Faqja e Pare | Editorial | Kushtetuta dhe imuniteti

Kushtetuta dhe imuniteti

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Niazi Jaho

Pak histori

Në fund të vitit 2005, një grup deputetësh të shumicës parlamentare, paraqitën në Kuvendin e Shqipërisë, projektvendimin "Për lënien e imunitetit parlamentar dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale". Lidhur me këtë projekt, opozita pati disa vërejtje. Ishte kjo arsyeja që projektvendimi iu dërgua për ekspertizë Komisionit të Venecias. Opinioni i dhënë nga Komisioni i Venecias i datës 20 mars 2006, u bazua në komentet e z.Sergio Bartole (anëtar zëvendësues në Itali) dhe z. Ceorg Nolte (anëtar zëvendësues në Gjermani). Në letrën drejtuar palës shqiptare, pas vëzhgimeve për titullin dhe disa dispozita të këtij projekti, rekomandohej mundësia e miratimit të tij me konsensus të gjerë, ku të përfshihej edhe opozita, duke zbatuar në këtë rast nenin 81, pikën 2 të Kushtetutës, që përcakton miratimin e ligjeve për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të parashikuara në Kushtetutë me votat pro të tri të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Pas marrjes së këtij opinioni, me disa korrigjime u hartua projektligji "Për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe kushtet për autorizimin e ndjekjeve penale", që mbështetej në nenin 81, pika 2 e Kushtetutës. Ky projekt u përfshi në procedurën përkatëse parlamentare të muajit shtator 2007. Gjatë kësaj kohe nuk munguan deklaratat se ‘jemi gati të lemë imunitetin‘, madje u ndërmor edhe veprimi për firmosjen e deklaratave, ku shprehej gatishmëria e çdo deputeti për t‘u pyetur nga prokuroria pa qenë nevoja e miratimit të autorizimit, në rastet kur kërkohej ndjekja penale për kryerjen e veprave korruptive apo shpërdorim të detyrës. Si nga deputetët që kishin bërë deklarata verbale, edhe nga ata që nënshkruan deklarata të tilla, pranohej se ato nuk kishin fuqi juridike.

Rikthim te nisma e mëparshme

Ditët e fundit përsëri po diskutohet çështja e kufizimit të imunitetit. Thuhet se aktualisht situata qenka më e favorshme, më konsensuale, sidomos midis dy partive më të mëdha. Disa mendojnë se në këtë mënyrë rifillon debati për kufizimin e imunitetit parlamentar. Në fakt, qysh nga viti 2005 dhe deri më sot, nuk dimë të jetë zhvilluar ndonjë debat për këtë çështje, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që edhe konceptet mbi debatin të jenë të ndryshme. Unë p.sh. nuk konsideroj debat të thelluar, të gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës faktin se ky problem është diskutuar midis deputetëve apo në Komisionin e Ligjeve. Nuk konsideroj debat prononcimet e veçuara të këtij apo atij juristi dhe as deklaratat në konferencat e shtypi, se "ne jemi për kufizimin e imunitetit në bazë të nenit 81, pika 2 e Kushtetutës", sikurse ka rekomanduar Komisioni i Venecias, se "edhe ne jemi për kufizimin e imunitetit, por duke bërë ndryshime në nenin 73 të Kushtetutës" etj. Debati, sipas mendimit tim, duhej të karakterizohej nga një analizë përgjithësuese me argumente pro dhe kundër, ku politikanë, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë e të Magjistraturës, konstitucionalistë dhe specialistë të kësaj fushe etj., t‘u jepnin p.sh. përgjigje disa pyetjeve, si:

A. Në kushtet e vendit tonë, a është urgjente dhe e nevojshme kufizimi i imuniteti parlamentar?

B. Nëse arrihet në përfundimin se kjo nismë është e nevojshme dhe ekziston konsensusi i gjerë, përse nuk shtrohet çështja e ndryshimit të nenit 73 të Kushtetutës?

C. Nëse duhet ndërhyrë në Kushtetutë, përse të mos legjitimohet e drejta e Prokurorit të Përgjithshëm për ndjekjen penale të deputetit, pa autorizimin e Kuvendit në të gjitha raste kur ka të dhëna se x apo y deputet ka kryer vepër penale etj?

Dy argumente

Argumenti i parë: Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, midis 20 parimeve të përpunuara kundër korrupsionit, në njërin prej tyre (i gjashti sipas rezolutës) ka rekomanduar kufizimin e imunitetit nga hetimi, ndjekja penale apo gjykimi i krimeve të korrupsionit në një shoqëri demokratike. Ky rekomandim, në fakt nuk i është adresuar kryesisht Shqipërisë, por të gjitha shteteve anëtare. Me aq sa jemi njohur në Kushtetutat e Polonisë, Rumanisë, Hungarisë, Bullgarisë, Greqisë, Spanjës, Austrisë, Maqedonisë, Kroacisë, Sllovenisë etj., formulimi i imunitetit parlamentar është thuajse i njëjtë më atë të nenit 73 të Kushtetutës sonë. Nuk mund të thuhet se në këto vende demokratike nuk kryhen vepra korruptive dhe shpërdorim të detyrës, si rrjedhim, vështirë të thuhet se në këto vende ky problem nuk është shqetësues.

Duke pranuar si të dobishëm rekomandimin e përmendur më lart, pa u futur në mënyrat dhe detajet e zbatimit të tij, mund të bëhet pyetja: Cilat mund të ishin ato shtete që duhet ta zbatonin më parë atë rekomandim? Mendoj se të parët duhet të ishin shtetet me demokraci më të konsoliduar, ku respektohen më mirë dhe me rigorozitet parimet e ndarjes së pushteteve, pavarësia e gjyqësorit, e organeve të prokurorisë etj. Në këtë vështrim, është i kuptueshëm fakti përse p.sh. sipas nenit 26, pika 2 e Kushtetutës së Francës është kufizuar fusha e veprimit të imunitetit parlamentar pa qenë nevoja e kërkesës së autorizimit për ndjekje penale (viti 1995) ndërsa sipas nenit 68 të Kushtetutës Italiane, lejohet fillimi i ndjekjes penale kundër anëtarëve të të dy dhomave, pa autorizimin e Asamblesë në të cilën ata bëjnë pjesë (viti 1993). Në Gjermani, heqja e pjesshme e imunitetit të të gjithë anëtarëve të Parlamentit për të gjithë legjislaturën u arrit nëpërmjet një vendimi me konsensus mjaft të gjerë, jo vetëm për veprat e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës, por edhe për hetimin e të gjitha veprave penale (përjashtuar shpifjet me karakter politik). Siç duket, projektligji ynë synon të adaptojë praktikën gjermane edhe për faktin se në këtë mënyrë shmanget ndërhyrja në Kushtetutë, megjithëse, siç do të përmendim edhe më poshtë, zbatimi i kësaj praktike në vendin tonë, është i diskutueshëm dhe jo në përputhje me Kushtetutën.

Argumenti i dytë: Për kufizimin e imunitetit parlamentar (madje është hedhur ideja e shtrirjes të këtij kufizimi edhe në sektorë të tjerë), është zbatimi i parimit se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kemi mendimin se në rastin konkret ky parim nuk duhet as absolutizuar dhe as idealizuar, sepse së pari e drejta e Parlamentit për heqjen e imunitetin e deputetit historikisht është pjesë e traditës parlamentare evropiane; së dyti imuniteti parlamentar nuk është privilegj i individit (deputetit) por mjeti që synon të mbrojë Parlamentin në përmbushjen e funksioneve të tij; së treti, derisa projektligji bën fjalë për veprat e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës, pabarazia para ligjit nuk ngelet për veprat e tjera penale? Së katërti, në nenin 73 të Kushtetutës parashikohet autorizim i veçantë për arrestimin e deputetit. Autorizim kërkohet edhe për masat e tjera siç janë kontrolli, përgjimet etj. Nëse për këto raste do të vazhdojë detyrimi i kërkesës për autorizim, a nuk do të ishte ky element i pabarazisë para ligjit; së pesti, megjithëse neni 18 i Kushtetutës sanksionon parimin e barazisë para ligjit dhe dënon diskriminimin, në pikën 3 të tij thuhet: ‘Askush nuk mund të diskriminohet.... nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive‘.

Opinioni i Komisionit të Venecias

Ata që mbrojnë pikëpamjen e miratimit të këtij projektligji i referohen sidomos asaj pjese të këtij opinioni ku pranohet mundësia e miratimit të kufizimit të imunitetit me 3/5 e të gjithë deputetëve. Mirëpo, me dashje apo pa dashje, në rastin konkret anashkalohen disa pjesë të tjera të opinionit të mësipërm që sipas mendimit tonë janë të rëndësishme, problematike dhe të diskutueshme. Në këtë opinion thuhet se: "deri tani ka pasur vetëm një rast në të cilin heqja e imunitetit parlamentar është diskutuar në Shqipëri mbi bazën e Kushtetutës aktualisht në fuqi. Rasti nuk kishte lidhje me korrupsionin dhe nuk rezultoi me heqje imuniteti". Në kohën kur u dha ky opinion ende nuk ishte kërkuar heqja e imunitetit për ish- ministrin e Transporteve dhe ish-ministrin e Mbrojtjes. Komisioni i Venecias, duke evidentuar rastin e vetëm, pas miratimit të Kushtetutës të vitit 1998, konkludoi se: "Ky kontekst hedh hije dyshimi nëse ekziston me të vërtetë një nevojë urgjente për këtë reformë, sikurse paraqitet në relacionin shpjegues shqiptar". Nuk besoj se luftën kundër kriminalitetit në tërësi dhe atë kundër shpërdorimit të detyrës në veçanti, ta ketë penguar sanksionimi në Kushtetutë i imunitetit parlamentar. Nuk besoj gjithashtu që kufizimi apo heqja e tij të reduktojë veprat e mësipërme. Për sa u përket dyshimeve që ngrihen në opinionin e Komisionit të Venecias, jemi ne që duhet të japim përgjigje me argumente. "E drejta parlamentare për të hequr imunitetin e anëtarëve të tyre- thuhet në letrën e Komisionit të Venecias - është pjesë e pakontestuar e traditës parlamentare evropiane" se "qëllimi kryesor i rregullave mbi imunitetin parlamentar është të mbrojë Parlamentin" se "imuniteti parlamentar nuk është privilegj i anëtarëve të Parlamentit" se "kjo është arsyeja përse neni 73, pika 2 e Kushtetutës shqiptare, parashikon ashtu si edhe kushtetutat e tjera evropiane të drejtën e Parlamentit për të hequr imunitetin e anëtarëve të tij". Nga kjo del se Komisioni i Venecias, duke trajtuar çështjen e imunitetit parlamentar i referohet nenit 73, pika 2 të Kushtetutës dhe jo ndonjë dispozitë tjetër kushtetuese apo ligjore. Projektligji mbi kufizimin e imunitetit nuk mund të identifikohet me ligjet që rregullojnë funksionimin dhe organizimin e institucioneve të parashikuara në Kushtetutë që miratohen me 3/5 e të gjithë deputetëve. Nëse në këtë rast bëhet fjalë për Kuvendin, ai funksionon në bazë të rregullores së tij që është miratuar me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij. Nëse projektligji mbi kufizimin e imunitetit do të miratohej në bazë të nenit 81, pika 2 e Kushtetutës, ky projekt do binte ndesh me nenin 73 të Kushtetutës. Mendoj se praktika gjermane që përmendëm më lart nuk do të ishte e përshtatshme të zbatohej edhe te ne. Në vetë opinionin e Komisionit të Venecias, në pjesën arsyetuese direkt ose indirekt shprehen disa rezerva, siç janë p.sh. A. "Gjykata Kushtetuese Gjermane nuk vendosur ende nëse praktika parlamentare gjermane është apo jo e pajtueshme me Kushtetutën", B. "Dyshime ka pasur për këtë çështje në literaturën juridike", C. "Këto dyshime mbështeten pjesërisht në frikën se një heqje e përgjithshme e imunitetit, mund të dëmtojë funksionimin e Parlamentit në tërësinë e tij, duke qenë se do të bënte të mundur fillimin e hetimeve selektive, arbitrare ose të motivuara politikisht".

Rezerva dhe objeksione të tilla mund të shpreheshin edhe te ne, nëse paraprakisht kjo nismë do t‘i nënshtrohej një debati të thelluar, konstruktiv dhe transparent. Shkëmbimi i mendimeve siç dihet minimizon subjektivizmin dhe njëanshmërinë. Kufizimi apo heqja e imunitetit edhe sikur nga pikëpamja formalo-ligjore mund te realizohej nëpërmjet votimit parlamentar, por pa debatin që kërkohet, veç shijes së hidhur që mund të linte do t‘i ngjante ndryshimeve kushtetuese që u bënë më 21 prill 2008. E shikojmë të nevojshme të përmendim se edhe në rastet kur qëllimi mund të jetë i mirë, nëse duam të krijojmë atmosferën e mirëkuptimit të qëndrueshëm, duhet të dëgjohen shumë bori, të merret ajo që është më racionale dhe më pak e ndikueshme nga interesat e ngushta partiako-koninukturale. Ndryshimet në Kushtetutë, sidomos kur janë thelbësore, kërkojnë maturi dhe përgjegjësi, aq më tepër që Kushtetuta jonë është miratuar me referendum. Ndryshimet në Kushtetutë nuk duhen bërë në korniza relativisht të mbyllura ku dëgjohet vetëm zëri i politikanëve apo deputetëve, sepse kur ato janë të nxituara dhe të pastudiuara mund të shoqërohen me pasoja të dëmshme.

"Nëse shqyrtimi projektligjit për kufizimin e imunitetit të deputetit dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale" do të konsideroheshin urgjente (megjithëse për mua nuk është i tillë) veç të mirës, asgjë të keqe nuk do të kishte që të lihej një farë kohe studimi edhe nga të tjerët. Madje, kjo hapësirë mund të shërbente si reflektim edhe për vetë hartuesit dhe mbështetësit e kësaj nisme. Kur është çështja e miratimit të një ligji dhe sidomos e atyre që kërkojnë votim të cilësuar, aq më tepër kur është rasti i ndryshimeve kushtetuese, problemi nuk duhet politizuar. Praktika ka vërtetuar se në disa raste, mungesa e argumentit, zëvendësohet me fjalorin politik, gjë që pengon debatin e mirëfilltë juridik dhe ndikon negativisht në arritjen e konsensusit. Veç kësaj, prononcimi publik në raste dhe momente të tilla të rëndësishme është shumë herë më i mirë dhe më rezultativ se heshtja, sepse heshtja, kur duhet folur, nuk i shërben demokracisë.

Në përfundim, duhet pranuar se diskutimi i këtij problemi edhe pse i rëndësishëm, nuk është më urgjent se ai i përgatitjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 që trokasin në derë, ndërsa ne jemi të vonuar.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Dhjetor, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Vlereso artikullin
0