnë t’i vënë kufi shkarjes apo zemërimit të kryeministrit, atëherë kjo shkarje do të jetë pa kufij. Prandaj, ne sot duhet të ndihemi si Taulant Balla, të ofenduar dhe të kërcënuar. Vetëm kështu mund t’i vendosim kufi shkarjes së pushtetit sot që nesër të mos bëhemi viktimë e saj.
Kerkoni ne arkiv
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | ||||
| 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 |
| 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 |
| 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 |
| 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (1 vendosur):
Vendosni komentin tuaj