Qeveria e gangstereve qe financojne
Rreth një dekadë më parë (në shkurt të vitit të mbrapshtë 1997), ndërsa shteti shqiptar po rrokullisej pandalshëm në humnerën e krizës së skemave piramidale, gazetari britanik Andrew Gumble publikoi në "The Independent" artikullin me titull: "Regjimi i gangsterëve që ne financojmë". I ribotuar menjëherë edhe nga gazetat e Tiranës, artikulli arrinte në përfundimin se ajo që Perëndimi kish sponsorizuar prej vitesh me besim si një qeveri demokratike, kish degjeneruar frikshëm në një stabiliment autoritarist me implikime aktive në rrjete të shumëllojshme të trafikimit të armëve, drogës, karburanteve dhe deri në pastrimin e parave.
Mbi të gjitha, artikulli, arrinte në përfundimin se edhe biznesi i firmave piramidale (kriza e të cilave më pas precipitoi deri në shkatërrimin e shtetit) ishte sponsorizuar politikisht nga qeveria dhe partia në pushtet, duke ia shlyer "nderin" pushtetit financiarisht. Gazetari britanik habitej edhe për verbërinë e shumë shteteve perëndimore dhe diplomatëve të tyre, që vazhdonin të sponsorizonin financiarisht dhe politikisht Sali Berishën dhe qeverinë e tij, duke injoruar dinamikën e trafiqeve në Shqipëri dhe informacionet e shërbimeve sekrete perëndimore mbi lidhjen e qeverisë së PD me to. Më shumë se një dekadë pas daljes së atij artikulli apokaliptik, ne detyrohemi të ribotojmë një tjetër, por me të njëjtin titull, me të njëjtin alarm, me të njëjtën protestë dhe ankth për demokracinë shqiptare që po viktimizohet përsëri nga korrupsioni i qeverisë "Berisha" dhe trafiku i rrjeteve mafioze, me të cilat ajo duket se bashkëpunon.
Dhe është pothuaj e njëjta situatë si në shkurt të vitit të zi ‘97. Në pushtet është përsëri Kryeministri i dyshimtë Sali Berisha, famëkeq për autoritarizmin e tij, por që megjithatë, vazhdon ende të sponsorizohet nga qarqe të ndryshme të diplomacisë perëndimore, si njeriu që do të sigurojë "stabilitetin" në vend. Veçoria është se për demokracinë këtë herë nuk para flitet shumë. Të paktën jo në lidhje me Berishën. Mesa duket për disa qarqe diplomatike nuk ka më rëndësi demokracia, por stabiliteti me çdo çmim. Dhe është e habitshme të shikosh sesi diplomatë perëndimorë e lidhin stabilitetin e Shqipërisë jo me demokracinë, por me sundimin nga një lider i fortë, i denoncuar prej vitesh si autoritarist dhe tani së fundi, me shumë gjasa i implikuar në afera të pista.
Ndërkaq, po si në vitin ‘97, në Shqipëri sapo ka ndodhur një tragjedi e përmasave të pazakonta, një shpërthim shkatërrues që ka në rrënjë të tij, bashkëpunimin qartësisht mafioz të qarqeve më të larta të qeverisë për trafikimin e armëve dhe municioneve. Pikërisht ashtu sikundër bashkëpunimi i djeshëm me trafiqet, ishte rrënja e lulëzimit të piramidave financiare. Ka shumë paralele të tjera që shtrihen mes së sotmes dhe së shkuarës dhe që tregojnë se qeveria e tanishme e Berishës është po ashtu si ajo e vitit të ‘97, një kabinet që Gumbel e cilësonte "qeveri gangsterësh", që jo vetëm ca shtete e diplomatë perëndimorë, por edhe ne shqiptarët vazhdojmë ta financojmë me taksa.
***
Që në nisje të artikullit të tij të shkurtit ‘97, Gumbel shkruante: "Qeveria e Shqipërisë, vendit më të varfër të Evropës që sot po lëkundet në buzë të anarkisë, ka qenë trafikuese droge, armësh, dhunuese sanksionesh dhe pastruese parash". Sipas gazetarit britanik, prej vitesh qarkullonin dokumente të klasifikuara të shërbimeve sekrete me të dhëna për bashkëpunimin e fshehtë dhe pjesëmarrje aktive nga pjesëtarë të Partisë Demokratike në pushtet në trafik droge, tregti ilegale armësh dhe në thyerjen e embargos mbi Serbinë dhe Malin e Zi nëpërmjet kontrabandës me naftës. Në artikullin që detyrohemi të citojmë shkruhej plot shqetësim: "Shërbimet inteligjente të vendeve të ndryshme kanë raportuar pa ekuivokë se Shqipëria është shndërruar në shtetin represiv të një partie, ku korrupsioni është shumë i përhapur në të gjitha nivelet dhe se një ekonomi e bazuar gjerësisht te gangsterët, ndodhet nën kontrollin klientelist të partisë në pushtet".
Vështirë të gjenden fraza që pikturojnë më saktë edhe Shqipërinë e ditëve tona, korrupsionin e qeverisë dhe lidhjeve klienteliste me bizneset e gangsterëve të tipit Delijorgji. Në kohën kur shkruante Gumbel, denoncohej lidhja e një ministri të Berishës me trafikun e drogës, ndërsa sot, është ish-ministri i Mbrojtjes Mediu dhe vetë Kryeministri Berisha, që dyshohen publikisht për bashkëpunim me trafikun e armëve. Në vitin ‘97 shkruhej në shtyp se, shërbimet sekrete dyshonin që firma "Shqiponja", e cila gëzonte monopolin e import-eksportit të naftës dhe drejtohej hapur nga shefi i PD-së, "është përdorur për trafik armësh e droge dhe këto trafiqe po vazhdojnë në forma të tjera". Ne vërtet po shohim sot sesi këto trafiqe kanë vazhduar "në forma të tjera" më të fshehta dhe se si rikthimi i Berishës në pushtet në vitin 2005, i ka riaktivizuar ato në mënyrë aq të pafre, sa çuan edhe në masakrën e Gërdecit.
Tashmë po del e qartë se infiltrimi i mafies së armëve në eksportin e municioneve shqiptare, do të qe i pamundur pa bashkëpunimin e ish-ministrit Mediu, Kryeministrit dhe e të gjitha strukturave më të larta shtetërore deri parlamentare (kujto këmbënguljen e shumicës për miratimin e ligjit që liberalizoi tregtimin e municioneve; a mund të arrihej ky mobilizim monolit i deputetëve të djathtë pro projektligjit në fjalë, pa inspirim nga lideri i shumicës që ishte Berisha dhe jo thjesht nga kreu i grupit parlamentar që ishte Bamir Topi?), që iu bindën verbërisht Berishës. Po ashtu, si mbi gërmadhat e piramidave financiare nuk qe e vështirë të zbuloje gjurmët e gishtërinjve të qeverisë "Berisha I", po ashtu edhe sot në gërmadhat e Gërdecit, po shfaqen qartë gjurmët e gishtërinjve të qeverisë "Berisha II". Dhe në të dyja rastet, trazuar me gërmadhat janë edhe kufomat e qytetarëve.
***
Kohët po vërtetojnë tragjikisht se trafikimi i armëve qenka një zakon i ngulitur në gjenet e kabineteve që formon Berisha. Sepse është një trafik i denoncuar me kohë nga institucione ndërkombëtare. Prej vitesh këto trafiqe të organizuara nën kujdesin e qeverisjes së parë të Berishës, kanë dhunuar ligjet ndërkombëtare, duke dërguar armë në zona me konflikt si Ruanda apo Liberia. Municionet nga Shqipëria janë përdorur për masakrat e ndodhura në Afrikë dhe askush nuk mund të thotë me siguri se municionet e shitura një firme fantazmë në Qipro në emër të NATO-s (në sajë të një trafiku të mbikëqyrur, me shumë gjasa, nga njerëz të afërt të Kryeministrit), nuk kanë përfunduar në duart e terroristeve për t‘u përdorur kundër NATO-s dhe ushtarëve shqiptarë të dërguar me mision atje. Tashmë po dalin në media edhe dokumente që provojnë se nga Shqipëria kanë dalë armë që i janë shitur njerëzve të afërt të Bin Ladenit.
Ç‘është kjo hata? Formalisht jemi me NATO-n dhe luftën kundër terrorizmit dhe informalisht furnizojmë me municione dhe armë terrorizmin? Shpërthimi në Gërdec, që vrau shumë të pafajshëm dhe shkatërroi fshatra të tërë, vrau edhe fshehtësinë e një trafiku që sot denoncon vetë Berishën: vallë rastësisht emri i Kryeministrit dhe të afërmve të tij u përmendën sapo dolën faktet e para të prapaskenës së Gërdecit? Si shpjegohet që një nga mbikëqyrësit ilegalë të veprimtarisë ilegale në punishten misterioze të Gërdecit qe një i afërm i familjes së Kryeministrit dhe pikërisht, baxhanaku i tij? Dhe në kundërshtim me deklarimet e Berishës, që u përpoq ta paraqiste atë si një nga punëtorët e shumtë të fabrikës, vetë këta të fundit kanë deklaruar se njeriu i afërt i Kryeministrit vetëm numëronte arkat e municioneve dhe nuk deklaronte emrin e vërtetë? Përse një njeri i familjes së Berishës, i punësuar në një biznes që presupozohej të qe i ligjshëm, nuk shfaqej me emrin e tij të vërtetë? Përse organizatorët mafiozë të këtij trafiku zgjodhën si të besueshëm për këtë mbikëqyrje pikërisht një të afërm të Kryeministrit? Rastësisht? Por vallë përsëri rastësisht përmendet po në dialogjet e përgjuara të aktorëve të përfshirë në këtë tregti të pisët, emri i të birit të Kryeministrit, madje edhe ai vetë? Vallë rastësisht deputetë të shumicës së drejtuar nga Berisha u nxitën të reformojnë (pikërisht në nisje të kësaj afere) legjislacionin për administrimin e municioneve në Shqipëri, duke mundësuar kështu që zbërthimi dhe tregtimi i predhave dhe fishekëve të mund të menaxhohej edhe nga firma private si ato të Delijorgjit? A nuk janë si shumë këto "rastësi" për të qenë të rastit? Faktet që po dalin janë kokëforta si e vërteta. Ato po zbulojnë që Kryeministri Berisha është kujdesur jo ta ndalë, por vetëm që ta maskojë këtë trafik me ligj. Por kjo do të thotë të jesh jo Kryeministër, por mashtrues i veshur me ligj, ose si thonë anglezët "crook within dhe law". E si mund shqiptarët të vazhdojnë të paguajnë me jetë dhe para vazhdimësinë e një qeverisjeje që punëson gangsterët, vazhdimësinë e një Kryeministri të tillë kaq të dyshimtë?
Kerkoni ne arkiv
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | ||||
| 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 |
| 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 |
| 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 |
| 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj