Faqja e Pare | Editorial | KQZ, te mbrosh perdhunimin me perdhunim

KQZ, te mbrosh perdhunimin me perdhunim

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sapo i ka mohuar një grupi nismëtarësh të drejtën për të tërhequr formularët e nevojshëm për mobilizimin e një referendumi popullor. Pas përdhunimit të thelbit të Kushtetutës më 21 prill, ky i dy ditëve më parë, është një dhunim tjetër i saj, dhe saktësisht, i së drejtës së sovranit për të shprehur vullnetin e tij drejtpërdrejt. Në prill përdhunimi u krye nga shumica e bashkuar PS-PD. Tani në qershor nga shumica po e bashkuar e juristëve të PS-PD në KQZ. Simetria mes vullnetit të shumicave tiranike në Kuvend, me vullnetin e shumicave tiranike në KQZ, shfaqet perfekte. Sepse dhe kapja e institucioneve "të pavarura" nga politika po bëhet gjithnjë e më shumë perfekte. Por dihet se nuk mund të ketë demokraci liberale pa institucione të pavarura. Nuk mund të shpresohet për demokraci aty ku vullneti i institucioneve konfirmohet automatikisht me ambiciet e liderëve në pushtet ose afër pushtetit. As mund të flitet për demokraci aty ku "Kushtetuta" nuk është më vullneti i sovranit, por vullnet i liderëve me pushtet. Mund të flitet për forma të ndryshme të neofashizmit (në rastin më fatlum për autoritarizëm), por kurrsesi për demokraci. Dhe duke parë ç‘po ndodh nuk mund të mos pyesësh me alarm: për ku po shkon Shqipëria, për demokraci apo për fashizëm, drejt lirisë apo autoritarizmit, kah Perëndimi apo kah Lindja?


***

Horoskopi politik i Shqipërisë shfaqet prej vitesh mjaft i turbullt, por zhvillimet më të fundit e bëjnë atë edhe më ogurzi. Mosdhënia e formularëve nga KQZ tregoi frikshëm sesa lehtësisht politika mund ta vrasë lirinë e një populli kur skllavëron institucionet. Akti tregoi edhe sesa dëmsjellës për lirinë dhe demokracinë bëhen ata juristë që shërbimin ndaj së drejtës dhe ligjit, e zëvendësojnë me shërbimin ndaj partisë. Tetë anëtarë të KQZ votuan kundër nismëtarëve të referendumit në përputhje të plotë me vullnetin e liderëve të tyre. Të ndarë 4 me 4, ata votuan sipas vullnetit të njësuar të PS dhe PD në çështjen e referendumit kundër një grushti pluralist nismëtarësh. Votuan kundër Dritëroit, Moisiut, Meidanit, Metës, Lubonjës, Zhejit, Milos, Shehit, Brokajt, Cekës, Uçit, "Mjaft"-it dhe shumë të tjerëve që e firmosën qytetarisht. Por edhe kundër atyre që zgjasin duart nga të katër anët e vendit të firmosin kërkesën për lirinë e sovranit. Dhe cili ishte "argumenti" juridik që ata e përsëritën si vjershë njëri pas tjetrit në një seancë 3-orëshe? Se gjoja nismëtarët paskan trokitur në derë të gabuar. Përse? Se nuk paskan kërkuar organizmin e një "referendumi të përgjithshëm" për abrogimin e një ligji, por të një "referendumi kushtetues" për ndryshimin e Kushtetutës. Po përse qenka kështu? Sepse, po sipas korit të bashkuar në KQZ që zbaton udhëzimet e shumicës së bashkuar në Kuvend, amendamentet e 21 prillit që dhunuan Kushtetutën, tashmë janë bërë pjesë e Kushtetutës. Pra sipas tyre, të kërkosh që të abrogohet ligji që solli në jetë këto amendamente, do të thotë të kërkosh ndryshimin e Kushtetutës. Çfarë sarkazme "institucionale"! Pas kësaj nuk mund të mos të të kujtohet Shekspiri:

U ngrit ai herët e u vesh

E derën po ja çel,

Dhe brenda vajza hyn e qesh

Po vajzë jashtë s‘del.

Tetë anëtarët e KQZ duan që metamorfozën e shndërrimit të tyre nga juristë në shërbëtorë të partive, ta përdorin edhe lidhur me amendimet në fjalë. Pra, nëse amendamentet dhunuan Kushtetutën ato nuk mund të hidhen poshtë se tashmë janë pjesë e asaj që dhunuan, Kushtetutës. Sikur ky sofizëm të kishte ndonjë vlerë logjike, asnjë gjykatë nuk do të mund të ndëshkonte një përdhunues që i grabit virgjërinë një vajze. Sepse në momentin që do ta akuzonin, ai do t‘i sfidonte juristët me kundërpërgjigjen: Ku është vajza? Dhe vërtet, pas zhvirgjërimit vajza nuk është më e tillë. Kështu sipas logjikës së juristëve të KQZ, populli nuk mund të abrogojë dot amendamentet e 21 prillit, sepse ato tashmë nuk janë më amendamente,por nene të Kushtetutës. Ato që përdhunuan Kushtetutën janë tashmë Kushtetuta vetë! Prandaj në vend që të kërkojnë abrogimin e një ligji, që realizohet me një referendum të përgjithshëm, nismëtarët duhet të kërkojnë një referendum për ndryshimin e Kushtetutës që është atribut i Kuvendit. Pra sipas KQZ, nismëtarët duhet të trokasin në Kuvend dhe të kërkojnë një referendum te shumicat që miratuan rrufeshëm, në një natë me shi, pa konsulta, debate të thelluara dhe transparencë, amendamentet e 21 prillit. Të shpresojnë për referendum tek ata deputetë që nuk pranuan të firmosin një iniciativë për referendum! A nuk është kjo e gjitha një tallje me popullin? Po sikur deputetët të çmenden (ose, që është më e mundur, të frikësohen a të korruptohen) dhe ta ndryshojnë Kushtetutën,duke e shndërruar Republikën demokratike në diktaturë, kujt do t‘i drejtohet populli? Si do të mund ta shprehte ai kundërshtimin e vet? KQZ nuk di të përgjigjet. Për KQZ vullneti i shumicës së përfaqësuesve të popullit në Kuvend, përputhet gjithnjë me vullnetin e sovranit popull. Por a ka iluzion më fatal se ky? A nuk është një iluzion i tillë themeli, mekanizmi dhe fasada e të gjitha diktaturave nga nazizmi e deri te komunizmi?


***
Zhvillimet e fundit provojnë edhe një herë deficitin serioz të demokracisë shqiptare: mungesën e juristëve të pavarur. Është kjo "klasë" që ndërsa infiltron në institucione me anë të luftës politike, po i jep mundësi autoritarizmit që ta mundë demokracinë liberale, duke përdorur procedurat ligjore apo ligjin si gjethe fiku të strategjive të tij antiliri. Nuk mund të ndërtojmë dot demokracinë, nëse nuk themelojmë institucione demokratike si dhe pa ushqyer qytetarët me ide dhe ndjenja që i përgatisin për lirinë dhe i lejojnë ta përdorin lirinë. Kështu thotë Tukëvili. Por ç‘mund të themi për Shqipërinë me institucione të kapura dhe ku jo vetëm qytetarët nuk dinë si ta përdorin lirinë, por edhe juristët i bëhen pengesë shkëndijave qytetare për liri? Dhe një jurist që del kundër lirisë, del edhe kundër së drejtës. Dhe ai del kundër së drejtës sepse nuk është i lirë, por rob i politikës. Sepse e drejta është ana e dytë e medaljes së lirisë. E drejta dhe liria nuk mund të ndahen. Është devocioni prej shërbëtori ndaj partisë dhe jo padia që i bëri juristët rozablu të KQZ të hedhin poshtë një kërkesë të ligjshme. Sipas Kodit Zgjedhor, KQZ i pajis brenda 20 ditëve iniciatorët për referendum me formularë. Dispozita e ligjit është detyruese. KQZ duhet vetëm t‘u dorëzonte nismëtarëve formularët për të bërë kërkesën për referendum, sepse akoma nuk ka një të tillë. Kërkesa për referendum, formalizohet vetëm pasi mbështetet nga një minimum prej 50 mijë firma qytetarësh. E nxitur dukshëm nga vullneti bipartiak, KQZ e shndërroi një detyrim sporteli (që mund ta kryente thjesht një sekretare) në një seancë absurde pa sens drejtësie. KQZ mori mbi vete atributet e Gjykatës Kushtetuese duke u shprehur për natyrën e një referendumi për të cilin nuk është formuluar ende zyrtarisht një kërkesë! KQZ u mor me shqyrtimin e natyrës së referendumit, në një kohë që nuk i është dhënë e drejta për një shqyrtim të tillë. Përdhunimin e Kushtetutës nga amendimet e 21 prillit, KQZ e përdori për të mbrojtur këtë përdhunim. Viktimën (Kushtetutën) e bëri përdhunues dhe përdhunuesin (amendamentet) viktimë. E ndodhur nën diktat, KQZ ushtroi një censurim të lirisë qytetare që dëshmon edhe një herë, kapjen e rrezikshme të institucioneve nga politika. Akoma më alarmant është fakti se kjo censurë nuk shfaqet më vetëm si tipar i qenësishëm i mazhorancës së sotme dhe njerëzve të saj në KQZ, por edhe si një virus në zhvillim në radhët e lidershpit të partisë më të madhe të opozitës. Prandaj një version i dilemës se ku po shkon Shqipëria është: a duhet të shpresojmë se bashkë me Berishën do të bjerë edhe autoritarizmi?

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0