24 ore lajme: SHIK-un askush s’e mbron dot për “Remzi Hoxhën” SHIK-un askush s’e mbron dot për “Remzi Hoxhën” ================================================================================ Artan Hoxha on 05 May, 2008 08:42:00 Për herë të parë ish-drejtuesit e lartë të Shërbimit Informativ Kombëtar, të drejtuar nga Bashkim Gazidede, do të jenë në bankën e të akuzuarëve në një proces të rregullt gjyqësor. Përpjekjet që zgjatën për më shumë se një dekadë, për ta fshehur dhe mbuluar krimin shtetëror të 21 tetorit 1995, dhe për ta nxjerrë të pa implikuar SHIK-un, rezultuan të dështuara. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Krimeve të Rënda për ti çuar në arrest shtëpiak tre ish-funksionarët e SHIK-ut të Gazidedes është një tjetër mesazh i fortë se drejtësia po lëviz në drejtimin e duhur. Mbrojtja politike dhe shtetërore, që i shpëtoi nga ndëshkimi për 13 vjetë me radhë autorët e zhdukjes së Remzi Hoxhës, tashmë duket se ka nisur të thermohet. Në të gjitha daljet publike që ish-shefi i SHIK-ut Bashkim Gazidede, ka bërë pas ardhjes në pushtet të kualicionit të djathtë, e ka mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen e vartësve të tij në këtë ngjarje të rëndë. Në nëntor të vitit 2006 ai deklaroi në një televizion privat, se kishte shumë mundësi që rrëmbimi dhe zhdukja e Remzi Hoxhës, të ishte një krim ordiner, që në atë kohë u kishte ndodhur dhe shumë biznesmenëve të tjerë për arsye përfitimi. Të njëjtin qëndrim, në mbrojtje të ish-drejtuesve të SHIK-ut mbajti dhe kryeministri Berisha, i cili i emëroi ata në krye të disa institucioneve shumë të rëndësishme si Drejtoria e Hipotekave, Drejtoria e Përmbarimit apo Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Madje dhe kur prokuroria dërgoi për gjykim "Dosjen Hoxha" më datë 25 prill 2008, ku mes të pandehurve ishte dhe emri i Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Arben Sefgjini, qeveria Berisha dhe respektivisht Ministri i Financave Ridvan Bode, nuk ndërmorën asnjë veprim për ta larguar atë nga detyra, edhe pse ky ishte një detyrim ligjor. Përveç fakteve dhe dëshmive të siguruara nga grupi hetimor, implikimi i strukturave të SHIK-ut të Gazidedes u provua dhe nga ish-shefi i Bazës së Vëzhgimit të SHIK-ut, Avni Koldashi. Në një letër dërguar drejtuesve më të lartë të shtetit, më datë 20 mars 2008, Kapiteni i Rangut të Parë në SHIK, Avni Koldashi deklaroi se ai "thjeshtë ka zbatuar një urdhër të eprorëve të tij", fakt ky i provuar nga Prokuroria gjatë hetimit të dosjes 499. Pikërisht për këtë shkak Koldashi e humbi statusin e njeriut "të besuar" tek ish-shefat e tij dhe nuk u rikthye asnjëherë në punë pas vitit 2005. Që pas krimit shtetëror të rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës qëndrojnë drejtuesit e lartë të SHIK-ut të Gazidedes, tashmë nuk ka asnjë dyshim, por a do të mund drejtësia të ngjitet më lartë në hierarkinë e shtetarëve të implikuar, kjo mbetet të shihet gjatë procesit gjyqësor.