Amandamentet si crrenjosje e konsensusit
Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës është një front i përbashkët i pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe disa partive politike për të kundërshtuar sanksionimin që disa amendime të befta të dokumentit themeltar të Republikës i kanë bërë autoritarizmit duke kërcënuar seriozisht demokracinë. Bashkimi i votave të deputetëve të PS dhe PD bëri të mundur që autoritarizmi dhe arma e tij kryesore, tirania e shumicës, të mos jenë më një aksident por një domosdoshmëri e imponuar nga Kushtetuta. Me ndryshimet e bëra, tirania e shumicës jo vetëm që nuk pengohet, por nxitet nga Kushtetuta e përdhunuar. Me amendamentet "blic" Shqipëria ka bërë një kërcim të rrezikshëm drejt autoritarizmit që funksionon vetëm nëpërmjet votës tiranike, duke iu larguar demokracisë liberale që funksionon edhe nëpërmjet konsensusit. Në thelb amendamentet i kanë hequr çdo shumice të sotme dhe të nesërme nevojën për konsensus me opozitën.
"Konsensusi" PS-PD i propaganduar me bujë ka shkulur me rrënjë nga Kushtetuta nevojën për konsensus. Ky deformim i rrezikshëm që denatyron sistemin, del më i qartë në rastin e amendimit që ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Por ajo që vazhdon të habisë nuk është vetëm bashkimi i votave të PS me PD për konstitucionalizmin e autoritarizmit në shtet, por edhe fakti që në gojën e socialistëve, gjuha e përdorur për të justifikuar këto ndryshime është gjuha e Berishës. E shpëtuam Shqipërinë, i hoqëm një nen krize - deklaroi në 21 prill Berisha. Sipas Kryeministrit, neni i 3/5-ve fuste në krizë Kuvendin që duhet të jetë institucioni i stabilitetit. Nuk habitesh me Berishën. Ai ka punuar gjithë këto vite duke gjeneruar konflikte pas konfliktesh, për ta bërë konsensusin të pamundur. Dhe ishte e pritshme që politika të vinte (mesa duket edhe sipas kalkulimeve të Berishës) në një pikë rraskapitjeje të tillë, sa ta kërrente me ligj nevojën për konsensus.
Por habitesh kur dëgjon se në thelb, të njëjtën gjuhë përdor një deputet socialist si Ben Blushi, sipas të cilit, me amendamentet e bëra, zgjedhja e Presidentit "nuk e bllokon më Shqipërinë, nuk e mban më në debate pa fund". Po është e vërtetë. Por po aq e vërtetë është se i jep mundësi shumicës të mos i zgjasë debatet duke zgjedhur, pa asnjë kosto politike, atë President që i do qejfi. Tirania e shumicës përkryhet duke u bërë "kushtetuese". Kjo qenka zgjidhja në favor të një demokracie liberale?
***
Deri në 21 prill Kushtetuta i detyronte deputetët të binin dakord për një President konsensual që nuk do t‘i përkiste as njërës palë. Dhe nuk dështoi. Presidenti Moisiu, i zgjedhur me konsensus, nuk i zhgënjeu shpresat e shoqërisë civile, por edhe të opozitës politike, duke dalë në mbrojtje të institucioneve, kundër orekseve autoritariste të Berishës. Por zhgënjeu Berishën. Ushtrimi nga Presidenti Moisiu i atributeve të tij balancuese dhe garantiste ishte një ndër faktorët kryesorë që Berisha dështoi në arritjen e objektivave autoritariste gjatë dy viteve të para të qeverisjes. Autoritaristi Berisha duket se nxori një mësim të madh nga kjo. Shihet qartë se është betuar me vete, që nuk do të lejonte më një President që nuk i përkiste shumicës së tij. Dhe nuk është fjala vetëm për sot, por kurdo që të vijë koha për të zgjedhur një tjetër President pas Bamir Topit.
Mjerisht, Berisha mbetet ndër politikanët që punon me vizione më strategjike se kundërshtarët e tij. Dhe për të shkatërruar pengesën e nenit të 3/5-tave, solli si "argument" edhe përvojën e vendeve të tjera ku opozita paska mundur ta marrë Presidentin edhe pse ai zgjidhet me 50+1. Mundet. Por atje sigurisht që nuk ka një Sali Berishë që i ka shndërruar deputetët në skllevër të tij deri në atë shkallë, sa nuk arrijnë të sjellin në Kuvend një amendament me 30 firma për zgjedhjen e Presidentit nga populli, duke e privuar kështu edhe socialistin Blushi të votojë opsionin që vetë kish promovuar i pari publikisht.
Pra, kur bëhen krahasime, nuk duhen harruar rrethanat konkrete dhe kulti absolut i Berishës në PD, në qeveri dhe Kuvend është një rrethanë jashtëzakonisht konkrete. Por ndërsa Berisha nxori mësime të vyera nga konflikti 2-vjeçar me presidencën e Moisiut në dobi të strategjisë së tij autoritariste (këto mësime janë në themel të amendamenteve që sugjeroi dhe që u votuan nga PS), të tjerët, PS dhe lideri i saj Rama, nuk nxorën mësime në dobi të demokracisë liberale. Përkundrazi, në rastin më të parë ata bashkuan thirrjet demagogjike me Berishën për gjoja nevojën e shmangies së krizave, tensioneve, për t‘ia bërë - sikundër tha Berisha - "rrugën më të lehtë" Shqipërisë. Po për ku? Për demokraci apo për autoritarizëm?
***
Lidershipi i PS duket se nuk e ka kuptuar që tensionet dhe krizat janë simptoma jete, lirie dhe demokracie. Vetëm në varr, skllavëri apo diktaturë nuk ka tension dhe kriza. Edhe në vendet perëndimore, demokracia është rritur nëpërmjet krizave të forta. Mjerë ata popuj dhe liderët e tyre që lodhen nga krizat e demokracisë dhe rendin t‘u japin fund atyre duke fuqizuar vullnetin e shumicave. Berisha sot flet për nevojën e stabilitetit qeverisës, duke treguar me gisht se sa i keq është destabiliteti. Sa mirë! Por ndërkaq harrohet se deri dje autori kryesor i destabilitetit, kryeshantazhisti që kërcënonte vendin me destabilitet të skajshëm ishte po Berisha. Dhe pasi i ka lodhur të gjithë (edhe ndërkombëtarët) me destabilitet dhe shantazh për destabilitet kur qe në opozitë, Berisha bëhet gati të korrë frytet e kësaj rraskapitjeje, në formën e stabilitetit autoritarist tani që është në pushtet.
Çfarë ironie dhe talljeje me opozitën, shqiptarët, ndërkombëtarët dhe demokracinë. Brohorasin se kanë shmangur tensionet politike. Harrojnë që tensioni është në thelb të lirisë dhe jetës. Pa tension arterial nuk ka jetë. Këtë e di mirë kardiologu Berisha. Amendamentet e tij i hoqën Parlamentit tensionin e nevojshëm për të mbajtur gjallë konsensusin. Pa tension nuk ka rrymë. Këtë e di mirë fizikani socialist Islami. Pa tension nuk ka ndërtim. Dhe këtë duhet ta dijë Rama që puna si kryebashkiak e ka lidhur shumë me ndërtimet dhe strukturat e ndërtimit. Sekreti i ndërtimit, edhe i demokracisë liberale, është balancimi i tensioneve por jo rrafshimi i çdo tensioni. Vetëm kur ndërtesa bëhet gërmadhë, kur tullat shpërndahen për hesap të vet dhe nuk mbështeten më mbi njëra-tjetrën, nuk ka tension. Gërmadha nuk ka tension. Dhe Kushtetuta përpiqej të bënte pikërisht këtë, të balanconte tensionet e jetës politike, duke imponuar balancën mes forcave, konsensusin edhe në çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Kushtetuta nënkuptonte edhe ato kosto të mëdha politike që partitë parlamentare do të kishin në publik, pasi të kishin dëshmuar një egotizëm të shfrenuar dhe një paaftësi ekstreme për t‘i dhënë vendit një President Republike dhe jo një pinjoll të shumicës. Me ndryshimet e bëra, shumica nuk ka më asnjë interes politik të priret drejt një konsensusi.
Tashmë ajo nuk do të ketë mbi kokë një Kushtetutë që kërcënon pushtetin e saj dhe tërë vendin me një "kalvar" politik, deri me kalimin në zgjedhje të reja nëse nuk arrihet konsensusi. PS dhe PD e shmangën këtë kërcënim sikur të ishte e keqja e madhe. Në fakt i sollën republikës një të keqe të madhe. U hoqën shumicave nevojën për konsensus dhe lehtësuan përmbushjen e orekseve për një President të shumicës. Tashmë Kushtetuta nuk pengon më, tashmë Kushtetuta nuk përbën një barrierë, nuk kërcënon më autoritarizmin me tension, me kriza. Sepse tirania e shumicës së bashkuar e mposhti "kushtetueshmërisht" frymën e Kushtetutës dhe konsensusin që impononte ajo. Pikërisht këtë frymë kërkon të ringjallë, me anë të një referendumi popullor, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës. Dhe bashkë me të edhe shpresën për një demokraci liberale në Shqipëri. Thirrja e tij është: "Qytetarë të të gjitha ngjyrave, bashkohuni"!
Kerkoni ne arkiv
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj