24 ore lajme: Kafsha e plagosur dhe tortura Kafsha e plagosur dhe tortura ================================================================================ Ardian Klosi on 31 March, 2008 08:56:00 Mbrëmë vonë na erdhi lajmi i turpshëm që komisariati i Vlorës ka arrestuar kryesuesit e Aleancës Qytetare, bashkë me aktivistë e studentë dhe po i mbajnë në qeli në kushtet më çnjerëzore. Besnik Lulaj, Sadrit Danaj, Viron Ferati, Gogo Kozmaj e të tjerë janë mbyllur në një birucë të ngopur me urinë dhe me një tub, komisarët fashistoidë që e quajnë veten polici të një vendi europian së shpejti anëtar i NATO-s, u sjellin brenda kutërbimet e fekaleve. Në orën 23 që komunikova me Besnikun për herë të fundit dëgjova se edhe ajër nuk po kishin më. Miqtë fisnikë të sa e sa demonstratave paqësore, bisedave televizive, takimeve me Presidentin e këtij vendi, me Avokatët e Popullit e me përfaqësues organizmash ndërkombëtare, inxhinierët e biznesmenët energjikë, që nuk duan asgjë më shumë sesa një Vlorë për vlonjatët, një Gji e një det të shëndetshëm për fëmijët e tyre e për gjithë shqiptarët, i kanë rrasur në një bodrum mesjetar njerëzit që vijnë nga errësira. Njerëz të urdhëruar nga një regjim që gjithë këto ditë i ngjan një kafshe të plagosur. Një qeverim që e dinim se drejtohej nga njerëz të zgjedhur të popullit, demokratë sipas emrit të partisë së tyre, por që dolën matrapazë municionesh. Njerëz që i shtuan faturës së tyre të gjakderdhjeve të qeverimit Berisha I më 1997 gjakun dhe sakatimin e dhjetëra të pafajshmëve të tjerë nga Berisha II, regjim që i rri mbi kokë si këpushë një Shqipërie vërtet më të mirë se atëherë, më pak kaotike e më të kultivuar, por që janë aty, për fat të keq, me më shumë lakmi dhe me më shumë djallëzi se në vitin e mallkuar 1997. Dhe kafsha e plagosur sa e dobët, aq dhe e rrezikshme është. E rrezikshme jo përballë, ditën me diell, në Sheshin e Flamurit ose atë të Skelës, te Pylli i Sodës ose te Kampi i Punëtorëve, por natën në errësirë, në qelitë e një organi që, për çudi, në atë qytetet me emër aq të nderuar, ka vazhdimisht nam e histori të keqe. Dhe në vend që të tregojë se ato histori ishin të shekullit të kaluar dhe se mbas vitit 2000 nuk mund të ketë më dhunë, tortura, fyerje ndaj qytetarëve, policia e Vlorës bën pikërisht të kundërtën, sikur e kërkon vetë që t'u mblidhen aty djemtë dhe vajzat vlonjate, me qindra e me mijëra, dhe pastaj t'u bëjnë... e dinë vetë se çfarë u kanë bërë e çfarë mund t'u bëjnë prapë, në rast se ia prekin djemtë. Mbajtja e tetë njerëzve, pa kurrfarë akuze konkrete, në kushte barbare në qelitë e fëlliqura të policisë nuk ka asnjë emër tjetër por vetëm: torturë. Unë nuk e di se kush e gjen sot këtë guxim, pasi që vendi ynë ka nënshkruar me dhjetëra konventa për të drejtat e njeriut, ku mospërdorimi i dhunës dhe i torturës as nuk përmendet më fare, sepse vetëkuptohet, sepse nuk ta beson njeri në Europën e sotme, që komisariati i policisë në qytetin e dytë të Shqipërisë ende mund të përdorë mjetet e torturës. Guximi i atyre policëve ose kryepolicëve që japin urdhra të tilla ka dy shpjegime: Ose kanë marrë urdhër nga kafsha e plagosur, nga matrapazët e municioneve, të cilëve u plasi bomba në dorë para dy javëve dhe tani nuk shohin e nuk dinë se ç'bëjnë, ose është thjesht veprim rajonal njerëzish të korruptuar, nga specia e uritur, që ka përfituar kohët e fundit prej milionave që shpërndajnë majtas e djathtas Shalsi me kolegët e tij të Petroliferës, këta misionarë të Perëndisë Para, që venë me mendje se milionat do t'u arrijnë të blejnë gjithë Vlorën, siç kanë arritur të blejnë deri tani ekzekutivin dhe policinë. Natyrisht llogari e gabuar. Njerëzit që kanë urdhëruar torturat e mbrëmshme patjetër që nuk e kanë bërë këtë gjë me naivitet , me pasion a urrejtje. Veprimet e tyre synojnë haptazi futjen e një lëvizjeje dhe proteste thelbësisht paqësore, që synon realizimin e së drejtës më elementare, atë të plebishitit, referendumit për të ndaluar ndërtimin e veprave të naftës në Vlorë, në rrugën e dhunës. Atë imazh që e kanë pritur një numër dashakëqinjsh, në radhë të parë qeveritarësh, të një Aleance Qytetare që i ndez rrugët zjarr si në vitin 1997, për fatin e keq të tyre djemtë e Aleancës, Besniku trim, Sadriti i mirëpeshuar, Gogoja patriot që la Anglinë për Vlorën e tij, nuk do t'ua japin kurrë. Por këtë torturën e jashtëqitjes, kam frikë se do t'ua kthejnë disafish. Atëherë të ruhen mirë, të gjithë xhandarët ose matrapazët e municioneve që i urdhërojnë, se mund t'u bëhet një ditë mbi koka, po të përdorim fjalën e popullit, m..i mullar. (Botuar me pare tek "Shekulli")