24 ore lajme: Prokuroria zgjeron hetimet për vdekjen e 17-vjeçares nga operacioni në bajame Prokuroria zgjeron hetimet për vdekjen e 17-vjeçares nga operacioni në bajame ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 30 April, 2008 12:44:00 Në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë mbërritur të mërkurën materialet hetimore të administruara nga policia mbi vdekjen e 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti. Burime nga kjo prokurori bënë të ditur se, grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje po merret me administrimin dhe shqyrtimin e të gjithë praktikës mjekësore të ndjekur ndaj 17-vjeçares nga Korça. Hetuesit e çështjes, thanë burimet e mësipërme, kanë administruar edhe kartelat mjekssore të hapura ndaj kësaj shtetaseje para një muaji në klinikën e qytetit të Pogradecit, ku ajo i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale (në bajame). Po ashtu, objekt shqyrtimi për Prokurorinë është bërë edhe praktika mjekësore e ndjekur në QSUT "Nënë Tereza", ku ajo humbi jetën të enjten e javës së kaluar, si pasojë e një hemoragjie. Për llogari të këtij hetimi janë marrë në pyetje edhe dy mjekë, të cilët kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale të 17-vjeçares nga Korça. Ndërkohë, grupi hetimor mbetet në pritje të rezultateve të ekspertizës mjeko-ligjore për shkakun e vdekjes së 17-vjeçares. Prokuroria e Tiranës ka ngritur dje një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e vdekjes së 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti, pas operacionit të bajameve. Burimet zyrtare konfirmuan se, Prokuroria e Tiranës ka grumbulluar të gjithë praktikën mjekësore të këtij rasti, si dhe ka marrë në pyetje edhe dy mjekë, të cilët kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale të 17-vjeçares nga Korça. Raporti përfundimtar i ekspertizës mjeko-ligjore mbi vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti, pritet të dalë pas një jave. Shefi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj, tha dje se, "është shpejt për të dhënë përfundime, ndërkohë që nga trupi i vajzës janë marrë kampione gjaku për analiza më të thelluara". Xhevahir Hoxhallari, mjeku otorino laringolog që operoi adoleshenten Matilda Petriti, e cila ndërroi jetë dy ditë më parë në mjediset e QSUT-së, u shpreh dje për median se, "në ndërgjegjen time nuk ndiej asnjë gabim mjekësor, neglizhencë në ndjekjen e së sëmurës dhe asgjë që të më fajësojë". Mjeku Hoxhallari tha se është i hapur ndaj hetimeve lidhur me vdekjen e pacientes 17-vjeçare, që u operua në klinikën e tij private në Pogradec. Hoxhallari, me një karrierë disa vjeçare si otorino laringolog, tregoi versionin e tij lidhur me këtë rast. Familjarët e viktimës kanë akuzuar mjekun që bëri operacionin për vdekjen e vajzës.