Imuniteti dhe gjuetia e shtrigave
"Është rënë dakord të shembet muri i imunitetit", - deklaroi në emfazë para pak ditësh Kryeministri Sali Berisha, duke nënkuptuar edhe një akord tjetër me kreun e PS, Edi Rama. Duke u shprehur për heqjen e imunitetit si për shembjen e Murit të Berlinit apo të Zogut të Zi, Kryeministri i mëshoi në sfond nevojës së vënies së zyrtarëve të lartë të shtetit dhe deputetëve para ligjit, njësoj si qytetarët. Por kjo është thjesht një gjuhë populiste që përpiqet të maskojë qëllimet autoritariste të Berishës, duke e paraqitur imunitetin si një e keqe që duhet hequr qafe. Në fakt, përpara se të jetë një "mur" që pengon luftën kundër korrupsionit, imuniteti parlamentar është një masë mbrojtëse e demokracisë kundër autoritarizmit. Sipas një relacioni të Komisionit të Venecias, të injoruar që këtu e dy vjet nga politika e Tiranës, "imuniteti parlamentar është dizajnuar para së gjithash, që të mos lejojë pushtetin ekzekutiv ose shumicën parlamentare, që të pengojë funksionimin normal të Parlamentit, veçanërisht duke dobësuar opozitën nëpërmjet hetimeve selektive". A ekziston një rrezik i tillë në Shqipëri? Po të marrim në konsideratë tendencat e fuqishme autoritariste të Kryeministrit Berisha, përgjigja është po, madje shumë. Por frika u kundërshtua dy ditë më parë nga lideri i PS, Edi Rama, kur deklaroi se gjykimi mbi kufizimin e imunitetit, bëhet i mundur nga që "sot nuk jemi në kushtet e gjuetisë së shtrigave të një viti më parë". Një deklaratë, optimizmi i së cilës, nuk përputhet me faktin shqetësues të akumulimit gjithnjë e më të madh (edhe pas ca ndryshimeve të befta të Kushtetutës) të forcës dhe pushtetit nga Kryeministri Berisha. Ndërkaq është krejtësisht absurd, fals dhe thjesht propagandistik, pretendimi që e paraqet imunitetin e deputetëve si murin, që pengon luftën kundër korrupsionit. Sepse lufta kundër korrupsionit nuk pengohet dot nga imuniteti parlamentar nëse ekziston vërtet vullneti parlamentar dhe politik, për ta thelluar vërtet këtë luftën. Ndërkaq çështja shtrohet: A ekzistojnë në Shqipëri ato kushte dhe institucione që do ta bënin të pamundur abuzimin politik me kufizimin e imunitetit të përfaqësuesve të popullit? A ekzistojnë në Shqipëri ato institucione të pavarura të cilat nuk do të lejonin që kufizimi i imunitetit të keqpërdorej nga një qeveri autoritariste për të goditur opozitën politike dhe jo korrupsionin?
***
Këto janë në fakt edhe dilemat që ngrenë ekspertët e Komisionit të Venecias, në një relacion dërguar Kuvendit të Shqipërisë që në mars të vitit 2006. E drejta e Parlamentit për t‘i hequr imunitetin anëtarëve të tij, është pjesë e traditës parlamentare evropiane por ndërkaq, është e vështirë të vendosësh nëse kjo gjë duhet bërë rast pas rasti për çdo deputet kur lind nevoja, apo duke e kufizuar imuniteti për të tërë deputetët në avancë. Për këtë duhet gjykuar nga deputetët, politikanët, juristët duke marrë në konsideratë kushtet e çdo vendi, natyrën e pushteteve politike, të lidershipeve dhe tërë sistemin e institucioneve. Shembulli i vendeve të tjera demokratike nuk mund të jetë i vetmi kriter vlerësimi. Edhe rasti i Gjermanisë, ku është bazuar projekti i PD për kufizimin dhe heqjen e imuniteteve, nuk mund të shërbejë si kriter absolut, i pakundërshtueshëm. Sepse vërtet Parlamenti Gjerman bën një heqje pjesore të imunitetit për të gjithë deputetët në krye të çdo legjislature, por edhe sot e kësaj dite në literaturën juridike, hidhen dyshime se "heqja e përgjithshme e imunitetit të deputetëve, mund të ndikojë në punën e Parlamentit, duke mundësuar zhvillimin e hetimeve selektive, arbitrare, madje edhe politikisht të motivuara". Kështu thuhet në paralajmërimet e Komisionit të Venecias për politikanët shqiptarë. Është e kuptueshme që Berisha nuk ka interes t‘i dëgjojë ato. Po opozita? Komisioni i Venecias nënvizon që rreziqet të shqyrtohen seriozisht dhe sqaron se ato, mund të minimizohen nëse Parlamenti ruan të drejtën për të rivendosur imunitetin dhe nëse heqja e imunitetit nuk përfshin autorizimin për të masa kufizuese kundër deputetit. Po ashtu është e rëndësishme që në gjykimin mbi pranueshmërinë e kufizimit të imunitetit parlamentar, të merret në konsideratë gjendja e sistemit ligjor dhe Kushtetutës në tërësi. Në Gjermani ka disa rregulla shtesë që shërbejnë si barriera për të penguar hetimin e motivuar politikisht të deputetëve. Një deputet në Gjermani mund t‘i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me një ankesë. Këtë mund ta bëjë edhe një deputet shqiptar por, sa garanci jep Gjykata Kushtetuese se do të marrë vendim larg ndikimeve politike? Përvoja ka treguar se një garanci e tillë, herë më shumë dhe herë më pak, përgjithësisht nuk ekziston në Shqipëri. Veçanërisht për çështje me ndjeshmëri të lartë politike. Tashmë janë evidente shumë raste kur Gjykata Kushtetuese nuk ndihet e lirë dhe e inkurajuar për t‘u shprehur për çështje me ndjeshmëri të lartë në rivalitetin politik. I rëndësishëm, sipas Komisionit të Venecias, është në këtë kontekst edhe ajo tërësi rregullash që mbrojnë pavarësinë e prokurorëve publikë. Në Gjermani prokurorët i përkasin shteteve të ndryshme që do të thotë, se ata nuk janë të varur nga shumica që qeveris në nivelin federal. Po në Shqipëri a mund të flasim për pavarësi të prokurorisë nga politika, nga shumica qeverisëse, nga qeveria? As që mund të bëhet fjalë kur vetëm pak kohë më parë, Prokurori i Përgjithshëm u shkarkua pa konsensusin politik dhe po ashtu, u emërua prokurori i ri. Ndërkaq vetë prokuroria nuk ka dhënë ende ndonjë provë të hetimit të çështjeve në mënyrë të pavarur nga politika për të fshirë dyshimet e ndikimit të saj mbi të. Dhe opozita nuk duhet të harrojë se në pushtet është një Kryeministër autoritarist me një përvojë mjaft të errët në keqpërdorimin për qëllime politike të prokurorisë dhe pushtetit të drejtësisë në përgjithësi. Të gjitha këto të bëjnë të kuptosh se kufizimi apo heqja e imunitetit të deputetëve jo rast pas rasti, sikundër e ka edhe Kushtetuta, por në bllok sikundër e kërkon Kryeministri Berisha, me shumë gjasa nuk do të jetë një barrierë më pak kundër korrupsionit, por një armë më shumë për autoritarizmin berishist kundër demokracisë. Se vërtet, sikundër thotë Rama, për momentin gjuetia e shtrigave mund të ketë pushuar. Por gjuetari, ndonëse i lodhur, është ende në pushtet.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | |
| 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 |
| 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 |
| 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 |
| 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj