Atentat: Presidenti vetëm i maxhorancës
Në kushtet e Shqipërisë, nuk duhet t’ia lemë zgjedhjen e presidentit, as mazhorancës e as votimit direkt nga populli, por konsensusit, apo një shumice mbi mazhorancën, tamam ashtu siç e kishte Kushtetuta e 1998-ës
Kuvendi i megadushkut bëri atentate anti-kushtetuese, duke e kthyer Kushtetutën e 1998-ës, në Kushtetutën e megadushkut.
Ndërmjet të tjerave, megadushkarët miratuan që presidenti i vendit të zgjidhet nga mazhoranca (shumica parlamentare). Në kushtet e Shqipërisë, nuk duhet t’ia lemë zgjedhjen e presidentit, as mazhorancës e as votimit direkt nga populli, por konsensusit, apo një shumice mbi mazhorancën, tamam ashtu siç e kishte Kushtetuta e 1998-ës. Rrëzimi i Kushtetutës së megadushkut, do të jetë detyrë e forcave demokratike të pas-megadushkut.
JO ZGJEDHJE ME 50%
Presidenti ka disa detyra që janë shumë të rëndësishme, si zgjedhja dhe kryesimi i disa organeve të kontrollit e të drejtësisë etj. Të gjitha këto organe dhe institucione janë të depolitizuara. Prandaj Kushtetuta e 1998-ës, kërkonte një president sa më konsensual, pra që nuk votohet vetëm nga gjysma e deputetëve, por nga më shumë se kaq, nga tri të pestat.
Kushtetuta e megadushkut, ajo e 21 prillit 2008, e ktheu presidentin në një apendiks të mazhorancës. Sipas saj, presidenti do të jetë një çfarëdo nga mazhoranca, i zgjedhur me 50% të votave të Kuvendit. Raundet e gjoja përpjekjes për arritjen e shumicës 60% (tri të pestat), gjoja "si Kushtetuta e 1998-ës", destinohen për naivët, ata që nuk kuptojnë se kjo është fare e kotë: presidenti do të jetë caktuar ushtari i radhës, një "50%-ësh", dhe raundet e "tri të pestave" janë lënë sa për një ritual mashtrimi.
Tani kryeministri, nëpërmjet ushtarit të tij presidentit, do të urdhërojë të gjitha: gjykata, kontroll shteti, prokurori, ushtri etj.
PRESIDENT JOKONSENSUAL, VETËM PAS DY ZGJEDHJEVE
Kushtetuta e 1998-ës, këmbëngulte shumë që të arrihej presidenti konsensual. Teorikisht mund të kalohej edhe dy herë në zgjedhje kombëtare, e vetëm pastaj lejohej që presidenti të zgjidhej jo konsensual, por me 50% të votave të deputetëve. Pra, i ishte lënë kohë këtij popull të zgjidhte deputetë të tillë, që të ishin në gjendje të zgjidhnin një president konsensual. E nëse deputetët e rinj (ata pas zgjedhjeve të parakohshme), nuk do të ishin në gjendje prapë të merreshin vesh për një person për president, vërtetë që ata nuk duhet të vazhdonin as të bënin ligje për këtë vend, prandaj më mirë që ai Kuvend të shpërndahesh prapë, dhe të provohej edhe një herë, duke zgjedhur deputetë të tjerë.
Në fakt, gjasat që edhe kuvendi i ri, i zgjedhur me kërkesën e parë dhe kryesore, zgjedhjen e presidentit, zor se nuk do të ishte në gjendje ta bënte këtë gjë. Por Kushtetuta e 1998-ës, e kishte marrë parasysh që në Shqipëri mund të ndodhin dhe të tilla absurde, prandaj dhe e linte të bëheshin deri dy zgjedhje deputetësh-mirë ia bënte: populli shqiptar duhet të dinte kë të zgjidhte për deputetë.
Pastaj, pas dy zgjedhjesh, vinte ky mjerimi që u sanksionua tani në Kushtetutën e megadushkut: presidenti zgjidhej me 50%. Ama kjo tashmë vinte, vetëm pasi ishte provuar se ky popull nuk arrinte të kishte deputetë që të bien dakord për presidentin: ishin bërë të gjitha provat, dhe prandaj nuk kishte më kuptim të bëheshin prova të tjera. Detyroheshe të ecje 5 vjet me një president jokonsensual. Por ama, herën tjetër, pas pesë vjetësh, prapë bëheshin të gjitha përpjekjet për president konsensual, duke kërcënuar prapë me dy zgjedhje.
JO ZGJEDHJE DIREKT NGA POPULLI
Nuk duhet të kemi as ekstremin tjetër, atë që e kërkuan disa: një president të zgjedhur direkt nga populli. Kjo do ta bënte postin e presidentit më të fortë se duhet, më të fortë sesa president i zgjedhur me tri të pestat e Kuvendit. Duhet të rivendoset mesi i artë që kishte Kushtetuta e 1998-ës: as shumë i fortë, por as leckë fare.
E pikërisht për të mos krijuar poste personash kaq të fortë, Kushtetuta e 1998-ës, ishte merakosur të sigurojë një president jo aq të fortë-shkatërroi vendin ai presidenti i zgjedhur në marsin e 1997, e iu ruajtën përsëritjes së atij tmerri, që populli heroik shqiptar, e bëri kryeministër në 2005-ën!
Po të vihet re, dy shtetet më të përparuara që dilnin nga diktatura, Gjermania (nga nazizmi) dhe Italia (nga fashizmi), futën në kushtetutat e tyre, që presidenti të mos zgjidhet direkt nga populli, por nga parlamenti. Kjo është bërë qëllimisht, që të kufizojnë postet që mund të prodhojnë diktatorët.
Dikush thotë se shumë vende ish-komuniste, si ne, e zgjidhkan presidentin direkt nga populli, e me këtë duan të ulin rëndësinë e shembullit të Gjermanisë dhe Italisë. Me nazizmin dhe fashizmin, ka qenë shumë më i ngjashëm enverizmi ynë sesa komunizmi i shumë shteteve ish-komuniste, e nuk ka të krahasuar me ish-komunizmin e shteteve evropiane. Sistemi ish-komunist i atyre shteteve, prej nesh anatemohej si revizionist, pikërisht sepse kishte zbutur diktaturën e proletariatit (bile e kishin hequr fjalën diktarurë, nga doktrina e tyre), që do të thotë se kishte lejuar shumë më shumë të drejta se enverizmi ynë. Por edhe praktikisht, këto shtete kishin një liri relative me dhjetëra herë më të madhe se ne. Pra enverizmi ynë, ishte dhe teorikisht, por edhe praktikisht, ku e ku më diktatorial se komunizmi i të gjitha shteteve ish-komuniste të Evropës. Mund të jepen shembuj pa fund të mungesës totale të lirisë në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera ish-komuniste, por mendojmë se mjafton të përmendet vetëm sa vijon: ishim i vetmi vend në Evropë, që jo vetëm që ndaloi praktikimin e çdo lloj feje, por edhe prishi të gjitha objektet e kultit (xhami, kisha, teqe etj.), dhe dënoi me pushkatime, burgosje, internime e demaskime publike (para kolektivit), çdo shfaqje të tendencave për të respektuar fetë.
ZGJEDHJET EPARAKOHSHME, NJËE DREJTË E ÇMUAR
Në një vend si yni, pakicat duhet ta kenë të drejtë ta shpien vendin në zgjedhje të parakohshme, duke përdorur votën e bllokimit të zgjedhjes së presidentit. Kështu, i jepet mundësia një pakice të ndërpresë një regjim të rrezikshëm për vendin, si p.sh. ai i z. Berisha në vitin 2007-nëse do të kishim në këtë Kuvend megadushku, një pakicë idealiste, do ta kalonte vendin në zgjedhje të parakohshme, dhe do të parandalohej Gërdeci, do të ndalohej atentati anti-kushtetues i 21 prillit, si dhe kush e di sa të tjera që mund të na vijnë këto muaj që z. Berisha mbetet në pushtet.
Nuk ka asgjë të keqe, që kur nuk arrihet dot konsensusi, të shkohet në zgjedhje të parakohshme-Italia, ka shkuar disa herë në zgjedhje të parakohshme (për 63 vjet, 63 kryeministra), dhe vazhdon të jetë një nga vendet më të përparuara, dhe më demokratiket e botës.
GJYKATA KUSHTETUESE
"Gjykata do ta rrëzojë këtë atentat anti-kushtetues", shpresojnë disa. Nejse, ata deputetë që nuk votuan pro atentatit, duhet të bëjnë kërkesë tek Gjykata Kushtetuese që ajo formalisht ta shqyrtojë çështjen: mos të thotë pastaj kështu apo ashtu.
Gjithsesi, atentati anti-kushtetues u krye: rreziku i Shqipërisë janë dy krye-atentatorët: Rama dhe Berisha. Mbetet të formohet një front i shpëtimit të demokracisë dhe lirisë, që fillon me rikthimin e Kushtetutës së 1998-ës. Nuk qenka aq e lehtë që një popull që ka duruar komunizmin enverist për "50 vjet", të vendosë demokracinë dhe lirinë.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (1 vendosur):
Kushtetuata, ashtu sic ishte nuk ka sjelle asnje krize. Perkundrazi: ka detyruar partite te bejne konsensuse te rendesishme dhe te zgjedhin nje president konsensual sic ishte rasti i Moisiut, ose ka lejuar partite te bejne loje politike parlamentare dhe te zgjedhin nje president me nje proces kushtetues te ligjshem sic ishte rasti i Bamir Topit.
Une kete pyetje kam per hartuesit e ketij amandamenti: pse duhen dy votimet e para? Po i gjeten nje pergjigje kesaj, atehere mundet qe te jem dakord me ta
Vendosni komentin tuaj