Faqja e Pare | Editorial | Harrison kunder Withers

Harrison kunder Withers

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
Në Tiranë nuk ekziston asnjë media që të ushqejë ndonjë ligësi kundër ambasadorit amerikan, Withers. Madje është e kundërta. Krejt ndryshe nga reagimet e shumë mediave amerikane ndaj skandalit të municioneve kineze, prononcimet e mediave shqiptare kanë qenë të ndrojtura, për të mos thënë servile. Madje jo pak prej tyre e kanë marrë në mbrojtje Withers, duke sulmuar edhe media që kanë guxuar të komentojnë diçka më shumë rreth një akuze që majori amerikan, Larry Harrison, ka lëshuar ndaj ambasadorit të shtetit të tij. Një avokati e tillë e nxituar, që evidenton një ankth me motive ndoshta jo vetëm të servilizmit ndaj ambasadorit të shtetit më të fuqishëm të botës, në fakt po rrit edhe më shumë vëmendjen rreth akuzës së ngritur nga atasheu ushtarak, Harrison. Por duhet thënë se një avokati mediatike e pabazuar në fakte është përgjithësisht e pështirë, sepse duke braktisur atë që është fryma e medias, kureshtjen për të zbuluar të vërtetën, nxiton të sulmojë si "spiun" dhe "shpifës" edhe një ushtarak amerikan që ka guxuar të akuzojë një ambasador amerikan, nxiton të bëhet palë me shefin kundër vartësit që ka guxuar të denoncojë shefin, të bëhet me "të fortin" kundër "të dobëtit". Nxiton të bëjë për ambasadorin Withers atë që ai nuk nxiton ta bëjë për vetveten. Sa "patriotike" kjo avokati mediatike! Dhe pas kësaj, si mund të mos të të kujtohet thirrja humoristike: Duajeni Atdheun si Shqipëria Amerikën!


***

Në fakt është gabim të nxitosh të shërbesh dhe të bëhesh palë me "më të fortin" në këtë skandal në shpërthim. Sepse i forti është ai që ka të vërtetën me vete dhe e vërteta ka ende nevojë të qartësohet. E qartë deri tani është vetëm se majori Larry Harrison, shef i zyrës së bashkëpunimit për mbrojtjen (ODC) ka deklaruar se më 19 nëntor 2007, ambasadori amerikan John L. Withers II dhe ndihmës të tij kryesorë u takuan me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediun, për të diskutuar si t‘i përgjigjen një kërkese të një reporteri të së përditshmes "New York Times" (NYT) për të vizituar në Rinas një punishte, ku një kontraktor amerikan armësh, AEY, po zëvendësonte paketimin kinez të municioneve para se t‘i dërgonte në Afganistan. Sipas dëshmive të majorit, dhënë për Komitetin e Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeveritare në Kongresin e SHBA, rezultat i këtij diskutimi ka qenë një telefonatë e ministrit shqiptar të Mbrojtjes, i cili urdhëroi një nga gjeneralët e tij të largonte të gjitha provat e ambalazheve kineze para se punishtja të vizitohej nga reporteri i NYT. Majori Harrison i tha komitetit se "ambasadori ra dakord se një gjë e tillë do të zbuste dyshimet për keqbërje".

Kjo është e gjithë historia dhe nuk duhet nxituar as për të shpallur fajtor, por as edhe të pafajshëm ambasadorin Withers. Por revista "Mapo" nxitoi ca ditë më parë ta kapë majorin Harrison në gabim dhe të mbrojë ambasadorin Withers. Është e drejtë (shpresojmë jo detyrim) e saj. Sipas "Mapos", takimi i Withers me Mediun dhe të tjerë është zhvilluar pas orës 22:00 dhe nuk ka zgjatur 6 orë. Po ç‘del nga kjo? Ta zëmë se Harrison ka gabuar lidhur me kohëzgjatjen e takimit, por megjithatë përsëri del që takimi është bërë. "Mapo" pranon gjithashtu se edhe telefonata nga ministri Mediu është bërë, ndonëse jo drejt gjeneral majorit Agim Shehu, sikundër ka dëshmuar Harrison. Mund të jetë e vërtetë po ashtu se për shkak të shqipes së dobët, Harrison mund të ketë gabuar përsëri adresë. Por megjithatë, rezulton përsëri se telefonata është bërë. Në se jo Shehu, dikush tjetër duhet të ketë marrë nga Mediu urdhrin për fshehjen e gjurmëve kineze në punishten e aeroportit të Rinasit. Detajet që "Mapo" i shpall si lapsuse që hedhin poshtë akuzën e Harrison edhe sikur të vërtetohet që janë të tilla, pra ca detaje të pasakta nuk e hedhin poshtë, por e konfirmojnë akuzën. Drurët nuk duhet të na pengojnë të shohim pyllin. "Mapo" na rikonfirmon se gjithsesi në natën e 19 nëntorit ka pasur një takim mes Withers, Mediut dhe ca zyrtarëve të ambasadës amerikanë. Na rikonfirmon se ka pasur edhe një telefonatë të Mediut, madje na rikonfirmon se biseda për vizitën e reporterit të NYT është bërë dhe se "ambasadori Withers i ka pohuar zotit Mediu se nuk mund të ndalohet investigimi i gazetarit të "The New York Times"-it dhe se ai (zoti Mediu) duhet të referonte me fakte shmangien e dyshimit për një kundërvajtje të mundshme". Dhe pavarësisht se çfarë kishte në mend Withers kur ofroi këshillën, ministri shqiptar duket se e ndoqi atë sipas mënyrës së tij, pra ndreqi "faktet". Ai urdhëroi fshehjen e gjurmëve dhe për këtë ka një provë. Përsëri detajet (pas së cilave sikundër thotë disa herë "Mapo" fshihet djalli) nuk duhet të na pengojnë të shohim... djallin. Prova është vizita e reporterit të NYT (Nikolas Wood) në punishten e Rinasit, ku mund të merret me mend se ai nuk ka gjetur gjurmë të origjinës kineze të municioneve. Sepse po të kish gjetur, do ta kish përmendur një gjë të tillë në kokën e artikujve të tij. Por ai nuk e bën këtë gjë. As në të parin dhe as në të dytin. Pse? Sepse municionet nuk ishin kineze? Jo, por sepse urdhri i Mediut ishte zbatuar me sukses. Ushtria shqiptare ja fshehu gjurmët e thyerjes së ligjit amerikan një gazetari amerikan. Dhe e gjithë kjo ndodhi pas këshillimit të ministrit shqiptar të Mbrojtjes me ambasadorin Withers në natën e 19 nëntorit.


***

Përsëri, ato që të bëjnë përshtypje aspak të mirë në gjithë këtë histori të errët, nuk janë detajet "që fshehin djallin", por vetë thelbi djallëzor i saj. Të bën përshtypje fakti sesi një ministër shqiptar ka kurajën t‘i kërkojë një ambasadori amerikan ndihmë për të fshehur gjurmët e shkeljes së ligjit amerikan. Dhe këtë kërkesë (në fakt ajo ngjason me një shantazh) e bazon mbi një "borxh" që SHBA i paska ministrit shqiptar për një shërbim që ky i paska bërë! Çfarë është ky shërbim kaq i çmuar që si shpagim kërkon tolerimin e shkeljen së ligjit të SHBA nga një ambasador i SHBA? Mos ndoshta Mediu ka deklaruar që në fillim të transaksioneve me AEY origjinën kineze të municioneve shqiptare, por shkelja e embargos për municionet kineze është pranuar si e keqja më e vogël për t‘ju përgjigjur nevojave urgjente që ushtria afgane kish për municione? Mos vallë një delikt e detyroi Withers të mos protestojë karshi një propozimi të turpshëm të ofiqarit shqiptar për fshehjen e fakteve, por në vend të kësaj të japë këshilla "për shmangien e dyshimit për një kundravajtje të mundshme" siç pohon edhe "Mapo"? Edhe kjo të bën shumë përshtypje. Të bën përshtypje gjithashtu fakti që qeveria shqiptare lidh një kontratë qindra milionë dollarëshe me një kontraktor amerikan për blerje municioni për llogari të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes (DOD), ambasada jo vetëm që nuk interesohet fare për origjinën dhe cilësinë e municionit, por shfaqet se nuk di gjë edhe për shkelje të tjera. Nuk di gjë as edhe për faktin që kontraktori amerikan detyrohet nga pala shqiptare, ta blejë municionin që niset nga Rinasi, dyfish më shtrenjtë jo në Tiranë, por në Qipro dhe nga një firmë fantazmë! Si shpjegohet kjo verbëri totale ndaj një transaksioni që është keqpërdorur për të fryrë (me milionat e grabitura taksapaguesve amerikanë) xhepat e trafikantëve dhe zyrtarëve të lidhur me ta? Këtë po investon Kongresi i SHBA, këtë heton NYT dhe këtë bën mirë të investigojë edhe media shqiptare.


***

Dhe së fundi, lidhur me ndershmërinë e majorit Harrison. Në përgjigje të një kërkese të Komitetit të Mbikëqyrjes së Kongresit të SHBA, ambasada u detyrua të japë informacion lidhur me bashkëveprimin e saj me AEY, ose përfaqësues të kompanisë së përshirë në skandal. Për këtë qëllim u hartua një dokument që qarkulloi me e-mail, për konfirmim dhe plotësim, mes disa zyrtarëve të ambasadës. Iu dërgua dhe atasheut ushtarak Harrison. Për një nga pikat e projekt-dokumentit Harrison pyeti nëse duhet të përmendet takimi i 19 nëntorit me Mediun, sugjerimi i ambasadorit Withers dhe telefonata e Mediut. Ky sugjerim nuk është marrë parasysh dhe informacioni për takimin nuk figuron në versionin zyrtar të dokumentit të lëshuar nga ambasada. Por përsëri të bën përshtypje një fakt. Nëse sugjerimi i Harrison do të ishte pa bazë, një shpifje a trillim, a nuk do të ishte i natyrshëm një reagim i fortë kundër tij që në atë moment. Por kjo nuk duket se ka ndodhur. Madje, ndonëse është anashkaluar sugjerimi i tij për mbledhjen e 19 nëntorit, është pranuar një sugjerim tjetër që Harrison ka bërë për të njëjtin dokument. Është pranuar si i drejtë (dhe është reflektuar në dokumentin zyrtar të ambasadës) sugjerimi për të përmendur kërkesën e ministrit Mediu, lidhur me ligjshmërinë e kontratës së AEY. Një provë se Harrison mund edhe të bëjë ndonjë lapsus, por nuk shpif. Dhe ky fakt nuk flet (të paktën nën dritën e fakteve të derisotme) në favor të ambasadorit Withers. Dhe ne na vjen keq për këtë. Po aq sa edhe revistës "Mapo". Se ne shqiptarët i duam të gjithë ambasadorët amerikanë. Por mbi të gjitha duhet të mësojmë të duam të vërtetën. Këtë do edhe SHBA.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Dhjetor, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Vlereso artikullin
0