Alibia e gënjeshtërt e kryeministrit
Të mërkurën në mbrëmjen në Kuvend, mbrojtja që kishte zgjedhur kryeministri i vendit përballë akuzave për tragjedinë e Gërdecit ishte fortifikimi mbas një linje të vetme: nuk dija gjë, nuk kisha dëgjuar kurrë më parë ekzistencën e Gërdecit, nuk kam asnjë lidhje ligjore për ngjarjen. Por në epilogun e të njëjtës seancë, kryeministri rrëzoi po vetë alibinë e tij duke e pozuar veten në një dritë krejtësisht të dyshimtë. Zoti Berisha pranoi drejtpërdrejt se në zyrën e tij, që një muaj përpara se të ndodhte tragjedia ndodhej një dosje me përgjimin e dy biznesmenëve, një shqiptar dhe një amerikan. Në atë dosje përmendej ai vetë, i biri, dhe dy të arrestuarit: pronari i Alb Demil dhe drejtori i MEICO-s. Zoti Berisha pohoi se e vetmja lëvizje që ai pa të arsyeshme të bëjë ishte konsultimi me të birin, që sipas tij e bindi atë se ai ishte dorëjashtë nga patatja që po nxehej në furrë. Zoti Berisha pranoi gjithashtu se ishte në dijeni në tentativës për të rekrutuar/ korruptuar një zyrtar të lartë të ministrisë së mbrojtjes, me dollarë amerikanë dhe prostituta. Pranoi se ishte në dijeni që një biznesmen shqiptar, me rekorde negative me drejtësinë, ishte i përfshirë në histori armësh dhe municioni. Ky është dhe momenti që kryeministri humbet përfundimisht alibinë e tij të ngritur me mundim për të shmangur çdo përgjegjësi në zullumin që u shndërrua në tragjedi në Gërdec.
Në ato orë të vona të darkës së të mërkurës, as opozita nuk u tregua e vëmendshme të shënonte se qoftë dhe në mungesë të veprimit të drejtpërdrejtë, kryeministri ishte përgjegjës për mosveprimin. Hapi i tij i parë, dhe ky është detyrim ligjor, duhet të kishte të bënte dhe duhej të bënte me vënien në lëvizje të Shërbimit Informativ për të zbardhur këtë histori dhe kjo është detyrë funksionale e kryeministrit. Nëpërmjet kryeinspektorit të tij të atashuar pranë këtij shërbimi, kryeministri duhej të sqaronte të gjithë këtë situatë, e cila në rastin më të mirë, do të ishte një histori e zakontë shqiptare me të korruptuar. Nëse do të bëhej një gjë e tillë, do të ishte fare e lehtë që mbas historisë me fishekë të blerë me dollarë amerikanë për Afganistanin, të dilte në dritë se të paktën dy nga personazhet e përmendura në përgjim, ishin të përfshirë dhe në një histori tjetër. Kryeministri duhet të sqarojë edhe origjinën e këtij përgjimi duke shpjeguar në Tiranë se histori të tilla me armë nuk janë vetëm “pronë” e Tiranës dhe se për to janë të interesuara dhe shërbime të huaja. “Indiferentizmi” me të cilën kryeministri pretendoi se e e kishte marrë paralajmërimin, është krejtësisht larg të së vërtetës; në një vend ku dhe zogjtë cicërojnë me dijeninë e tij, ku dhe shiu e dielli ndodhin me vullnetin e tij, është e pamundur që parasinjalet e ardhura nga Gërdeci të kalojnë jashtë vëmendjes së tij.
Fatkeqësisht, tentativat e bëra të mërkurën në mbrëmje në sallën e Kuvendit për ta transferuar përgjegjësinë për ngjarjen në drejtime të tjera, për të mos e ngritur stekën e përgjegjësisë, edhe ajo vetëm morale, mbi kokën e ish-ministrit të mbrojtjes, është sa cinike, po aq dhe larg të vërtetës. Së paku, kryeministri kishte në dorë të shmangte presionin mbi zyrtarin e MEICO-s, që paradoksalisht dhe për shkak të detyrës, ishte dhe vihej nën presion.
Në ligjin për Shërbimin Informativ dhe detyrat funksionale të tij përcaktohet qartë se ai është përgjegjës dhe duhet të mbledhë informacione me qëllim parandalimin e çdo lloj aktiviteti antikushtetues, antikombëtar dhe antiligjor dhe të veprojë me shpejtësi kur tendenca është e mprehtë si në rastet e terrorizmit dhe akteve të sabotazhit. Shërbimi duhet t´i kryejë këto detyra edhe në bashkëpunim dhe në koordinim me institucionet e tjera përgjegjëse. Ky ishte dhe momenti, kjo është dhe baza ligjore që e detyronte kryeministrin të vihej i pari në lëvizje. Zoti Berisha duhej të sqaronte rolin e gjithë individëve të përfshirë në këtë histori, duhej të vinte në dijeni Presidentin e Republikës dhe njëkohësisht, të kërkonte përfshirjen e menjëhershme të ministrit të mbrojtjes në zbardhjen e çështjes. Asnjë nga këto hapa nuk u hodh ose të paktën asnjë prej këtyre hapave të munguar nuk hapi një të çarë në murin e heshtjes që vazhdoi për një muaj rresht. Secili nga to, afronte mundësi të qarta që Gërdeci të mos ndodhte dhe të vihej nën kontroll një situatë që dukej se kontrollohej nga interesa shumëmilionëshe.
Momenti i dytë i dijenisë së kryeministrit ka qenë paralajmërimi i bërë nga shërbimet amerikane të sigurisë me rastin e vizitës së Presidentit George W. Bush në Tiranë, kur municionet e bazuara në Gërdecin e fatkeqësisë u evakuuan dhe u rikthyen në të njëjtin vend mbas vizitës. Në këtë rast kryeministri ose duhet të pranojë se e kanë gënjyer vartësit për atë çka po ndodhte, ose, siç nuk ka fare gjasa të ketë ndodhur, ai nuk i ka kushtuar më vëmendje këtij fakti.
Një javë mbas shpërthimit në Gërdec, Shërbimi Informativ është jashtë loje. Detyra e tij për parandalimin e akteve që cënojnë rendin kushtetues apo akte terroriste dhe kështu me rradhë, është e përfunduar dhe me ligj, tashmë hetimi i kalon Prokurorisë dhe strukturave të policisë. SHISH është jashtë loje në të njëjtën mënyrë siç ishte dje jashtë loje edhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë apo Policia kriminale pranë Forcave të Armatosura.
Të mërkurën në mbrëmje kryeministri kërkoi të largojë çdo përgjegjësi edhe të Presidentit të Republikës nga tragjedia duke dalë garant për mungesën e dijenisë së tij për atë çka ndodhte në Gërdec. Dhe kjo e ka një arsye. Ndoshta menjeherë mbas samitit të Bukureshtit, ai do të kalojë patjetër në derën e Presidencës me listën e re të qeverisë së tij dhe se në këtë rast, Presidenti me një mandat të sapofilluar, nuk do të jetë thjesht noterizuesi i emrave të rinj të ministrave. Kryeministri e di mirë se e gjithë ngrehina e qeverisjes së tij është varka e drunjtë ku lundrojnë të gjithë dhe se loja i ka dalë nga tryeza e tij. E di mirë se nëse ndez zjarr brenda në varkë, në mos nga zjarri, gjithë ekuipazhi do ta pësojë nga uji i turbullt i këtyre ditëve. Ndaj alibia e kryeministrit, është në fakt alibia e gënjeshtërt e gjithë ngrehinës së shtetit, që nuk është gjë tjetër, veçse një ndërtim gjysëm ilegal i rrethuar me llamarina. Njëlloj si fabrika e vdekjes në Gërdec. Gërdeci nuk mund të harrohet duke u shitur si një histori korrupsioni dhe as duke e shpërthyer përgjegjësinë mbi një grusht njerëzish. Sepse kjo është një histori me mëkatarë dhe mëkati qëndron kryesisht në llamarinat e ndryshkuara të gjithë ngrehinës shtetërore.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj