Rrufe e vjeter ne qiellin e politikes se re
Rreth dy javë më parë, askush nuk do ta kish besuar (ndoshta as Sali Berisha vetë) se partia më e madhe e opozitës, PS, do të votonte në konsensus të plotë me mazhorancën berishiste, disa amendamente kushtetuese, që i japin edhe më shumë pushtet Kryeministrit autoritarist Berisha. Rreth dy javë më parë, askush nuk do ta kish besuar se PS, që prej tre vjetësh në opozitë kish luftuar fort kundër dhunës së kartonit të shumicës blu, do të bashkonte votat me këtë shumicë për të ushtruar tiraninë e shumicës së bashkuar kundër atyre zërave në Kuvend, që kërkonin të mbronin Kushtetutën. Rreth dy javë më parë, do të dukej e paimagjinueshme që PS do të flakte me arrogancë të gjitha sugjerimet e aleatëve të saj në luftën kundër autoritarizmit berishist, vetëm dhe vetëm që t‘i shkojë deri në fund bashkëpunimit me autoritarizmin berishist.
Rreth dy javë më parë, dukej e paimagjinueshme që PS, e cila kish kundërshtuar me forcë miratimin pa transparencë dhe me procedura të përshpejtuara të shumë akteve dhe ligjeve të dyshimta nga një shumicë që vetë shkruan dhe vetë vulos, do të bashkohej me PD në një aksion të beftë, që e transformoi Kushtetutën e Republikës thelbësisht, për keq, dhe në mënyrë të rrufeshme. Askush nuk do ta kish besuar edhe që PS, një parti e madhe e majtë që flet vazhdimisht në emër të popullit, do t‘i bashkohej një shumice tiranike për të shmangur jo vetëm mendimin, por edhe votimin nga populli. Të gjitha këto dhe shumë argumente të tjera, e bëjnë ndryshimin e Kushtetutës nga shumica e bashkuar PS-PD, një rrufe të vjetër në qiellin e politikës së re, që po përflitet kaq shumë nga lidershipi i majtë. Dhe shkreptima e kësaj rrufeje nuk mund të mos ndriçojë në qiellin e "politikës së re", skaje të një politike të vjetër të mbetura ende në errësirë.
Nëse ndjek me vëmendje opinionet e shpalosura këto ditë në media, është vështirë të gjesh ndonjë artikull apo vlerësim që pajtohet me thelbin e mendimeve kushtetuese, që i dhanë edhe më shumë pushtet Kryeministrit. Madje, edhe figura të shquara të së majtës, si ish-presidenti Meidani, apo edhe ideologu i saj, Servet Pëllumbi, kanë shprehur kritika dhe rezerva për këtë akt tepër të dyshimtë. Reagimi kritik i mjedisit mediatik dhe politik ka shpjegim dhe është plotësisht i përligjur nga ushtrimi kaq evident i një arrogance të bashkuar. Por, përballë këtij reagimi normal, mbetet i pakuptueshëm uniteti i PS rreth lidershipit të saj. Eshtë një unitet partiak, tipar tipik i politikës së vjetër dhe që nuk i shkon aspak politikës së re. Dhe përsëri sikundër është tipike për politikën e vjetër, ka edhe deputetë socialistë, që pasi i kanë votuar amendamentet, i përflasin ato si të mbrapshta në tavolina kafenesh, pikërisht ashtu sikundër prej 18 vjetësh, deputetë të PD përflasin bëmat e Berishës, por pa guxuar kurrë t‘i dalin ballas.
Si është e mundur që në kulmin e klimës së "politikës së re", që presupozohet se duhet te mbretërojë në PS, reflektohet një unitet monolit rreth lidershipit, për një çështje ndaj së cilës evidentohet një qëndrim kritik thuajse mbarë publik? Vallë ta kenë gabim të gjithë, aleatë të majtë të PS (me shpresë jo përfundimisht ish-aleatë), figura të njohura të politikës, opinionistë të shumtë, madje edhe diplomatë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, që janë shprehur si nëpër dhëmbë, se amendimeve nuk iu dha koha e duhur për diskutim të gjerë publik? Pra, të gjithë ta kenë pasur gabim dhe vetëm lidershipi i PS ta ketë drejt? Si shpjegohet që thuajse askush nuk u shfaq kundra në grupin parlamentar të PS (sepse dukshëm nuk pati kohë që amendamentet për Kryeministrin dhe Presidentin të diskutohen në forumet e partisë) dhe që asnjë deputet nuk u ndikua sadopak nga kritikat apo qoftë edhe nga sugjerimet që këtyre ndryshimeve të rëndësishme duhet t‘u jepej më shumë kohë?
Të gjitha të bëjnë të dyshosh se në PS, në partinë më të madhe të opozitës, në këtë shpresë të politikës së re, është shfaqur krimbi i konformizmit prej automati me liderin dhe lidershipin. Dhe s‘ka rëndësi nëse është Edi Rama që (ta themi me delikatesë) po "disiplinon" partinë apo është vetë në mos partia, deputetët dhe funksionarët servilë, që po vihet në rresht para Edi Ramës, pasi ky shtiu në dorë listat e mbyllura që të japin një kolltuk deputeti. Natyrisht, është edhe lidershipi i PD dhe media pranë këtij lidershipi, që po mbështet PS me avokati për amendamentet, por, a është kjo një shenjë pozitive për PS? Dhe pastaj, kush e mendonte se do të vinte një ditë që lidershpi i PS do të kishte nevojë që për të konfirmuar drejtësinë e një akti politik, të bazohej edhe tek "argumentet" dhe avokatia e lidershipit të PD apo më saktë, tek "argumentet" e ofruara nga autoritaristi Berisha? Kur të mbron Berisha, vetëm ky fakt, është kundërargumenti më elokuent kundër drejtësisë së një politike apo një akti politik të ndërmarrë nga ndonjë parti apo lidership. Eshtë prova e pakundërshtueshme e një gabimi fatal.
Ndaj, sa më shumë rreket Berisha të mbrojë amendamentet që i kanë dhënë edhe më shumë pushtet Berishës, aq më gërryese ngrihet kureshtja: Pse i pranuan kaq mendjelehtësisht dhe shpejt socialistët amendamentet e ofruara befas nga Berisha? Çfarë gjë të mirë ka në këto mendime të Kushtetutës të votuara edhe nga PS dhe që i pëlqejnë kaq shumë Berishës? Ç‘e mirë mund t‘i vijë opozitës dhe demokracisë, nga një ndryshim kushtetues kaq i pëlqyer dhe i shpallur si "reformë", nga një autoritarist i pandreqshëm që do lakmojë deri në fund të jetës së tij politike, një pushtet gjithnjë e më absolut? Hamendjet, por edhe akuzat, janë të shumta. Dikush thotë se Rama ka pranuar amendamentet e Berishës në mënyrë që Berisha të votojë amendimet e Kushtetutës të nevojshme për reformën zgjedhore.
Një tjetër thotë se Berisha ka arritur ta shantazhojë dhe frikësojë Ramën, duke i kujtuar akuzat dhe dosjet për korrupsion në bashki. Një tjetër version është ai që e shpjegon pajtimin e PS dhe PD për të ndryshuar Kushtetutën, me qëllimin që ka Rama për të qeverisur i qetë, si një Kryeministër fuqiplotë nesër, kur të vijë në pushtet. Por sido që të jetë motivi, bashkimi i votave me Berishën, në të gjitha rastet gjen vend vetëm në kategorinë e një gabimi të rëndë politik. Qoftë si prirje drejt një qeverisjeje autoritare dhe largim nga liberalizmi, qoftë si mbështetje indirekte e planeve të një Kryeministri autoritarit, që është ende në pushtet dhe pritet të shihet si do ta shfrytëzojë pushtetin e ri që akumuloi, apo qoftë edhe si prapsje përpara një shantazhi. Nuk është politikë që Berisha të realizojë planet e veta autoritariste, duke pasur edhe mbështetjen e opozitës. Dhe që një opozitë politike, e cila ka kritikuar autoritarizmin e Kryeministrit të votojë amendamente që i japin edhe më shumë pushtet këtij Kryeministri, do të mbetet një rast i rrallë madje, paradoks në historinë e politikës. Dhe ky gabim paradoksal mund të korrigjohet dhe bashkë me këtë të rindërtohet edhe aleanca e majtë aq e nevojshme për fitoren, vetëm duke i rihedhur në referendum amendamentet që sapo kanë deformuar autoritarisht Kushtetutën e Republikës.
Madje, edhe sikur kjo të jetë e pamundur proceduralisht sot apo sivjet (sikundër u shpreh edhe Gramoz Ruçi), PS duhet të angazhohet publikisht qysh sot, se do të mbështesë në rastin më të parë të mundshëm një referendum për të korrigjuar deformimin e Kushtetutës të imponuar nga Berisha. Dhe kjo nuk vjen aspak në kundërshtim me ndërgjegjen e asnjë deputeti, socialist apo demokrat, që sapo i ka votuar këto amendamente. Sepse, edhe nëse i ka votuar me ndërgjegje dhe jo se i ka thënë udhëheqësi t‘i votojë, çdo deputet do të jetë i lumtur të shohë nëse vullnetin e tij politik, ndërgjegjja e tij politike konfirmohet me vullnetin e popullit që, për shkak të një pabesie të imponuar nga Berisha, nuk iu dha mundësia as të mendojë dhe as të shprehet për ndryshimet në Kushtetutë. Këto janë disa përmasa të errëta që shkreptima e rrufesë autoritariste, i bëri të vezullojnë në qiellin e politikës së re. Bubullima, si gjithnjë, vjen më pas...
Kerkoni ne arkiv
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj