24 ore lajme: Berisha tek Shtabi i Emergjences: Te gjithe rreth meje jane fajtore por jo une! Berisha tek Shtabi i Emergjences: Te gjithe rreth meje jane fajtore por jo une! ================================================================================ Erl Murati, Gazeta Shqiptare on 22 March, 2008 05:08:00 Në një fjalor të ashpër ndaj institucioneve kryesore të shtetit, të denjë për një kryetar opozite, por jo për një njeri që i ka vetë në dorë frenat e shtetit, kryeministri Berisha e largoi dje përgjegjësinë për tragjedinë e Gërdecit. “Ka patur një dështim të fortë, të një numri të konsiderueshëm institucionesh”, tha ai duke renditur ‘’ministrinë...e Mbrojtjes, ushtrinë, SHISH-in, SHIU-n, tatimet, inspektoriatin e punës dhe prokurorinë’’. Më pas, Berisha shtoi se ai dhe presidenti nuk dinin gjë fare, as se ekzisonte Gërdeci. Pyetja e parë që të vjen ndërmend kur dëgjon qëndrimin e Berishës është se si ka mundësi një kryetar qeverie nuk ka asnjë institucion nën kontroll? Ndërsa, pyetja e fundit: një kryeministër që nuk ka asnjë institucion nën kontroll, a duhet të japë dorëheqjen? Edhe Ponc Pilati do ta kishte zili oratorinë e Berishës dhe mënyrën se si ai tentoi t’i lajë duart dje nga “11 shtatori” – siç e quan ai – duke ia hedhur përgjegjësinë të gjithëve, përveç vetes. Në shfajësimin e tij, Berisha bëri dje një autogol: një kryeministër që pranon dështimin e institucioneve kryesore të shtetit që drejton, është një kryeministër i dështuar që drejton një qeverisje të dështuar. Pra, që duhet të ikë. Ditën e parë të tragjedisë, kreu i ekzekutivit deklaroi se në Gërdec është një kompani private dhe se “ministria e Mbrojtjes” ka vetën transportin. Dje, ministria e Mbrojtjes na doli përgjegjësja kryesore për ngjarjen. Eshtë e lehtë tani për kryeministrin ta shndërrojë ushtrinë dhe Mbrojtjen në tabelë qitjeje, është e lehtë për të t’ia ngarkojë Fatmir Mediut barrën e akuzave që në fakt rëndojnë mbi Berishën. Por, Fatmir Mediu në fund të fundit, pati përulësinë që të kryente aktin etik të dorëheqjes. Kryeministri jo vetëm që s’ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë, por ja ç’thotë: “Tragjedia dëshmoi se reforma të thella dhe të gjithanshme janë të domosdoshme. Më e rënda është mungesa e informacionit për sigurinë nga institucionet që duhet ta trajtojnë këtë problem”. Kryetari i PD-së nuk bëri gjë tjetër dje veçse paralajmëroi beteja të reja, sinjalizoi luftën personale me drejtorin e SHISH-it, Bahri Shaqiri dhe drejtues të tjerë institucionesh si dhe konfirmoi se energjitë negative nuk do t’i mungojnë kurrë. Berisha tha dje se nuk dinte asgjë për Gërdecin, por a ka mundësi të mos ketë ditur asgjë, ai, që zbardhi të plotë në parlament, të gjithë aferën që denoncoi biznesmeni Kosta Trebicka? A ka mundësi të mos ketë ditur gjë Berisha, ndërkohë që baxhanaku i tij punonte në Gërdec? E dreqi e mori, a ka mundësi të mos ketë ditur gjë ai, i cili kërkon të informohet edhe për emërimet dhe shkarkimet e pastrueseve dhe shoferëve militantë në administratë?! Në fund, kryeministri i quajti dje të dështuar dy institucionet: ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë në kohën kur pas më pak se 2 javësh kërkon të marrë një ftesë nga NATO për anëtarësim në Aleancë. E pse u dashka që vendet e NATO-s të ftojnë në gjirin e saj një shtet, ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e së cilit janë të dështuara? Për të marrë eksperiencë si dështohet një ushtri, një qeverisje, një shtet? Në fakt, duke pranuar dështimin e një sërë institucionesh, kryeministri Berisha pranoi dështimin e tij personal. Ai foli si shef i opozitës dhe jo si kryeministër. Në fakt, ai i bëri më shumë punë vendit në opozitë se në pushtet.