24 ore lajme: Kryeministri: Marrja e ftesës për anëtarësim, forcë frymëzuese për realizimin e të gjitha standardeve Kryeministri: Marrja e ftesës për anëtarësim, forcë frymëzuese për realizimin e të gjitha standardeve ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 04 April, 2008 04:56:00 Intervistë e Kryeministrit Berisha për TVSH-në, pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit Emocionet e mia në këtë ditë janë të mëdha. Me aktin e sotëm, Shqipëria hyn në një epokë të re të sigurisë, të lirisë së qytetarëve të saj, të lirisë së saj, një epokë e të ardhmes së saj. Asnjë komb dhe asnjë vend nuk ka pasur një histori më të dhimbshme se sa kombi ynë, që nga pavarësia e deri në fillim të viteve ’90. Shqipëria ka përjetuar copëtime, pushtime, diktatura nga më të egrat. Por Shqipëria regjistron histori pushtimesh të gjata edhe para pavarësisë. Në këtë kontekst, themi se shqiptarëve nuk iu dha mundësia të ndërtojnë të ardhmen. Historia dhe përpjekjet e tyre titanike janë përpjekjet e një kombi për mbijetesë. Liria dhe e ardhmja janë një dhe e pandarë. Liri e sigurt do të thotë e ardhme e sigurt. Ky komb e meritonte këtë ftesë. Sot vendi ecën drejt anëtarësimit të plotë në Aleancë, me fuqinë politike dhe ushtarake më të madhe të botës, SHBA, me Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë, vendet e tjera të Evropës, Turqinë, etj. Pra, Shqipëria hyn në një aleancën më të fuqishmen, më të shkëlqyerën, më të pathyeshmen që kohërat kanë njohur në tërë historinë e njerëzimit. Besoj se tashmë shqiptarët hapin një horizont të madh, horizontin e sigurisë së tyre. Nga ana tjetër, dua të theksoj se ky akt I madh I ditës së sotme, e bën Shqipërinë shumë më dinjitoze, shumë më të besuar, I jep një pasaportë të re këtij vendi, për të cilën ajo ka pasur nevojë dhe e ka merituar . Ndaj, unë shfrytëzoj edhe njëherë rastin të përshëndes përzemërsisht çdo shqiptar,, të përshëndes të gjithë ata të cilët me kontributin e tyre bënë realitet ëndrrën atlantiste të qytetarëve të vendit tonë. Dua të përulem dhe përshëndes me nderimin më të madh, me mirënjohjen më të thellë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat mbështetën aq fuqishëm vendosjen e demokracisë në Shqipëri në vitet ’90, Presidentin Bush, Presidentin Klinton për kontributin e tij në ndërtimin e demokracisë, Presidentin Xhorxh W. Bush, i cili ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm. Dua të përshëndes të gjithë kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s për besimin e tyre të madh që vendosën për Shqipërinë dhe dua t’i garantoj ata se Shqipëria, këtë besim, do ta ketë forcë frymëzuese për të realizuar sa më shpejtë standardet dhe për të merituar anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, aleancës më të shkëlqyer të kohërave. Pyetje: Zoti Kryeministër, a ju vjen keq që një nga bashkudhëtarët e Shqipërisë, Maqedonia, mbeti jashtë dhe kjo, jo për shkak të reformave? Kryeministri Berisha: Sigurisht, dëshiroja shumë që sot edhe Maqedonia të merrte ftesën për anëtarësim. Por, gjithashtu, jam optimist dhe kam shumë besim se gjatë kohës që vjen ajo do të zgjidhë problemin e emrit të saj dhe do të marrë ftesën. Kjo ftesë është vendosur të jepet edhe jashtë samiteve, pra nga Këshilli i Atlantikut të Veriut në Bruksel. Çështja e emrit duhet të zgjidhet në interesin më të mirë të të dy vendeve tona mike. Pyetje: Cilat janë sfidat e Shqipërisë pas kësaj ftese? Kryeministri Berisha: Sfidat e Shqipërisë kanë të bëjnë me procedimin me reforma të thella. Shqipëria duhet t’i përgjigjet me seriozitetin më të madh vlerësimit serioz që i është bërë asaj në historinë e saj. Pyetje: Megjithatë, ju nesër do të udhëtoni drejt Kroacisë, ku do të keni një takim edhe me Presidentin amerikan Bush, ndërkohë që po nesër, në Tiranë, do të ketë një protestë të opozitës. Si e vlerësoni këtë? Kryeministri Berisha; Lidhur me takimin e Kroacisë, akoma kjo gjë është për t’u përcaktuar. Për sa i përket opozitës dhe kontributit të saj, ka prej tyre që kanë qenë promotor të idesë atlantike të Shqipërisë që në vitet ’90. Më vonë, ata kanë dhënë kontributin e tyre të pa diskutueshëm, ndër të cilat mund të thuhet se Karta e Adriatik 3 është firmosur nga opozita aktuale, atëherë në qeverisje. Edhe me vonë, edhe gjatë këtyre 2-3 viteve, opozita ka mbështetur reformat e vendit për integrim në NATO. Për këtë, unë dua ta përshëndes opozitën dhe të shpreh vlerësimin tim, sepse edhe ajo e ka në programin e saj këtë objektiv. Dua të përshëndes të gjithë ata që mbështetën këto reforma. Reformat e 2-3 viteve të fundit kanë qenë përcaktuese, pasi këto reforma, ashtu siç u shprehën 27 ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian, e çuan Shqipërinë në një vend frymëzues për vendet e rajonit. Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend i lirë, opozita ka të drejtë të përdorë mjete demokratike që i quan më të rëndësishme. Pyetje: Samiti i ardhshëm, në kuadër ë 60 vjetorit të krijimit të Aleancës do të bëhet vitin tjetër. A do të vazhdojë Shqipëria në këtë rrugë me vendosmëri, për t’u anëtarësuar plotësisht? Kryeministri Berisha: Shqipëria do të vazhdojë edhe më me vendosmëri për t’u anëtarësuar në një kohë sa më të shkurtër të mundshme. Por unë nuk mund të përcaktoj se cili do të jetë afati, pasi axhenda e anëtarësimit të plotë është një axhendë më e gjerë e qeverisë shqiptare. Duke ju falënderuar, edhe njëherë, përshëndes ju dhe gjithë shqiptarët, kudo që janë sot.