Faqja e Pare | Editorial | Te pazari i gjësë

Te pazari i gjësë

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Ardian Klosi

U përhap këto ditë lajmi për një shitje të re të dyshes Berisha-Ruli: Një TEC gjigand me qymyrguri, me fuqi deri 800 MW, ndoshta edhe më shumë, do të ngrihet diku në Shqipëri, si pasojë e marrëveshjes midis Bordit kombëtar të energjisë së Greqisë dhe koncernit RWE AG. Është shumë e çuditshme që ky lajm vjen nga Greqia, ndërkohë që Ministria shqiptare e Energjisë nuk di gjë, nuk ka asnjë informacion, të paktën deri dje jo.

Të mësuar siç jemi me marrëveshje të fshehta të politikanëve tanë me të huaj, me errësirën e plotë që ruajnë kryeministria, Ministria e Energjisë, ajo e Mjedisit, për projekte që kanë efekte të mëdha ose të rënda mbi mjedisin shqiptar, e kemi të qartë përsëri se si ka funksionuar skema edhe me këtë rast. Berisha-Ruli kanë rënë dakord me palën greke dhe koncernin RWE për ta vënë në dispozicion tokën dhe ajrin shqiptar për një nga industritë më ndotëse të kohës. Pasi bëhen bisedat prapa kuintave, del në ekrane Berisha (pritet këto ditë) për të na treguar avantazhet e mëdha që ka teknologjia e prodhimit të energjisë me qymyrguri, përfitimet e jashtëzakonshme që do të ketë Shqipëria etj. E në qoftë se vendndodhja e këtij TEC-i do të jetë në një nga zonat gjysmë të shkretuara të Shqipërisë, bie fjala në pllajën e Kolonjës ose diku në grykat e Vjosës, nuk do të pritet as dhe ndonjë rezistencë e banorëve, që në të vërtetë ndodhen shumica në Greqi. Atëherë do të bëhet ndoshta edhe rituali i informimit të publikut, sa për të qenë së jashtmi në rregull me Konventën e Aarhusit dhe gjithçka mund të fillojë.

Fyese dhe poshtëruese për ne, si njerëz të ndjeshëm për degradimin mjedisor që po ndodh në Shqipëri prej disa vjetësh, por edhe më gjerë, për gjithë shqiptarët, është fakti se grekët njoftojnë që projekti i TEC-it me qymyrguri 800 MW e më shumë do të realizohet në Shqipëri, për arsye se në Greqi ka pasur reagim të fortë nga komunitetet e banorëve rreth Kozanit, ku ishte parashikuar të ngrihej ai fillimisht. Pra meqë grekët, si komb i qytetëruar dhe i informuar që janë nuk e pranojnë, TEC-i do të ngrihet në Shqipëri, sepse aty jetojnë njerëz të prapambetur dhe injorantë, që nuk e dinë se ç'do të thotë të emetohen kaq shumë gazra djegieje CO2 e të tjerë në shtëpinë e tyre, ç'do të thotë gjithë ajo zhurmë që do të lëshojë ai TEC e gjithë ai ndryshim i peizazhit që do të ndodhë, sikur të ngrihet tek ata.

Pala greke thekson gjithashtu se energjia e prodhuar nga ky TEC (thuajse 8 herë më shumë nga energjia e parashikuar për TEC-in e Vlorës), do të shkojë e tëra për Greqinë. Shqipëria, ashtu si në rastin e Petroliferës, të fabrikave të çimentos dhe gjithë projekteve të tjera ndotëse që i kanosen vendit tonë, do të marrë vetëm lëmoshën e lejes së ndërtimit. Nuk është çudi që edhe toka të mos jepet me qera, por të falet me 1 euro, sikurse ka ndodhur në rastet që përmendëm. Këtu është e kotë të flasim për tangjentet që hyjnë edhe me këtë rast në xhepat e politikanëve tanë: ato kurrë nuk do të shikohen, ato kurrë nuk do të vërtetohen, të sigurt për to dimë vetëm që lëvizin rregullisht dhe që janë motivi i vetëm i veprimit të politikanëve tanë antikombëtarë.

Në një shkrim ta parapakohshëm, e cilësonim Shqipërinë, të nisur nga shitjet e rregullta që po bëjnë prej ardhjes së tyre në fuqi Berisha-Ruli, një koloni mjedisore. Projekti i plehrave Berluskoni-Nano, Petrolifera, fabrikat e klinkerit e të çimentos, TEC-et me gaz në Seman, parku „eolian" në Karaburun, TEC-i 1200 MW me qymyrguri, që u shpall me vizitën e Prodit, centralet atomike, TEC-i i tanishëm i Greqisë, të gjitha janë pushtime dhe shfrytëzime dëmprurëse të tokës, ajrit, ujërave territoriale të Shqipërisë, me një përfitim të pastër që shkon diku tjetër dhe me një energji të pastër që shkon edhe ajo tej kufijve tanë kombëtarë. Neokolonializmi mjedisor duket se është forma më e rrezikshme e shfrytëzimit të një shteti nga shtete ose koncerne të huaja. Është i rrezikshëm se të merr të mira që nuk i rekuperon dot, si tokën, ajrin dhe ujin e pastër: po ta krahasosh me kolonizimin italian të viteve '30, nuk mund të mos e quash atë kolonializëm lule, sepse ai të merrte vetëm produkte dhe të sillte në fund të fundit kulturë të përgjithshme dhe kulturë shteti. Kurse kolonizimi i sotëm mjedisor, jo vetëm që të lë ndotjen fizike, por të lë mbi kokë po atë ndotje politike-morale që kishe edhe më parë, të lë në fuqi politikanët Berisha-Ruli, sepse janë këta më të përshtatshmit për të vendosur për fatet e një Shqipërie që e ka humbur çdo krenari kombëtare.

Po të shikosh ritmin e shitjeve që kanë bërë Berisha-Ruli nga fillimi i mandatit të tyre të dytë më 2005, do të vëresh një përshpejtim të aktivitetit që zhvillojnë prapa tezgave të tyre të fshehta. Nuk po kalon muaj pa mësuar për një industri të re që do të vijë të ngulet nga Perëndimi në Shqipëri, gjithmonë me të njëjtën skemë, gjithmonë në të njëjtat kushte skllavëruese. Asnjëherë një aktivitet produktiv për vendin, asgjë që do mund të nxiste zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në kuadrin e një strategjie kombëtare, e cila bie fjala favorizon zhvillimin e turizmit. Industritë më antiekologjike vijnë e ngulen në vendin më pa personalitet të kontinentit. Me sa duket, u ka hyrë paniku se mos nuk i fitojnë zgjedhjet vitin e ardhshëm, se mos u mbyllet rubineti i fitimeve përrallore, e kjo i ka bërë si të babëzitur pas TEC-esh e rafinerish, inceneratorësh e depozitash nafte. Aq më shumë në këtë periudhë, kur nuk po shesin dot më skrap bronzi prej predhave të Gërdecit dhe fishekë për në Afganistan.

Po ne, vërtet do rrimë gjithë kohën kështu e do t'i vështrojmë siç vështrojnë viçat e trembur tregtarët në pazarin e gjësë?

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Maj, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
1.00