Faqja e Pare | Editorial | Nga shkelqimi " Makro" tek represioni " Mikro"

Nga shkelqimi " Makro" tek represioni " Mikro"

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

Në fillim të kësaj jave kryeprokurorja e Republikës, Ina Rama, i dorëzoi Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të kryetarit të Partisë Republikane dhe njëkohësisht deputetit Fatmir Mediu. Cili është komenti juaj mbi këtë kërkesë dhe mbi mënyrën se si po rrjedhin ngjarjet pas shpërthimit të Gërdecit? A mendoni se kjo kërkesë do të sjellë pasoja dhe ndryshime në realitetin politik në vend?



Jo vetëm një herë, jo vetëm në bashkëbisedimin tonë, dhe jo vetëm tani vonë, kemi nënvizuar idenë se Gërdeci përveç dhimbjes që solli, përbën edhe një moment reflektimi, korrektimi deri edhe “lavazhi” për politikën shqiptare. Këtë nuk e kemi thënë as rastësisht e as emocionalisht. Ai përbën vërtet sprovë të tillë, jo vetëm për shkaktarët e kërpudhës, të përfshirë direkt në shkresat e Gërdecit, jo vetëm për eksponentë të caktuar të qeverisjes, për këta po se po, por edhe për të gjitha “pushtetet” e tjera, përfshi edhe atë të opozitës, medias e gati të gjitha segmentet e shoqërisë aktive. Të gjithë duhet të kalojnë nga “testi i kraterit”, madje edhe po të mos duan, janë të shtrënguar ta bëjnë këtë. Edhe nëse supozojmë se dikush nga përgjegjësit a faktorët do të mund t’ia hedhë prokurorisë, apo kjo e fundit do të përpiqet të bëjë ca arshivime, janë sytë e veshët e një shoqërie të tërë ata që s’mund t’i shqiten kaq lehtë kësaj pune. Madje, janë edhe sytë e veshët e partnerëve e komunitetit ndërkombëtar, të cilët nuk do t’i shqiten “Gërdecit” pa një përgjigje të besueshme e të argumentuar. Nga ana tjetër, po bëhen dy muaj që krerët e mëdhenj të pushtetit e politikës, të zgjuar befas nga procesi i vetëngatërrimit ku ishin zhytur si padashur dhe kundërthënieve që prodhonin çdo ditë - jo pa njëfarë budallallëku - përpara kamerave, kanë kuptuar më në fund se publikut s’mund t’ia hedhësh kaq lehtë dhe se brenda tij ka plot njerëz me shkollë e me sens drejtësie, që mbajnë edhe shënime dhe të nxjerrin kur të duash zbuluar. Kuptuam, pra, më në fund atë që kur s’ke gojë të flasësh, “heshtja është vërtet flori”. Kështu që prej një muaji i janë kthyer qëndrimit të kujdesshëm duke lëshuar si “shpjegim” vetëm fraza të shtruara si “fjalën e kanë organet e drejtësisë”, “kemi bindjen se prokuroria do ta zbardhë paq këtë punë”, etj. Çudia është që tani, pikërisht tani që prokurorja e përgjithshme doli dhe dëshmoi se puna “për zbardhjen e së vërtetës” ka bërë përpara seriozisht dhe se ajo qysh në këtë fazë kishte disa gjëra për të thënë, disa njerëz u stepën dhe s’po e gëlltisin dot situatën. Pikërisht atë situatë që ata thoshin se mezi e prisnin. Disa personalitete, që në raste të caktuara edhe ne i kemi çmuar e ngritur me vlerësimet tona, tani po bëjnë atë që s’pritej; kanë kthyer grykat e zjarrit e papritur nisën të sulmojnë... prokuroren e përgjithshme(!). Duke thënë se kjo dalje e saj për të informuar publikun mbi aspektet e publikueshme të ecurisë së hetimit të Gërdecit s’ishte aspak e hijshme dhe se sidomos kërkesa konkrete për heqje imuniteti të ish-ministrit e deputetit në fjalë ishte e pamatur, e parregullt, e paragjykuar. Sa nuk i thonë që ky ishte “një guxim i tepruar” nga ana e saj. Ç’është kjo punë? Dhe ç’bëri prokuroria në këtë rast më shumë sesa detyrën? Këtë unë për vete e kam zor ta kuptoj. Ja, më lejoni të shpjegohem. Nuk kam asnjë mendim të formuar për ndonjë fajësi të zotit Mediu. Ca më pak ia dëshiroj një fajësim penal, sepse e kuptoj mirë ç’do të thotë kjo për të, për karrierën e sidomos për familjen. Jam jashtëzakonisht i ndjeshëm në këtë pikë dhe nuk do t’ia uroja as ndonjë kundërshtari armiqësor timit, e jo më një njeriu që e njoh e me të cilin përshëndetem miqësisht. Për më tepër, siç kemi thënë diku më parë, lidhur me rastin konkret, zoti Mediu bëri një hap që s’ka si të mos ia çmojmë: dha dorëheqjen dhe la postin e ministrit. Se ç’plan e ç’ide mund të fshihej pas asaj lëvizjeje, e nëse dorëheqja ishte apo jo ndonjë “barrikadë” për t’i paraprirë kësaj apo asaj të keqeje, kjo s’është një punë që duhet ta tjerrim kështu badjava pa fakte – siç bëri pardje një gazetar në një studio.

Dhe shiko tani se ç’ndodh; teksa gazetarit ia lejojmë insinuatën, kryeprokurores që del zyrtarisht e publikisht duke përmbushur njëkohësisht edhe një hap procedural (lejimin për të vazhduar me hetimin) edhe një normë komunikimi si zyrtare e lartë (informimi publik mbi ecurinë e gjërave) – i hidhemi në grykë.

Më konkretisht, dy janë çështjet që kërkojnë shpjegim në këtë ngjarje të fundit. E para, a duhet të dilte prokurorja në një konferencë shtypi e të publikonte ecurinë e hetimit? E dyta, a duhet të kërkonte mandatin e vet për të hetuar edhe një person me imunitet? Në të dy rastet përgjigja qartësisht anon nga po-ja. E para, sepse dalja e kryeprokurorëve të përgjithshëm për të informuar publikun mbi çështje veçanërisht të mëdha e të rëndësishme, përbën një praktikë të njohur ndërkombëtare, veçanërisht për vendet e zhvilluara e me traditë ndërkombëtare. Dhe jemi të gjithë dakord, besoj, se kjo ishte një çështje e tillë për nga rëndësia e ndjeshmëria publike. E dyta, sepse, a nuk jemi pikërisht ne publiku, që sot, një muaj e gjysmë mbas ngjarjes që tronditi jo vetëm njerëzit e muret, por edhe axhendat ndërkombëtare të Shqipërisë, po flasim e përflasim nën zë gjithnjë e më kreshendo: “Po ç’bën xhanëm kjo prokuroria? Si s’po kujtohet të dalë e të thotë një fjalë mbi hetimet? Ç’është kjo punë e fshehtë? Ç’po gatuhet? Apo s’po bëhet fare kurrfarë hetimi? Mos duan ta mbyllim? Kush po e manipulon procesin?” etj. etj.

Mendoj pra, se me daljen e saj, prokurorja s’bëri veçse një gjest normal e profesional. Nëse e tejkaloi apo jo nivelet e lejueshme të volumit e thellësisë së informacionit – për publik (në raport me informacionin e rezervuar), nëse duhet të jepte kaq apo aq detaje mbi rrjedhën e hetimit, kjo është një çështje tjetër. Që përsëri, më mirë se kushdo tjetër e di organi përkatës, i cili nuk mund të thuhet se është i paditur pikërisht në gjëra që janë profesioni i vet. Gjëra të tilla sigurisht që prokuroria i di më mirë se kushdo tjetër.

Po a mund të imagjinojmë ndonjë hipotezë kur kjo punë “të jetë me hile”? Sigurisht që edhe atje të shkon mendja. Por e vetmja situatë logjikisht e pranueshme që kjo dalje e kryeprokurores të mund të gjykohej negativisht do të ishte vetëm ajo, kur dalja të ishte e lidhur me ndonjë skenar e prapaskenë që palë të treta me pushtet thurin në dëm të zotit Mediu, me qëllim për të shkarkuar atje të gjithë barrën e Gërdecit. Mirëpo nëse është apo jo ky rast (edhe në episodin në fjalë), këtë përsëri nuk mund ta thotë askush nga ne. Atë mund dhe duhet ta sqarojë vetë zoti Mediu ose kolegë të tij nga partia a nga administrata, të cilët me siguri duhet të dinë më shumë fakte e lidhje të pushtetit me ngjarjen. Ndryshe kjo punë kështu s’mund të zbutet: edhe duke përjashtuar veten, edhe duke “kursyer” shefat apo partnerët. Se edhe nëse je ti që i kursen partnerët, janë ata që nuk të kursejnë. Dhe rasti i zotit Mediu tregon se nuk po e kursejnë aspak.



Këtë javë që kaloi opinioni publik u trondit nga vdekja e një adoleshenteje pas një operacioni për heqjen e bajameve. Kjo ngjarje nisi pa u shuar ende zhurma e protestës së mjekëve mbi sigurinë e jetës së tyre në spitale, protestë e cila pati për shkak goditjen disa herë me thikë të një kirurgu në ambientet e QSUT-së. Në opinionin tuaj çfarë nuk shkon me sistemin tonë të shëndetësisë?

Një ngjarje e dhimbshme, për të cilën s’di të them shumë. Më vjen jashtëzakonisht keq për familjen që pësoi tragjedinë. Edhe më shumë keq më vjen që ne s’mund të bëjmë asgjë për t’i zbutur dhimbjen.

Në shëndetësi natyrisht ka plot gjëra që nuk shkojnë. Ashtu siç ka edhe një volum pune e përpjekjesh të pamohueshme për të shërbyer njerëzit. Është punë e vështirë, shumë delikate, plot risqe. Krejt e arsyeshme që nga mjekët të kërkojmë më shumë humanizëm e më pak motivim material. Ka raste kur e bëjnë baltë fare. Po nga ana tjetër, cili segment i shoqërisë i ka shpëtuar sot kësaj prirjeje? “Gërdeci” lulëzon gjithandej.



Shoqata të ndryshme të biznesit anatemuan këtë javë ligjin e gjobave. Bëhet fjalë këtu për procedurat mbi ekzekutimin e gjobave që organet tatimore vendosin mbi biznesin. Cili është opinioni juaj, kush ka të drejtë në këtë rast, biznesi, qeveria apo të dyja bashkë kanë të drejtë dhe faji i ngelet sistemit të drejtësisë?

Mendoj se çështje të tilla lidhur me ndërhyrje të veçanta e specifike të administratës shtetërore në raport me biznesin, nuk mund të kuptohen drejt vetëm duke i shtruar kështu ngushtë, proceduralisht e rast pas rasti. Është koha – mendoj unë për t’i hedhur një vështrim të gjerë çështjes së situatës ekonomike dhe klimës së biznesit në Shqipëri. Për dy arsye kryesore: e para, sepse e gjithë ngrehina ekonomike që nga balancat mes anëve të zhvillimit e deri tek stabiliteti makroekonomik në vetvete kanë pësuar disa luhatje e zhvillime të reja – përgjithësisht shqetësuese. E dyta, sepse edhe këto ndërhyrje politikash e masash të veçanta si kjo e procedurave tatimore nuk mund të kuptohen e interpretohen drejt, nëse nuk i shohim në këtë kontekst më të gjerë.

Ç’dua të them? Prej 17 vjetësh jemi mësuar tashmë me deklarimin mbi stabilitetin “e palëkundur” ekonomik që gëzon Shqipëria. Edhe kur në Shqipëri vërshojnë lumenjtë, edhe kur digjen pyjet, edhe kur thahet Fierza, madje edhe kur kërcet kallashi e harlisen piramidat, edhe kur tronditen bankat e shpërthen Gërdeci, këtej nga anët tona çdo gjë tronditet e shpesh shkulet nga rrënjët, përveç një gjëje: stabilitetit makroekonomik. Venë si venë punët këtej përjashta, në fshatra e periferi, në sheshet e të papunëve e në buxhetet familjare, në shërbimet publike e në vjedhjen publike përmes trafiqeve e pasurimit më të poshtër të klaneve me pushtet, stabiliteti makroekonomik mbetet po atje, i palëkundur. E hapa kot një ditë këtë temë me taksistin që më çoi diku: Kemi një seminar, - i thashë. Për çfarë bëhet fjalë? - më pyeti. Për treguesit makroekonomikë, - iu përgjigja për ta “trembur” e mbyllur muhabetin. Aaa, nga ajo anë jemi top, – më tha. Me GDP-në 6 për qind, inflacionin 3 për qind e deficitin buxhetor vetëm 3-4 % jemi më mirë mbase edhe se disa vende anëtare të BE-së. Shtanga. Nga i di ti këto, - e pyeta - mos keni bërë edhe ju ndonjë seminar tani afër? Jo, jo, - më tha - po këto i di kushdo në bllokun tonë të taksive, janë shifra që i dëgjoj përditë në radion e benz-it tim. Nga mëngjesi e deri në mbrëmje. Për 10-15 vjet rresht. Epo mirë, - i thashë - pikërisht kjo është ajo që duhet. Shifra të tilla “makro” janë baza e themeli i zhvillimit të qëndrueshëm. Në se ato janë të tilla, të qëndrueshme për kaq vjet ky është pikërisht lajmi që na duhet. Nuk na duhet dhe aq, – më tha. E para, se i dimë. Ja, unë t’i thashë të gjitha me një frymë. Të them po të duash edhe plot shifra të tjera të qëndrueshme. Po çfarë mungon e çfarë na u dashka më shumë, – i thashë jo pak i habitur nga rrjedha e bisedës.

Iu përgjigj pyetjes me një pyetje. Madje me një seri pyetjesh. Pyeti për deficitet e disbalancat e ekonomisë. Që nga deficiti tregtar që rritet e thellohet e deri tek deficiti buxhetor që luhatet e s’qëndron. Pyeti për papunësinë, për varfërinë, për konkurrencën e produkteve të huaja, për konkurrueshmërinë e produkteve tona, pyeti pse po braktiset bujqësia, pse po rriten çmimet e ushqimeve, ç’bëhet me tregun e tokës, me tregun e punës, me trajnimin dhe përgatitjen e forcës së punës sipas nevojave të tregut. Hodhi madje dyshime të hapta edhe për nivelin e raportuar edhe të vetë treguesve makroekonomikë. Ç’është? – më tha - ky inflacion 2,9% që raportoni për vitin e shkuar? Kujt i thoni që sivjet po del vetëm pak nga limiti, duke kaluar me zor deri në 4,6%. Keni bënë apo jo një herë të vetme në pazar. Më thoni cili është ai produkt ushqimor, ai frut apo zarzavat, ai vaj apo ai miell që qenka rritur vetëm kaq pakëz për qind? S’e dini ju që kjo rritje në tregun e fruta-perimeve është së paku 30%? Që plot mallra të tjera janë edhe gati dyfishuar?

Natyrisht, – më tha, tek më pa ashtu të ngrirë e të hutuar – e di që këto s’janë ndonjë punë e përgjegjësi jotja, por e vendimmarrësve dhe qeverisësve.

Po edhe nga ty e kërkoj një xhevap. Mbi një çështje që më shqetëson prej kohësh. E shtroj dhe çështjen. Tmerrësisht direkte edhe kjo. Dakord – ishte çështja, që nga njëra anë kemi “shkëlqimin” makroekonomik e nga ana tjetër – një listë ngecjesh shumë konkrete. Po kush më thotë se si është e mundur që këto dy tablo të bashkëjetojnë në një harmoni kaq të plotë sa në Shqipëri?

***

Taksisti i kishte rënë pikës. Më vuri vërtet në punë. Ja ç’munda të formuloj asaj dite. Është e vërtetë se ka një diferencë në pamje mes raporteve mbi treguesit makroekonomikë që shpallin autoritetet, Banka, Statistikat dhe FMN-ja – nga njëra anë dhe treguesve të tjerë të zhvillimit të qëndrueshëm a të paqëndrueshëm ekonomik të vendit – që shpallin raporte të tjera. Jemi vërtet në një linjë me vendet e rajonit lidhur me rritjen e PBB-së e normën e inflacionit, por jemi absolutisht të fundit në rajon sa i përket indeksit të konkurrueshmërisë së ekonomisë. Kemi një ulje të ndjeshme të barrës fiskale nominale ndaj biznesit –shprehur në nivele taksash e tarifash të shpallura, por kemi një rritje të të ardhurave që i tërhiqen këtij biznesi në total nëpërmjet një serie rrugësh e kanalesh të shpallura e të pashpallura. Ja, marrim të ardhurat doganore. Brenda pesë vjetësh vërtet që të ardhurat doganore që i vilen biznesit në trajtën e taksës doganore janë ulur me 30% (ulja e tarifës doganore), por i merren me rritje të fortë që ç’ke me në forma të tjera. P.sh. në formë akcizash të rritura. Ja, shohim se brenda po atyre pesë vjetëve (2003-2007) vjelja e akcizave është rritur më shumë se 2 herë e gjysmë. Madje duke pasur edhe “rrjedhje” me cigaret.

Një “vjelje e rritur” vjen edhe nga përdorimi i çmimeve të referencës, të cilat herë përdoren e herë s’përdoren – sipas leverdisë së administratës. Thënë më thjesht, kur çmimet ndërkombëtare të mallrave të importit ulen – përdoren gjerësisht “referencat”, ndërsa kur çmimet botërore rriten (siç po ndodh tani) – ajo vendos ta braktisë “metodën alternative” dhe i kthehet sërish çmimit të faturës. Duke i dhënë vetes të drejtë të plotë që të lëvizë si të dojë në zgjedhjen e metodës. Më leverdis përdor “referencën”. S’më leverdis të hidhem tek metoda tjetër. A është kjo një klimë e shëndoshë biznesi? Por edhe këtu kemi raportet përkatëse ndërkombëtare që flasin mjaft përmbledhtas. Në vendin 136 nga 178 vende gjithsej - na rreshton raporti i Bankës Botërore “Të bësh biznes 2008” – lidhur me klimën e biznesit. Kujtojmë pastaj edhe deficitet e forta të llogarisë korrente, ku në vend të parë mbetet deficiti tregtar. Eksportojmë 4 herë më pak nga sa importojmë. Në bujqësi e ushqime pamja është edhe më e dobët.



Gjëra këto që na çojnë në thelbin e pyetjes. Si arrijmë që t’i mbajmë të dy anët në bashkëjetesë? “Stabilitetin makro” nga njëra anë dhe disbalancat e mësipërme nga ana tjetër? Me përpjekje e miradministrim – patjetër. Por raportet e mësipërme e shikojnë këtë si një rrugë të pamjaftueshme. Me çfarë tjetër atëherë? Dhe këtu vijnë me radhë: një sërë zbutësish realë siç janë transfertat e emigrantëve (në një shifër më të lartë nga gjithë eksporti i mallrave), por edhe instrumentesh e marifetesh. Që nga problemet metodologjike e të llogaritjes së saktë të makrotreguesve e deri tek gjobat dhe rivlerësimet, për të cilat po flasim. Qeveritë tona janë në hall, sigurisht. Ato i kanë shumë qejf angazhimet “e forta” ndërkombëtare. Marrin me guxim çdo zotim të mundshëm që u del përpara. Liderët tanë duan të dalin të dalluar me axhendat. Në qoftë se bota – fjala vjen na lejon një shtrirje për disa vjet të tarifave doganore, ne i biem tavolinës: do ta bëjmë para afatit! Do t’i heqim të gjitha! Ekonomia duhet liruar. Biznesi duhet çliruar. Kujtojmë që deklarimi e firmosja e axhendave të tilla mjafton vërtet për “t’i dhënë frymëmarrje biznesit e prodhimit”. Ose së paku u gëzohen “pikëve ndërkombëtare” që kujtojnë se fitojnë. Harrojmë se pastaj nga Brukseli, apo Kankuni na duhet të kthehemi në shtëpi. Ku duhet të bëjmë derman për rrugët e urat që kemi marrë zotim “pa doganë” gjatë fushatave populiste-propagandistike. Për to duhet para e madhe. Ku t’i gjejmë? Rruga që ka mbetur vjen gjithnjë e ngushtohet. Gjithnjë e më shumë ajo po vjen e po kalon nga ca shtigje të pakëndshme represive ndaj biznesit. Po rrëshqitet drejt një sistemi policor në tatime. Me të drejta taksidari e kadiu njëkohësisht.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0