24 ore lajme: Bllof dikasterial me bukën e gojës Bllof dikasterial me bukën e gojës ================================================================================ Edmond Panariti on 12 February, 2008 11:32:00 Më kot prodhuesit e miellit dhe të bukës, shpresonin që të njiheshin me skemën qeveritare të lehtësirave fiskale apo të masave të tjera për uljen e kostos së prodhimit të bukës. U zhgënjyen edhe përfaqësuesit e mediave, të cilët shpresuan të njiheshin me vizionin “strategjik” afatmesëm dhe afatgjatë të daljes nga kriza e prodhimit bujqësor. Por zhgënjimin më të madh, në fakt, e pësuam ne blerësit, sepse ndryshe nga çfarë shpresonim, u njohëm me propozimin më të freskët qeveritar të rritjes së mëtejshme të kostos dhe të çmimit të bukës. Kjo, sepse epiqendra e komunikimit të Ministrisë së Bujqësisë me prodhuesit, përpunuesit dhe konsumatorët, nuk ishte buka e gojës, por se çfarë kostumi duhet që ne t’i veshim bukës. Çuditërisht, ajo që ishte përzgjedhur si temë qendrore e komunikimit të ekzekutivit me prodhuesit dhe tregtuesit, nuk ishte buka dhe çmimi i lartë, por zëvendësimi i ambalazhit të saj nga ai prej polisteroli në veshje prej letre. Në mënyrë paradoksale, u harrua se për momentin e gjitha kjo nënkupton një rritje të mëtejshme të kostos së prodhimit dhe të çmimit të bukës, prandaj edhe të pranishmit i shqyen sytë nga habia dhe mbetën me gojë të hapur, ngaqë në fakt aty kishin ardhur të dëgjonin krejt të kundërtën. Ky ishte një “dribbling” i paparë që ministria i bëri temës qendrore të sigurimit të bukës dhe uljes të kostos së saj për popullatën, duke e përzierë këtë çështje fare pa vend me atë të sigurisë ushqimore. Në takimin me prodhuesit dhe tregtuesit, u arrit mjeshtërisht të lëshohej bomba tymuese e rrezikimit të shëndetit publik nga qeset plastike të ambalazhimit të bukës, kur dihet se nuk ka ushqim në Shqipëri, i cili nuk tregtohet në ambalazh plastik, duke filluar që nga qumështi, mishi, vezët, frutat, perimet, lëngjet e frutave, uji mineral etj. Nuk ka dyshim se siguria ushqimore përbën “faqen e zeze” të ushqimit tonë të përditshëm, por përpara se atë ta kërkosh tek ambalazhi plastik, është mirë ta gjurmosh te kazanët e plehrave dhe pirgjet e mbeturinave ku kullotin bagëtitë tona, tek mishi i po këtyre bagëtive i tregtuar mes pluhurit dhe baltës, tek peshku që qelbet dhe shitet buzë trotuareve, tek mbetjet toksike, preparatet hormonale, ngjyruesit kancerogjene, konservuesit alergjenë që lundrojnë tek ushqimet tona. Lipset ta gjesh tek ushqimet nga Brazili dhe Ukraina me ngarkesa bakteriale dhe radioaktive të larta, që rrëshqasin nën hundën e autoriteteve të kontrollit. Duhet ta zbulosh te qumështi dhe djathi me brucelozë që shton çdo vit 600 raste të reja zyrtare të infektimit në njerëz dhe duhet ta përfundosh te bllokimi i eksporteve tona në tregjet evropiane. Por me sa duket, duke luajtur bllofin, e ke më të lehtë t’i devijosh asaj që sot përbën një problem jetësor për një në tre shqiptarë. E ke më të lehtë për t’ju shmangur një zinxhiri problemesh që fillon te buka dhe vijon te mishi, qumështi, vaji, gjalpi, veza dhe me radhë. E ke më të lehtë për të evituar ballafaqimin me varfërinë, listat veresie që zgjaten përditë në emër të “ligjeve të tregut të lirë”. E çfarë t’i kërkojmë më tepër kësaj bujqësie dhe politikave të saj, kur në diskutim nuk është më jetesa, por mbijetesa jonë.