24 ore lajme: Ftesa per NATO, ftese per demokraci Ftesa per NATO, ftese per demokraci ================================================================================ Andrea Stefani on 03 April, 2008 12:51:00 Ndërsa shpresohet shumë që Shqipëria të marrë sot një ftesë për anëtarësim në NATO, e tërë opozita përgatitet të protestojë nesër në Tiranë kundër Kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisjes së tij. "Po NATO-s, Jo Berishës" është parulla e një mitingu që është lajmëruar të zhvillohet në sheshin "Skënderbej", duke konfirmuar vendosmërinë e opozitës për dorëheqjen e Kryeministrit. Dhe krejtësisht në kundërshtim me propagandën dezinformuese të qeverisë, protesta nuk është thjesht një shfrytëzim politik i tragjedisë së Gërdecit, por shprehje e përgjegjësive historike që shtrohen para opozitës politike dhe mbarë shoqërisë civile, pas marrjes së ftesës për në NATO. Sepse e vetmja pengesë që Shqipëria të marrë këtë ftesë, mbetet prapambetja e dukshme në ndërtimin e një shoqërie demokratike, bazuar në institucione të lira e të pavarura. Dhe shkaku kryesor për këtë prapambetje të demokracisë është strategjia autoritariste e ndjekur me arrogancë nga Kryeministri Berisha (që në momentin kur u ringjit në pushtet në korrik të vitit 2005), kapja prej pushtetit dhe njerëzve të tij të besuar e të gjithë institucioneve që janë krijuar ta balancojnë dhe kontrollojnë këtë pushtet. Por anëtarësimi në NATO imponon instalimin e një demokracie reale, gjë që konflikton prerë, me autoritarizmin e frymëzuar nga Berisha dhe pra nuk mund të kryhet pa largimin e tij. Fatmirësisht, shenjat më në fund janë se Shqipëria do ta marrë sot ftesën, por edhe sikur të ndodhë ndryshe, bashkëpunimi i opozitës politike me një qeveri të drejtuar nga Berisha do të ishte përsëri i pamundur. Në rastin e parë Berisha do përbënte një pengesë. Në rastin e dytë do të qe një kryefajtor për mosmarrjen e ftesës. *** Fakti që deri më sot, vetëm për Kroacinë është thënë shkoqur se e ka të sigurt një ftesë për në NATO, flet për dyshimet, skepticizmin dhe debatet jo të lehta që janë zhvilluar brenda Aleancës lidhur me zgjerimin. Duket se në gjirin e saj ka pasur anëtarë që kanë shprehur dyshime nëse momenti i tanishëm është më i përshtatshmi për të ftuar vendet e A3-shit, jo vetëm lidhur me aftësinë ushtarake të këtyre vendeve për të kontribuar në NATO, por edhe me arritjen e standardeve demokratike të vendosura si kusht për anëtarësimin. Është po ashtu e qartë se SHBA kanë lobuar fort duke këmbëngulur se pikërisht tani është momenti që Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia t‘i bashkëngjiten NATO-s. Në vlerësimin amerikan, aspekti gjeostrategjik i problemit (veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës) ka mbizotëruar mbi atë politik lidhur me cilësinë e reformave të raportuara nga qeveritë e vendeve kandidate dhe standardet demokratike të arritura në këto vende. "Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia zënë një pozicion kyç gjeostrategjik për të shkurajuar çdo tentativë nga çdo anë për të destabilizuar Ballkanin me anë të dhunës - deklaroi në shkurt të këtij viti senatori republikan Dik Lugar, ndërsa i propozonte Senatit miratimin e një rezolute ku shprehej mbështetja e fuqishme e SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë. Pozicioni i SHBA, i konfirmuar edhe në fjalimin e djeshëm të Presidentit Bush në Bukuresht, është konfrontuar prej kohësh nga një pikëpamje më skeptike e atyre që cilësohen si kritikë të zgjerimit në momentet e tanishme. I shprehur tipikisht nga Ronald. D. Asmus, drejtor ekzekutiv i Qendrës Transatlantike të Fondit Marshall të SHBA, ky qëndrim ka këmbëngulur se zgjerimi i NATO-s bëhet i dobishëm vetëm kur ai zhvillohet në përputhje me standardet për zgjerimin e aprovuar nga vetë anëtarët e NATO-s. Duke debatuar me ata që janë "pro" dhënies së ftesave për vendet e A3, dhe që e bazojnë këtë vullnet edhe në faktin se zgjerimi dhe shtimi i radhëve me anëtarë të rinj i ka sjellë NATO-s vetëm të mira, duke shtuar stabilitetin në një Evropë në zgjerim, Asmus nënvizon se një sukses i tillë i dedikohet edhe faktit që zgjerimi i NATO-s deri më sot është bërë në mënyrë korrekte, duke marrë parasysh plotësimin e standardeve nga vendet aspirante. Sipas Asmus, rreziqet për destabilitet në vendet e Ballkanit Perëndimor vijnë më shumë nga brenda tyre, nga mungesa e reformave dhe jo nga faktorë të jashtëm. Kjo ka qenë dhe arsyeja që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë vendet e NATO-s vendosën të ngrenë më lart "stekën" e standardeve demokratike për këto vende, nga që e ndjenin që reformat e tyre të brendshme ishin një gur themeli për sigurinë evropiane, ndërkohë që nuk ekzistonte asnjë rrezik i jashtëm imediat për këto vende. "Prandaj unë besoj fuqimisht - deklaronte Asmus po në shkurt të këtij viti në një seancë dëgjimi në senatin amerikan - se do të ishte gabim të ulnim standardet e NATO-s për këto vende... Nuk jam i bindur me argumentin se ne duhet të ulim standardet për shkak të destabilitetit potencial të gjeneruar nga Kosova". *** Në fakt edhe mbrojtësit e anëtarësimit të A3 kanë pranuar se këto vende, me gjithë përparimet, nuk përfaqësojnë një demokraci perfekte. Por ndërkohë u kundërpërgjigjen skeptikëve: A nuk është anëtarësimi në NATO një stimul që këto vende të përshpejtojnë edhe më reformat demokratike? Kjo tingëllon plotësisht e vërtetë, por më e rëndësishme është të dihet se kush do ta shfrytëzojë anëtarësimin në NATO në të mirë të demokracisë? Nga ky moment axhenda kalon në proceset e brendshme politike që do pasojnë marrjen e ftesës. Për sa i takon Shqipërisë, është paradoks të kërkosh dhe shpresosh që ftesa të përdoret në të mirë të demokracisë nga një pushtet autoritarit, si ky i instaluar nga Berisha. Që pa e marrë ftesën Kryeministri nisi t‘ia dedikojë këtë sukses historik për Shqipërinë "reformave" të kryera nga ai dhe që në fakt janë antireforma. Si të tilla, ato kanë qenë pengesa e vetme për anëtarësimin dhe që duket se po kapërcehet në sajë të këmbënguljes së SHBA dhe interesave gjeostrategjike të Aleancës. Duke e parë gjithçka në funksion të pushtetit të tij personal (pra edhe ftesën), Berisha bën sikur nuk dëgjoi as ambasadorin amerikan Withers III, që sapo deklaroi se vendi i tij do ta konsiderojë marrjen e ftesës jo si një sukses të një grupimi të vetëm politik (nënkupto pushtetin dhe këdo grupim tjetër), por si arritje të mbarë klasës politike dhe shqiptarëve. Por ndërkaq, me marrjen e ftesës për në NATO mbaron edhe koha e maskimit të prapambetjes së demokracisë, apo edhe e sakrifikimit të standardeve demokratike, në emër të anëtarësimit apo stabilitetit në rajon. Sikundër theksonte dhe gazeta "New York Times" dy ditë më parë, "shanset për anëtarësimin janë provuar se janë një nxitës i mirë për të inkurajuar demokracinë". Dhe është pikërisht opozita politike dhe shoqëria civile që duhet t‘i marrin në duar këto shanse, duke mos lejuar që të shpërdorohen nga autoritarizmi dhe korrupsioni i lidhur me të. Te kjo nevojë historike e ka bazën misioni dhe përgjegjësia e opozitës lidhur me thellimin e demokracisë në Shqipëri pas marrjes së ftesës, në përballje me autoritarizmin berishist. Aq më tepër pas kobit të Gërdecit, që më shumë se dobësinë ushtarake, tregoi falsitetin, kalbëzimin dhe korruptimin e "shtetit ligjor" të propaganduar nga qeveria. Sepse në zemër të asaj tragjedie qëndron shkelja dhe tradhtimi i ligjit nga institucione të tëra dhe qeveritarët më të lartë të shtetit, përfshirë Kryeministrin Sali Berisha. Sot, autoritarizmi berishist i ngritur në sistem dhe i maskuar me "demokraci", qëndron si një shkëmb i rrëzuar që i ka zënë udhën demokracisë së vërtetë dhe integrimit të vërtetë të Shqipërisë në NATO dhe BE. Ndaj forcat e bashkuara të opozitës dhe qytetarëve, forca e demokracisë që qëndron te rotacioni i liderëve dhe jo te liderët e përjetshëm si Berisha, duhet ta rrokullisë atë në humnerën e dështimit.