Urgjenca e debatit dhe e konsensusit ekonomik
Zhvillimi dhe mirë-menaxhimi i ekonomisë është, në thelb, shqetësimi i çdo qeverie normale. Në fund të fundit, një politikë qeverisëse apo një politikë, në përgjithësi, është e suksesshme, kur dhe ekonomia në vetvete, ecuria e saj është e tillë. Vendin e një politike abstrakte, ideologjike apo klasore, në botën e sotme globale, pavarësisht shformimeve të ndryshme apo abuzimeve pushtetore, e ka zënë sot politika ekonomike. Madje, ekonomia është dhe mbetet thelbi, pikënisja e vlerësimi, baza dhe rezultati, përcaktimi i çdo politike, i vetë një qeverisje të mirë apo të keqe. Si e tillë ekonomia dhe menaxhimi i saj, piketat apo orientimet kryesore të zhvillimit ekonomik nuk mund të "ngjyrosen" nga flamujt partiakë. Ato duhet të jenë në funksion të qytetarëve (si konsumatorë mallrash e shërbimesh) dhe të mirëqenies së tyre. Prandaj dhe programet ekonomike e pikat kyçe të tyre duhet të jenë një rrjedhojë e debateve dhe analizave të gjithanshme, rezultate të një vendimmarrje sa më të gjerë, me pjesëmarrjen e pozitës dhe të opozitës.
Fatkeqësisht, tek ne, në politikën shqiptare, veçanërisht në atë qeverisëse vazhdon të mbizotërojë një koncept i kundërt. Ai, në mjaft aspekte, është një pasqyrë e një trashëgimie të kaluar, bile shumë më anakronike se ajo komuniste. Në pak fjalë sinteza e këtij koncepti primitiv është që "politika e përcakton ekonominë"(!), madje më keq, që "individi me pushtet të përqendruar politik e orienton dhe e komandon ekonominë"(!). Për të çdo alternativë tjetër është e papranueshme, një "mohim mohimi"...
Këtu duhet ta ketë bazën dhe mungesa e përfaqësimit të institucioneve shtetërore apo e specialistëve të ekonomisë të kampit qeverisës në panelin e parë mbi ekonominë, me temë "Zhvillimi dhe mirë-menaxhimi i ekonomisë shqiptare", të organizuar disa ditë më parë nga një fondacion me orientim të majtë, së bashku me ekspertë, analistë të pavarur. përfaqësues të shoqërisë civile apo ekspertë të institucioneve ndërkombëtare, që asistojnë Shqipërinë në zhvillimin ekonomik, përfaqësues të fakulteteve ekonomike si të Universitetit të Tiranës, ashtu dhe të universiteteve private, përfaqësues të komunitetit të biznesit të madh e të vogël etj. Panele ekonomike u organizuan në ditët në vazhdim edhe nga struktura të tjera shtetërore apo të shoqërisë civile; u raportua në Kuvend nga Banka e Shqipërisë, u organizua dhe një ballafaqim i Kryeministrit me analistë të medias, etj. Dhe, në fakt, na ekspozohen dy pozicione. Njëri euforist i "stilit kryeministror", ku çdo gjë shkon vaj, me përjashtim të disa "shqetësimeve të vogla"(!) në rrafshin global me çmimet e drithërave e të karburanteve, por që zerohen përkundrejt sukseseve shqiptare (!) në reforma e ekonomi; dhe nga ana tjetër, një vështrim realist e kritik, me preokupimin e përgjegjshëm për të reduktuar e shpëtuar aq sa mund të reduktohet e shpëtohet...
***
Ndër shqetësimet kryesore të specialistëve realistë, është dhe fakti që ekonomia shqiptare ndodhet në prag stranjacioni, me potencial të lartë për t'iu afruar fazën së një recensioni të rrezikshëm. Deficiti tregtar mjaft i lartë dhe gjithnjë në rritje (që ka kapur vlerën e 2.3 miliardë eurove), deficiti buxhetor i rritur me gati dy herë në buxhetin e vitit 2008, problematika e mprehtë në llogarinë rrjedhëse, rritja galopante e çmimeve të mallrave të konsumit (sidomos ushqimore) dhe e shërbimeve apo inflacioni përtej kufijve të pranuar janë disa nga treguesit që flasin jo pak në këtë drejtim. Po aq shqetësuese mund të rezultojë dhe një rritje tjetër e çmimit të energjisë, që dhe në kushtet e sotme është shumë më i lartë nga kostoja reale, pavarësisht importeve të konsiderueshme një vit më parë. Duhet shtuar këtu dhe dështimi i luftës kundër korrupsionit, mungesa e vizionit dhe harmonizimi i strategjive afatgjata, diletantizmi e kaotizmi në reforma, mungesa e maturimit në hartimin e legjislacionit të ri, etj.
Me të drejtë, një nga specialistët me zë të ekonomisë dhe të politikës monetare ka nënvizuar në mënyrë sintetike se: "Progresi ekonomik i Shqipërisë mbetet i brishtë e mjaft larg standardeve që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shfaq një rrezik relativisht të lartë të prishjes së tij". Dhe për arritjen në këtë përfundim ai, ndër të tjera, konsideron pikërisht ato elementë të prekur pak më sipër dhe konkretisht: PBB për frymë, edhe pse në rritje, akoma në nivele nga më të ulëtat në Europë; papunësinë në nivele mbi dyshifrore; treguesin e deficitit mbi normën e kërkuar për integrim në BE dhe për me tepër, me një parashikim për dyfishim në 2008; deficitin e lartë tregtar në përkeqësim; krizën energjetike, me cikle te shpeshta përsëritëse dhe pa ndonjë perspektivë për zgjidhje të shpejtë; informalitetin dhe korrupsionin në nivele të frikshme, etj.
Nga ana tjetër, biznesi shikohet vetëm si "një instrument për të realizuar të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe jo si motori i vërtetë i zhvillimit ekonomik dhe social të vendit". Miratimi i ligjit të gjobave, ligji i ri i procedurave tatimore që do të hyj së shpejti në fuqi, aplikimi ndaj biznesit i çmimeve të referencës, pagave të referencës, fitimeve të referencës, etj., kanë prekur rëndë elementin e besimit të ndërsjellë. Me iniciativat e pakonsultuara me grupet e interesit dhe pa konsensusin e opozitës nuk po bëhet gjë tjetër veçse po përkeqësohet klima e biznesit dhe e investimeve. Si të tilla, ato po zbehin përfundimisht iniciativat pro biznes të qeverisë, duke dëshmuar qartazi se këto politika, në fakt, nuk kanë si qëllim inkurajimin e investimeve dhe të sipërmarrjes private, por rritjen e mundësisë së administratës tatimore për të ushtruar me tepër presion ndaj biznesit privat, me qëllimin e vetëm shtimin e të ardhurave buxhetore. Por kjo lloj politike ekonomike nuk mund të jetë afatgjatë! Ajo mund ta rrisë "korrjen monetare" për 1-2 vitet e para, por pastaj prodhon ngërç, bllokim e ngurtësim ekonomik, deri recesionin. Sipas një specialisti tjetër të pavarur, këto janë arsye të mjaftueshme që të ushqejnë sot në Shqipëri krijimin e një fryme paniku dhe pasigurie në bizneset private, përballë qëndrimeve jo pozitive të administratës shtetërore. Aq më keq kur nëpërmjet kësaj sjelljeje, biznesi shihet "si kundërshtar dhe jo si një resurs i çmuar, pa të cilin ekonomia dhe shoqëria jonë nuk mund të ecin përpara dhe të zhvillohen"...
Një shqetësim i tillë ndeshet me të drejtë dhe në raportin e Bankës Botërore, lidhur me kushtet e të bërit biznes ("Doing bussiness 2008"), ku Shqipëria renditet në vendin e 136-të në listën prej 178 vendesh, duke mbetur pas të gjitha vendeve të rajonit tonë. Po ashtu, pavarësisht nga disa përpjekje apo nisma (më shpesh të pastudiuara) si ajo e Shqipërisë 1 Euro, e krijimit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, e Taksës së Sheshte, etj., niveli i investimeve të huaja të drejtpërdrejta mbetet nga më të ulëtit në rajon.
Pra, pa vazhduar më tej, ekzistojnë mjaft ngërçe serioze ekonomike që kanë prodhuar dhe po gjenerojnë shqetësime reale politike e qytetare. Në kushte të tilla, kërkohet me urgjencë për reduktimin e efektit negativ të situatës aktuale, një bashkërendim e bashkëpunim i gjithanshëm, përtej flamujve partiakë. Debatet serioze, pa eufori pozitare apo pa nxirrje absolute opozitare, janë më se të nevojshme. Madje, këtu duhet të ishte përqendruar dhe vëmendja parlamentare, dhe jo në "lojën" e panevojshme, deri të rrezikshme, me amendamente kushtetuese! Aq më shumë që dhe situata globale, ekonomike, financiare e tregtare, po bëhet akoma më shqetësuese e perturbuese. Kudo flitet me një shqetësim në rritje, kurse në Shqipëri vazhdon notimi qeveritar e satelitor në eufori të plotë!...
***
Krahas sinjaleve të ndryshme negative të lëshuara nga OKB-ja apo organizma të tillë si BB-ja e FMN-ja, një sinjal i ri është lëshuar dhe nga OBT-ja. Sipas të dhënave të shumanshme, kjo organizatë ka deklaruar ditët e fundit se ritmet e rritjes së tregtisë botërore për vitin 2008 do të bien në vlera 4,5% përkundrejt vlerës 5,5% në vitin 2007, që ka qenë shumë më e ulët nga ajo e vitit 2006 ku u kapën vlera të rendit 8.5%. Kjo kryesisht prej ngadalësimit të zhvillimit ekonomik në shumë vende të industrializuara, ku SHBA-ja ka një peshë kryesore. Aty, për më tepër, pritet një zbythje e mëtejshme e kërkesës së brendshme në semestrin e parë të vitit 2008, përfshirë mallrat e shërbimet. Po ashtu, sipas OBT-së turbulencat e forta në tregun financiar errësojnë më tej perspektivat e tregtisë botërore, duke e bërë parashikimin e 4.5% për vitin 2008 bile tepër optimist. Situata mund të përkeqësohet më shumë sepse dobësimi i mëtejshëm i ritmeve të rritjes ekonomike botërore mund ta bëjë këtë shifër edhe më të ulët.
Në raportin e saj për tregtinë botërore për vitin 2007 dhe perspektivat e saj për vitin 2008, OBT-ja vlerëson se ngadalësimi i theksuar ekonomik në vendet më të zhvilluara fatmirësisht është kompensuar pjesërisht nga rritja e konsiderueshme ekonomike e vendeve me ekonomi emergjente. Por këtu futen vende të tilla si Kina, Brazili, etj., por jo Shqipëria, apo vende të tjera fqinje të saj. Konkretisht, parashikimet e rritjes modeste prej afro 1,1% në vendet e zhvilluara dhe afro apo mbi 5% në vendet në zhvillim, mund të përkthehen në një rritje të tregtisë botërore prej afro 4,5%, në terma realë, d.m.th., nëse merret parasysh dhe inflacioni në këtë nivel.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të OKB-së, Pascal Lamy, "ekonomia botërore po kalon një periudhë të pasigurt dhe preokupante". Madje ai, duke vënë gishtin në plagën aktuale, thekson dhe ndikimin negativ që po ushtrojnë "presionet proteksioniste në rritje", që po vihen re sidomos për drithërat apo mallrat ushqimore me këtë origjinë. Për këto të fundit, konstatohen dy muajt e fundit dhe rritje të reja çmimesh, duke kërcënuar me jetën shtresat e varfra në shume vende të botës...
***
Në këto kushte tepër të përkeqësuara globale, të rrish indiferent apo të "përplasësh duart", apo të gënjesh veten dhe të tjerët se gjithçka po shkon mirë në Shqipëri është më shumë se iluzion, madje një qëndrim i rrezikshëm e antikombëtar. Ndërsa, pozicionimi apatik dhe heshtja, apo ai "për ta thënë sa për ta thënë e për të qenë brenda", nuk mund të shpëtojë askënd nga përgjegjësia politike e qytetare, sepse një përkeqësim në vazhdimësi i situatës aktuale do të përbënte faktikisht hapjen e pashmangshme të gropës gërdeciane ekonomike-financiare! Shkundja e fortë, zgjimi e debatimi pa flamuj partiakë, veprimi urgjent dhe vendimmarrja sa më serioze janë mëse të domosdoshme! Përndryshe mund të jetë vonë, tepër vonë. Madje, duke u vonuar më tej, dhe "ilaçi" i rotacionit politik mund të ketë efekt minimal.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (1 vendosur):
Vendosni komentin tuaj