24 ore lajme: Te gezohesh ne mort e te mos duash ta fshehesh kete gezim Te gezohesh ne mort e te mos duash ta fshehesh kete gezim ================================================================================ Mustafa Nano on 28 May, 2008 07:29:00 Para nja dy ditësh, një idiot me emrin Gerti Bogdani (unë nuk kam njohur në jetën time një njeri më idiot se sa ky), doli e lexoi këtë deklaratë të hartuar nga një i çmendur me emrin Sali Berisha (unë nuk kam njohur në jetën time njeri më të çmendur se sa ky): "PD, si parti e fjalës së lirë, që nxori vendin nga censura dhe terri informativ më i egër komunist, e konsideron heshtjen, fshehjen apo censurën totale nga ‘Top Media‘ dhe të disa simotrave të saj, të lajmit të vdekjes tragjike ta bashkëpunëtores së tyre, Entela Hysko, si një akt primitiv, çnjerëzor e të pashembullt. PD-ja u kujton këtyre censorëve të rinj se vdekja e një njeriu në një shoqëri të lirë nuk mund të jetë kurrë sekret. Vdekjen e një njeriu mund ta mbajnë sekret vetëm diktaturat më mizore dhe shpellat e Al Kapones. Në këtë botë mund të gjenden njerëz, që gëzohen nga vdekja e dikujt, ashtu siç mund të gjenden edhe njerëz, që nuk e fshehin këtë gëzim. Sali Berisha është njëri syresh. Atë e gëzoi pa masë vdekja e Dritan Hoxhës, dhe as nuk deshi e as nuk diti ta fshehë këtë gëzim prej nekrofili. E dëshmoi në mënyrë plateale këtë gjë, teksa të nesërmen, në vend të gjente një moment për të heshtur në respekt të një gruaje e të katër fëmijëve të mbetur pa burrë e pa baba, nuk hezitoi asnjë çikë të ngushëllonte në mënyrën e vet. "U dërgoj ngushëllimet e mia të dyja familjeve" - ja, këtë formulë ngushëllimi gjeti, duke qenë kështu i pari, që u dha shqiptarëve lajmin, se Dritan Hoxha kishte qenë bashkë me një vajzë në momentin e vdekjes. Ishte ky qëllimi i Berishës? Donte të shndërrohej në një reporter të kronikës së zezë? Jo, as që bëhet fjalë. Apo mos vallë, nga pozicioni i kryeministrit të një vendi i duhet të ngushëllojë familjen e një vajze të panjohur që gjen vdekjen në një aksident? As kjo nuk duhet çuar nëpër mend, pasi në Shqipëri ka çdo ditë aksidente vdekjeprurëse nëpër rrugët e Shqipërisë, dhe ne asnjëherë s‘e kemi parë kryeministrin të ngushëllojë ndokënd. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Kryeministri ishte i gëzuar, jashtëzakonisht i gëzuar (këtë njeri nuk mund ta shohësh kurrë më të lumtur, se sa në momentin e vdekjes së një kundërshtari, ashtu si dhe në momentin e një vdekjeje që mund t‘i hapë rrugët drejt pushtetit, apo që mund ta mbajë në pushtet. Njerëzit që kanë qënë afër tij ditën e vdekjes së Azem Hajdarit dëshmojnë, se prapa njeriut që çirrej nga ballkoni i selisë së PD-së, maskohej një njeri që fërgëllonte prej qejfit. Dhe në fakt, ajo vdekje ishte varka e tij e shpëtimit). Po të donte mund ta fshihte gëzimin ditën e vdekjes së Dritan Hoxhës, por ai nuk donte (ca e ca vënë dorën në zjarr, se në fakt ai dëshiron t‘i fshehë këto pulsione prej të marri, por është aq i marrë qyqari, sa nuk di e nuk mundet ta bëjë këtë. I del gëzimi nga hundët e nga goja, bash si jargët e si qurret e veta). Dhe kështu, duke mos duruar dot jehonën e shpërpjestuar që po gjente vdekja tragjike e budallaqe - ishte dhe budallaqe kjo vdekje, të kuptohemi - e një njeriu, të cilin e urrente, ai u përpoq ta përqeshte e ta njolloste atë vdekje; për ta njollosur e për ta përqeshur gjeti përcjelljen e një lajmi banal: "Dritan Hoxha nuk ishte vetëm në makinë. Ai ishte me të dashurën". Le të ndalemi pak këtu, për të thënë fillimisht se mass-media duhej të informonte edhe për këtë. Duhej të informonte në shenjë respekti për një jetë humane të ikur në mënyrë tragjike. Dhe në fakt, do gazeta e bënë. Të tjerat kanë gjykuar se më e rëndësishme se sa saktësia e informacionit ka qenë solidarizimi i menjëhershëm me një njeri të botës mass-mediatike; ose ndoshta kanë vepruar kështu me synimin për të mos përfolur një lidhje jashtëmartesore të dikujt bash në momentin e vdekjes së këtij të fundit. Gazetarët pra janë ndodhur midis një sandwich-i: nga njëra anë, profesioni u kërkonte të informonin në detaje mbi ngjarjen, nga ana tjetër, ndjeshmëritë e komplekset humane (në daçi, dhe shqiptare) u kërkonin pakëz skrupull, me synimin për të zbutur efektet e kësaj tragjedie tek familjet e viktimave. Kjo nuk është shumë profesionale, por kjo gjë ndodh në çdo rast në këtë Shqipërinë tonë. Të gjithë njohim edhe lidhje të tjera jashtëmartesore, të cilat, për shkak të profilit të lartë të kurorëshkelësit, janë ku e ku më spektakolare (nekrofili Berisha i njeh gjithashtu, dhe i mban këto sekrete për t‘i përdorur atëherë kur do t‘i lipsen), por, nën presionin e ndjeshmërive e komplekseve të sipërpërmendura, nuk kemi folur në asnjë rast. Janë aq të mëdha këto komplekse, sa mass-media ka kursyer edhe vetë Berishën, duke mos folur për "çudira" të këtij lloji, që atij i kanë ndodhur mú brenda shtëpisë. Duhet thënë pra se mass-media, edhe duke mos bërë punën e vet me korrektesë maksimale në këtë rast, as ka bërë, as ka fshehur ndonjë krim. Të jesh i martuar e të kesh një të dashur nuk është ndonjë gjë për t‘u mburrur; por nuk është krim, amá. Krim është tjetër gjë; krim është të fshehësh vdekjen e baxhanakut, që punon në një fabrikë vdekjembjellëse; krim është të mohosh njohjen me baxhanakun, ngaqë vetëm kështu mund të lësh veten dorëjashtë në një plojë, ku gjetën vdekjen dhjetra vetë; krim është të përfshish gjithë familjen në afera të pafundme korruptive; krim është të përdorësh pushtetin për t‘i mbuluar këto afera; krim është të bësh Gërdecin, e tri javë më pas të dalësh e të zgërdhihesh si psikopat nëpër sheshe e nëpër salla të mbushura me ‘dashnorë‘ të NATO-s; krim është të këmbëngulësh të mbash në punë një zyrtar që ndiqet penalisht për një krim; krim është ta kërkosh krimin e mafien atje ku nuk është (tek Dritan Hoxha; fjala vjen); krim është të vjellësh kundër gazetarëve, ndërkohë që nuk ke thënë një fjalë kundër atyre që bënë masakrën e Gërdecit (e keni vënë re, që Berisha, ndërsa i ka përdorur etiketimet ‘mafioz e kriminel‘ kundër të gjithëve, nuk ka guxuar t‘i përdorë kundër atyre, që shkaktuan Gërdecin e kundër Pinarit që ka dëshmuar për punët mafioze të vetë Berishës?). *** Le të kthehemi atje ku e nisëm, për të thënë se Berishës nuk i mjaftoi gëzimi në mort. I dëshpëruar me sa duket, që me gëzimin e tij s‘u mor askush, i dëshpëruar gjithashtu, që Dritan Hoxhës i bënë një funeral krejt të pangjashëm me funeralet që di të bëjë Berisha (përdorimi i arkivolit të Azem Hajdarit si gjyle për të shpërthyer dyert e institucioneve të shtetit është një nga mijëra turpet e këtij njeriu. Me sa duket, në momentet e gëzimit nuk ka ditur të marrë veten nën kontroll), i dëshpëruar që publiku po e vajtonte vdekjen e Dritan Hoxhës si një humbje kombëtare, ai u ul të bëjë deklaratën e turpshme, dhe ia përcolli për ta lexuar atij kokoroçit idiot. Dhe ky i fundit, pasi na broçkullis për PD-në e fjalës së lirë e të anticensurës (O Zot, si s‘kanë marre këta njerëz!), zë e i bën një qortim kolosal mass-media-s, duke përfunduar me frazën e shthurur alla Berisha: vdekjen e një njeriu mund ta mbajnë sekret vetëm diktaturat më mizore dhe shpellat e Al Kapones. Fiu, fiu! Shefi i Sefgjinit dhe i Gazidedes, baxhanaku ‘incognito‘ i Xhimit të ndjerë, autori i kapicës me të vdekur në Tropojën e tranzicionit, patriarku i familjes që mbolli vdekjen në Gërdec, shkaktari i kaosit të ‘97-ës, ku gjetën vdekje tre mijë shqiptarë e ku u armatosën tre milionë të tjerë, ky njeri pra ka pacipësinë të na flasë për fjalën e lirë, për censurën e për regjimet mizore (sa për shpellat e Al Kapones, kjo mbetet e pakuptueshme. Ndoshta kemi të bëjmë me një sindromë freud-iane të njeriut të lindur e të rritur në shpella). O tempora, o mores!