Faqja e Pare | Editorial | Berisha, Kryeministri i Federatës së Gërdecëve

Berisha, Kryeministri i Federatës së Gërdecëve

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Armet shqiptare ne Afganistan

Po të mos ishin ende në këmbë gërmadhat e shtëpive të shkatërruara të Gërdecit e fshatrave të tjerë brenda rrezes së shpërthimit, tragjedia do të shkonte tashmë drejt harresës, sikurse ka ndodhur edhe më parë. Kjo për faktin se Berisha nuk po reflekton asnjë sinjal për dorëheqje, madje ai dje mori pozicionin e akuzuesit, kur deklaroi në Kuvend tha se ishte Mafia organizatore e një artikulli në gazetën prestigjioze amerikane "New York Times". Agresiviteti i tij nuk tregonte aspak një

Kryeministër të vënë publikisht para përgjegjësisë për një tragjedi të rëndë që ka ndodhur vetëm dhjetë ditë më parë, por një politikan në revansh. Ndërsa opozita është tërhequr nga pozicioni i saj i ashpër, duke premtuar rikthimin në të njëjtën llogore pas Samitit të NATO-s. Ka disa arsye se përse jemi në këtë situatë. E para: Vështirë të besohet që të zhbëhet qeveria e drejtuar nga Berisha dhe të bëhet një tjetër po e djathtë, por pa Berishën Kryeministër. E dyta: Vendi nuk mund të futet në zgjedhje të parakohshme, sepse nuk është gati asnjë element i infrastrukturës zgjedhore, duke filluar nga ligji elektoral e deri te kartat e identitetit. Në këto kushte, angazhimi tërësor politik i opozitës për largimin e Berishës nuk do të ishte i frytshëm, i cili duket se është i destinuar të qëndrojë në pushtet të paktën deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare. Duke e ditur këtë, Partia Socialiste, pavarësisht deklaratave të eksponentëve të saj, duket se e ka nxjerrë largimin e Berishës nga prioritetet imediate të opozitës dhe duke u mëshuar çështjeve me rëndësi kombëtare. Por pa dyshim që pas Samitit të NATO-s, ajo do ta rinisë fushatën e ashpër anti-Berishë. Në mungesë të dorëheqjes, Rama do të punojë për shkatërrimin e tij sistematik, në mënyrë që deri në zgjedhje ta ketë përmbushur misionin e kryetarit të opozitës dhe ta ketë më të lehtë fitoren. Megjithatë, bashkëpunimi i nisur për hartimin e ligjit të ri elektoral, ligj i cili do të forcojë ndjeshëm pozitat e dy partive të mëdha dhe bashkon si kurrë më parë interesat politike të tyre, mund ta zbehë presionin për dorëheqje të Berishës. Gjithsesi, e jep apo jo dorëheqjen Berisha, formohet apo jo një qeveri tjetër që do të çojë vendin në zgjedhje, opozita dhe media, që po i paraprin oponencës ndaj qeverisë në çështjen e Gërdecit, nuk duhet ta ndalin luftën politike në disa aspekte:

- Denoncimin e sa më shumë fakteve dhe mbështetjen e drejtësisë për ta çuar ligjërisht deri në fund këtë çështje.

- Shndërrimin e Gërdecit në një precedent nga i cili duhet mësuar dhe nxitur reformimi i shtetit, për t‘i dhënë atij lirinë e veprimit dhe për ta çliruar nga frika e gogolëve të politikës.

- Presion për ndryshime të thella në qeveri, për të larguar nga kabineti ministrat e tipit Mediu që i kanë shndërruar dikasteret që drejtojnë në principata të tyre.

Tragjedia e tregoi se çfarë ndodh në një vend ku shteti tridhet nga politika dhe atij nuk i punon më asnjë mekanizëm dhe instinkt. Ajo tregoi gjithashtu se çfarë ndodh kur vendi qeveriset nga një kabinet "federal", i cili përbëhet nga ministri që funksionojnë secila si qeveri më vete për shkak të formulës së koalicionit. Ndërsa Kryeministri, më shumë se vendin qeveris qeverinë e "princërve" të tij, i bindur se ai është vetë shteti.

Dushku dhe Gërdeci janë dy fshatrat më të njohur në Shqipëri dhe në të gjitha kancelaritë diplomatike të huaja në Tiranë, e pse jo edhe në Bruksel. I pari, një fshat në Lushnjë, është shndërruar në fenomen elektoral, për shkak të një maskarade politike, ku partitë përmes një marifeti matematik, vetëm me zgjedhësit e një zone elektorale futën në Kuvend dhjetë deputetë, pa marrë bekimin e popullit. Falë këtij marifeti u krijuan grupime politike fiktive dhe morën mandatin deputetë pa asnjë meritë. Dushku dhe trafiku i deputetëve që e pasoi atë, polli kështu partitë dhe grupet parlamentare artificiale që befas u shndërruan në faktorë të fuqishëm dhe u futën në qeverisje. Madje, aleatët e PD-së ndihen të plotfuqishëm sot edhe pse nuk kanë as 2% të elektoratit. E ç‘të keqe ka kjo, mund të themi, pasi në të gjithë botën qeveriset me koalicione?

Gërdeci është epilogu i Dushkut. Partitë dushkare që marrin pjesë në qeveri, duke e ditur se Berisha ua ka nevojën votave të tyre, kanë bërë e po bëjnë ç‘të duan me parcelën e pushtetit që u është dhënë, pasi e dinë që nuk dëbohen nga kabineti, ashtu siç iku Rusmali për një telefonatë apo një duzinë ministrash të tjerë. Fatmir Mediu kishte një arsye madhore që të mos ishte në qeveri. Ai ishte ndalur disa vjet më parë në aeroportin e Milanos dhe policia italiane i arrestoi shoqëruesin, i kërkuar për trafik ndërkombëtar droge. Në çdo vend tjetër, përveç diktaturave afrikane dhe atyre amerikano-latine, një politikan normal këtu do të kishte marrë fund. Berisha e dinte këtë dhe shumë më tepër se kaq, por atij i duhej PR-ja dhe ia dorëzoi Mediut një nga ministritë më të rëndësishme. Mediu ishte i lirë të bënte ç‘të donte me pasurinë e shtetit që administrohej nga Ministria e Mbrojtjes, sepse ai e dinte se ishte një aleat i nevojshëm i Berishës, i cili do të mbyllte sytë(në rastin më të mirë) përpara zullumeve të një ministri, votat e partisë së të cilës ishin jetike për qeverinë.

Por nuk ishte vetëm Mediu që ia dinte vlerën domosdoshmërisë së koalicionit. Edhe të tjerë aleatë iu turrën pushtetit për të marrë ç‘të munden. Të gjithë ndërtuan Gërdecët e tyre, të cilët nuk shpërthejnë në mënyrë apokaliptike, pasi nuk kanë barut, por gjithsesi efektin e kanë po njësoj të rëndë. Xhuveli, me nja dy copë deputetë, shtrin i qetë ndërmarrjet antimjedisore, nga punishtet e gomave deri te licencimi apo lejimi "nga mospasja dijeni" e dhjetëra kantiereve të prodhimit të inerteve apo furrave të gëlqeres. Genc Pollo ka ndërtuar një Gërdec të tijin me licencimin e dhjetëra universiteteve private pa asnjë kriter, shumica e të cilëve shesin diploma të ligjshme (të mos harrojmë, edhe Gërdeci ishte ngritur mbi bazën e një ligji). Gërdeci i Pollos nuk shpërthen me tym e flakë, por ai është një bombë po kaq e madhe sa ajo e Mediut, pasi përmes këtyre diplomave po prodhohet një brez kuadrosh të rremë që nesër do të depërtojnë në administratën shtetërore. Do të bëhen mësues, mjekë, juristë, drejtorë, shefa zyrash etj. A nuk është ky një Gërdec social e shoqëror po kaq i rrezikshëm, e madje edhe më shumë? Ndoka në anë të tij ka ndërtuar Gërdecin e vet, duke emëruar në çdo qelizë të pushtetit që i takon nga "tapia" e koalicionit, njerëz të PDK-së, pa asnjë kriter profesional e duke i shndërruar poliklinikat në nëndegë të partisë së tij.

Përmes reformës elektorale duhet të shkatërrohet "Parlamenti i Dushkut". Por deri në zgjedhjet e ardhshme ne nuk duhet të tolerojmë që të jetojë "Qeveria e Gërdecëve". Drejtësia duhet stimuluar të bëjë punën e saj për të zbuluar të gjitha fijet e një krimi të organizuar me seli në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa Berisha, nëse nuk largohet vetë për t‘u krijuar një kabinet të ri, së paku duhet të shkatërrojë "qeveritë e tjera të Gërdecit" brenda qeverisë së tij. Nëse nuk e bën edhe këtë, ai duhet të pranojë zyrtarisht se është vetë personalisht pas Gërdecit të Vorës dhe neve s‘na mbetet veçse të presim zgjedhjet për ta përcjellë atë në rrugën e ikjes pa kthim. Bomba që shpërtheu mu brenda në qeverinë e Kryeministrit që ka bërtitur më shumë se çdokush tjetër kundër korrupsionit, tregoi qartë se Berisha e ka humbur përfundimisht këtë betejë. Të korruptuarit nuk janë bagëti që ndërrojnë rrugë po t‘u bërtasësh apo fishkëllesh. Ata ndërrojnë rrugë vetëm po të lësh të lirë shtetin të veprojë kundër tyre.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Maj, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
0