24 ore lajme: Mirënjohje e përhershme SHBA-ve, BE-së dhe vendeve që ndihmuan çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës Mirënjohje e përhershme SHBA-ve, BE-së dhe vendeve që ndihmuan çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 24 March, 2008 06:22:00 Sot, në 9 vjetorin e sulmeve të aleatëve kundër Serbisë, që pasuan me largimin e forcave serbe, hyrjen e trupave të NATO-s dhe kthimin e mbi 800 mijë shqiptarëve në Kosovë, të dëbuar më parë me dhunë nga ushtria serbe, liderët e vendit tonë nderojnë kujtimin për të gjithë ata që u flijuan dhe falënderojnë SHBA, NATO-n dhe aleatët për lirinë dhe shtetin e Kosovës Sejdiu: Përvjetori i bombardimeve shënohet në Kosovën e pavarur Në 9 vjetorin e ditës së fillimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë e në Serbi, 24 marsit, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, u është drejtuar me një mesazh qytetarëve të vendit. Më 24 mars 1999, Aleanca më e fuqishme ushtarake në historinë së njerëzimit, NATO-ja, e nisur nga ideja humane për shpëtimin e popullit të Kosovës kur këtij i kanosej gjenocidi dhe zhbërja fizike, i filloi sulmet ajrore kundër forcave serbe në Kosovë dhe në Serbi. Sivjet, kjo datë e rëndësishme e historisë moderne të Kosovës, e gjen vendin tonë me ëndrrën e përmbushur të shumë e shumë brezave - me Republikën e pavarur e sovrane të Kosovës, tashmë të njohur zyrtarisht nga vendet më të mëdha të demokracisë botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet kryesore të Bashkimit Evropian, si dhe shumë shtete të tjera anekënd globit. Duke e kujtuar këtë datë të rëndësishme të historisë sonë më të re, ne nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që u flijuan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Në këtë ditë të shënuar, ne e kujtojmë me pietetin më të lartë burrështetasin e parë të Kosovës, Presidentin tonë historik dr. Ibrahim Rugova. Me udhëheqjen dhe vizionin largpamës të tij, vendi ynë krijoi kulturën shtetformuese dhe struktura shtetërore në rrethana pothuajse të pamundshme. Duke ndjekur politikën e tij bëmë miq në shumë anë të botës, të cilët i dolën në ndihmë Kosovës në orët më të liga të barbarisë që përjetoi vendi ynë në fund të shekullit të kaluar. Në këtë ditë, në nëntëvjetorin e 24 marsit të vitit 1999, i kujtojmë me nderim të veçantë të gjithë luftëtarët e lirisë të Kosovës, luftëtarët e UÇK-së, emblemë e së cilës u bë Komandanti Adem Jashari, një organizim ushtarak në rrethana krejt të veçanta në kulmin e rezistencës totale të popullit të Kosovës kundër okupimit serb. Do t’u jemi mirënjohës për jetë e mot oficerëve e ushtarëve të vendeve të NATO-s që morën pjesë në aksionin 78-ditësh për të ndalur agresionin ushtarak e paraushtarak të Serbisë kundër popullit të Kosovës. Në këtë ditë të shënuar, ne u shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë SHBA-ve, BE-së dhe të gjitha vendeve të tjera të botës demokratike, që e ndihmuan Kosovën atëherë kur popullit tonë i kanosej shfarosja dhe që po e ndihmojnë edhe sot në procesin e konsolidimit shtetëror e demokratik, në përqafimin ndërkombëtar të Republikës sonë, që është parakusht për integrimet e mëtejshme të Kosovës në familjen e gjerë euroatlantike. Zoti e bekoftë NATO-n! Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj ! , thuhet në mesazhin e Presidentit të Rapublikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu Thaçi: Mirënjohje të përhershme SHBA, BE dhe vendeve që ndihmuan çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës Me rastin e 9 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi pozicionet ushtarake dhe policore serbe, përmes një mesazhi, Kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur ndjenjat më të larta të respektit për Aleancën ushtarake - NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare, që u vunë në mbrojtje të Kosovës në ditët më të vështira dhe më vendimtare. Lufta e drejtë e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bëri që aleanca ushtarake më e fuqishme në botë të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor në Kosovë, lirisë, paqes dhe demokracisë. Bota demokratike dhe Aleanca më e fuqishme e globit - NATO-ja, dhanë kontribut historik në çlirimin e Kosovës, duke bërë që data 24 mars 1999 të jetë fillim i një epoke të re për Kosovën. Populli i Kosovës i është mirënjohës përjetë NATO-s dhe të gjitha shteteve që përkrahën luftën e drejtë. Pas nëntë vjetësh, sot Kosova është e lirë, ka ndërtuar shtetin e saj të pavarur dhe demokratik, të njohur ndërkombëtarisht, me përkushtim të veçantë për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve dhe me synimin për t'u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shteti demokratik i Kosovës do të jetë gjithmonë faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Sot, kur kemi përmbyllur kapitullin e ndërtimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, kujtojmë me nderim të lartë sakrificën sublime të luftëtarëve të UÇK-së, të dëshmorëve tanë, të cilët ranë që brezat e ardhshëm të jetojnë në Kosovën e lirë, demokratike dhe të pavarur. Në këto ditë të përkujtimit të intervenimit të NATO-së mbi caqet serbe, iu shprehim mirënjohje të përhershme Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendeve që ndihmuan çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës dhe që sot po ndihmojmë forcimin e institucioneve demokratike të vendit tonë. Mirënjohje të veçantë ju shprehim liderëve dhe personaliteteve botërore që mbështetën luftën e drejtë të popullit tonë për çlirim dhe demokraci, ish-presidentit Klinton, ish-kryeministrit Bler, ish-sekretares Ollbrajt, z. Solana dhe personaliteteve tjera perëndimore. Edhe në këtë fazë Kosova mirëpret prezencën ushtarake të NATO-s dhe ndihmën e përgjithshme të shteteve demokratike. Në këtë përvjetor historik për vendin tonë, iu shprehim falënderim të veçantë forcave të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, që garanton lirinë, stabilitetin dhe paqen në Kosovës, thuhet në mesazhin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 9 vjetorit të intervenimit të NATO-s. Sot, kur mbushen 9 vjet nga sulmet e NATO-s kundër Serbisë, të cilat kishin nisur me 24 mars 1999 dhe kanë zgjatur 11 javë, respektivisht 78 ditë, ekspertët vlerësojnë se Serbisë i ishte shkaktuar një dëm prej rreth 30 miliardë dollarë, ndërsa vlerësohet të jenë vrarë disa mijëra ushtarë serbë në Kosovë dhe Serbi. Sulmet janë kryer nga anijet luftarake amerikane nga Adriatiku dhe bazat ajrore italiane në Itali. Bombardimet kanë përfunduar më 10 qershor me miratimin rezolutës 12 44 të KS. Si rezultat ka pasuar largimi i forcave serbe nga Kosova dhe hyrja e trupave të NATO-s, dhe, fill më pas kthimi i mbi 800 mijë refugjatëve shqiptarë nga Kosova, të dëbuar më parë me dhunë nga ushtria serbe. Në kuadër të KFOR në Kosovë në vitin 1999 kishin hyrë 37 mijë e 200 ushtarë nga 37 vende. Aktualisht KFOR-i ka mbi 16 mijë trupa në Kosovë.