Hakers dhe hakerrues
Kryeministri Berisha u shfaq shumë i zemëruar me ata që kishin bërë një shaka me faqen e internetit të Kryeministrisë, por, në fakt, jo në faqen e internetit të Kryeministrisë. Në një konferencë shtypi, ai i cilësoi gabimisht "hackers"-a autorët e shakasë dhe mezi priti t‘i klasifikojë si autorë të një veprimtarie klandestine, duke premtuar se do të merren masa të forta sigurie. Po kundër kujt, kundër një shakaje? Por, ndërsa nxitoi që disa shakatorë të padëmshëm dhe virtualë t‘i cilësojë si hackersa dhe klandestinë, Kryeministri u tregua shumë protektiv me Arben Sefgjinin, drejtorin e Tatimeve të akuzuar nga prokuroria për pjesëmarrje në rrëmbim, torturim dhe vrasje të një personi. Për Berishën, një shaka me figurën e Kryeministrit Berisha në realitetin virtual të internetit është e patolerueshme. Ndërsa fakti që një nga zyrtarët më të lartë të emëruar prej tij mund t‘i ketë duart të lyera me gjakun e një njeriu, nuk përbën problem. Vendimi i gjykatës nuk është pezullim detyre - lau duart Berisha.
Dhe askush nuk e pyeti lidhur me atë që morali i "qeverisë së duarve të pastra" imponon kur një nga zyrtarët e saj më të lartë, akuzohet se mund t‘i ketë të zhyera duart me gjak. A nuk përbën në vetvete këmbëngulja e Kryeministrit për mbajtjen në detyrë të një personi të tillë një skandal rrëqethës? Por, ndërsa mbrojti deri në fund beniaminin e tij të akuzuar keqas, Kryeministrit nuk i munguan hakërrimet e ndrydhura me zor kundër gjykatësve, që e bëkan qeverinë të paguajë kot, kundër Gjykatës Kushtetuese, që jepka vendime fatale dhe që shërbekan si masa sigurie për hajdutë e kontrabandistë. Kryeministri iu hakërrua edhe imunitetit të deputetëve. Por, në pamundësi për të shprehur haptazi epshin e tij të pafjetur, për t‘i lënë gjykatat pa pushtet dhe deputetët pa imunitet, premtoi se të përdorë kundër tyre armën e tij më dhelparake që po budallalleps edhe ca ndërkombëtarë. Tha se do t‘i "reformojë".
***
Logjika e Berishës (nëse mund të quhet e tillë) ndjek dy standarde. Kur është fjala për njerëz të klanit apo shërbëtorë të bindur të tij, ligji duhet të jetë i ngadaltë, madje edhe kur bëhet fjalë deri për krimin e vrasjes së një njeriu. Në këtë rast duhet pritur vendimi i gjykatës. Por, kur është fjala për të shantazhuar biznese, ose deri edhe media që nuk i vijnë Berishës pas fillit, duhet që ligji i gjobave të veprojë pa pritur ende vendimin e gjykatave! E ka shumë për zemër të citojë përvojën e vendeve të tjera, kur ka rast të peshkojë ndonjë shembull në mbështetje të intrigave të tij. Madje, kuturis edhe të shpifë dhe ekzagjerojë, duke fyer inteligjencën e audiencës, kur bërtet se në asnjë vend të botës gjykata nuk është e gjithëpushtetshme. Pra, shpik problemin sikur këtu gjykatat janë të gjithëpushtetshme për të ardhur më pas te nevoja e një "reforme". Dhe kjo ndodh pikërisht në kohën kur po flitet për reformën në drejtësi, për ta çliruar nga thonjtë e politikës dhe në radhë të parë, të këtij autoritaristi që qahet se gjykatat ia paskan marrë të gjithë pushtetin. Në fakt, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vërtet fatal, sikundër tha Berisha.
Por është fatal vetëm për autoritaristin Berisha, që planëzon t‘i përdorë gjobat për shantazh kundër biznesit, medias, qytetarëve. Në të kundërt, ai është mjaft pozitiv për biznesin (ndaj u mbështet edhe nga FMN), sepse nuk lejon ekzekutimin e një gjobe pa u konfirmuar drejtësia e saj. Por, pikërisht kjo e zemëron autoritaristin Berisha. Sepse dhuna autoritariste, fiskale apo politike, bazohet te padrejtësia. Hyrja në lojë e drejtësisë e neutralizon abuzimin me pushtetin në formën e intrigës apo shantazhit autoritarist. Por këto mbeten armët më efikase të Berishës, në qëllimin e tij për të sunduar shtetin. Ndaj, do të bëjë gjithë përpjekjet ta neutralizojë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, me një ligj tjetër që thuhet se po përgatit. Nëse ndodh kështu, atëherë do të kemi një tjetër episod të kundërvënies së pushtetit ekzekutiv ndaj frymës së një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, pra edhe ndaj Kushtetutës vetë. Sepse, i vetmi institucion garant i Kushtetutës, është Gjykata Kushtetuese. A do të tolerohet kjo?
***
Rikthehemi përsëri te çështja e ish-shikasit Sefgjini. Si është përvoja ndërkombëtare për raste të tilla analoge. As mund të mendohet që një zyrtar i lartë, i mbyllur në arrest shtëpie, për shkak se akuzohet për korrupsion, të mos japë dorëheqjen apo të mos pezullohet nga detyra. Jo vetëm për faktin se duke qenë nën arrest ai nuk mund të kryejë funksionet e ngarkuara, por, mbi të gjitha, për faktin se publiku shqiptar nuk mund të pranojë të qeveriset nga një person i akuzuar për vrasje. Eshtë pikërisht kaq e thjeshtë. "Shqetësimi" i Berishës, se mos qeveria do të detyrohet të dëmshpërblejë përsëri për arrestimin e Sefgjinit, është një pretekst i trashë, sepse ky Kryeministër nuk e ka çarë kokë këtu e 3 vjet për miliona të harxhuara nga qeveria e tij, për të dëmshpërblyer nëpunës civilë që janë pushuar pa të drejtë nga puna prej militantëve të Berishës. Eshtë po ky Kryeministër që ka preferuar të paguajë miliona nga paratë e qytetarëve dhe të mos rikthejë në postet e rrëmbyera nga militantët e tij njerëz që kanë fituar gjyqin me dikasteret e qeverisë "Berisha". Qëndrimi i Berishës ndaj çështjes Sefgjini është shprehje e një paragjykimi, por edhe proteksionizmi të papërligjur. Sepse, Berisha nuk e di si do të përfundojë procesi.
Nëse e di se Sefgjini do dalë i pafajshëm, kjo do të thotë se ka akaparuar që pa nisur tërë procesin. Kjo "po" që do të ishte fatale! Por, normalisht Kryeministri nuk mund ta dijë si do të përfundojë procesi. Ndaj, mbajtja në detyrë e një nëpunësi, edhe pse i arrestuar me akuzën e rëndë për vrasje, është një pozicionim i Berishës (i këtij politikani me shumë pushtete në shtet) në favor të Sefgjinit dhe për rrjedhojë, një mesazh (për të mos thënë shantazh) për gjykatësit e çështjes. Dhe në këtë moment nuk mund të mos shtrosh pyetjen: Pse, pse e bën Berisha këtë? Çfarë e lidh kaq fort me Sefgjinin? Në përpjekjen për të gjetur një përgjigje nuk mund të neglizhojmë faktin që Sefgjini është akuzuar për kontribut në rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e biznesmenit Remzi Hoxha, në kohën kur ishte një ndër drejtuesit e SHIK-ut famëkeq për publikun, por një armë e dashur e ish-Presidentit Berisha. Mos kemi të bëjmë me besnikëri ndaj një shoku të vjetër armësh? Ndërkaq, nuk mund të neglizhohen ca raportime në media, që kanë dashur të thonë se Hoxha është zhdukur nga SHIK-u (madje edhe gazetari Ali Ukaj), pikërisht për të zhdukur gjurmët e një takimi të ish-presidentit Berisha me ish-presidentin serb, Millosheviç.
Prandaj, nuk mund të mos pyesim përsëri: Mos vallë, duke mbrojtur Sefgjinin, Kryeministri po mbron veten? Mos është e njëjta gjë si me Mediun dhe me Gërdecin? Nuk gjendet Kryeministër në botë që gjatë karrierës shumë të gjatë (edhe kjo si e asnjë politikani në botë) të jetë kaq i rrethuar me tragjedi, mistere vrasjesh, bashkëpunëtorë e badigardë të tij, që akuzohen se kanë vrarë deri edhe heronj të demokracisë. S‘ka Kryeministër në botë që të tregojë një besnikëri gati klanore ndaj nëpunësve të akuzuar apo dyshuar për trafiqe e korrupsion. Dhe në fund, s‘ka kurrkund një Kryeministër të tillë, që akuzën e drejtësisë kundër bashkëpunëtorëve të tij të dashur, ta kthejë në një hakërrim kundër prokurorëve apo gjykatësve, "të cilët i krijojnë këtë dëm (financiar) shtetit", apo një Kryeministër, që kërkesën për heqjen e imunitetit të një ministri ta përdorë si kartë për t‘u hequr imunitetin gjithë deputetëve. Natyrisht, pas asaj që ndodhi me Kushtetutën, me "konsensusin" e opozitës.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (1 vendosur):
Vendosni komentin tuaj